Nga Boldnews.al
Në prag është vjeshta politike, që më së paku premton një spektakël grindesh, denoncimesh, akuzash dhe ndryshimesh të mëdha. Kryeministri Edi Rama gjendet i rrethuar nga mëkatet e veta dhe të qeverisë që drejton. Superpushteti që ka marrë po i jep efekte anësore të sëmundjes së rëndë të diagnostikuar prej kohësh si: “kancer malinj që vret demokracinë”.
Sot nis sesioni i ri Parlamentar më shumë se çfarë do të thonë ata 122 burra e gra është kohë për “paradën” e pas verës. Kush është nxirë më shumë, cili vjen me veshje më të shtrenjta, aksesorët që reklamojnë në duar dhe qafë dhe mbi të gjitha shfaqja që do nisë me spektaklin e garantuar të deputetëve hokatarë, truvyshkur dhe me vizion që shkon nga karrigia e deputetit në restorantet e mishit dhe peshkut.
Parlamentin e di si e ka, duke u ndjerë i tepërt kryeministri në atë sallë, pasi në karriget e lëna bosh nga deputetët e opozitës janë futur personazhe që janë edhe më kllounë se vetë kryeministri, që lëshojnë batuta edhe më të trasha se vetë ai, që vishen e japin imazh edhe më qesharakt se njeriu që drejton qeverinë.
Gjithashtu përkrahë ka të rreshtuar ministre që një natë fjetje e kanë 700 euro, apo të tjerë që e quajnë veten kryediplomatë edhe pse ende nuk u ka ikur qejfi i të bërit flokët me xhel apo deliri se në moshën 28-vjeçare mban postin e Ministrit të Jashtëm. Këtë formë ka përzgjedhur kryeministri, që tashmë pas talljes së madhe që u bën qytetarëve me përzgjedhjet e tij, ka disa situata të pakëndshme për t’i zgjidhur.
Në letra, Partia Socialiste ka marrë 61 bashkitë e vendit, por Shkodra dhe Vora mund të fshihen nga harta për shkak se Rama përzgjodhi kandidatë me të shkuar kriminale, për më shumë ishin tërësisht gjetje të tij personale. Partia nuk bzan, por ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, për pak kohë mund tia bëjë të zeza ditët e Ramës.
Nga ana tjetër, opozita po përgatitet për protesta, por edhe vetë qeveria i ka gati magazinat me gaz lostjellës, sigurisht duke provokuar dhe shpresuar që nga protestuesit të ketë reagim. Mund të duket mëse e habitshme, por sot kryeministrit i intereson që protestat e opozitës të nisin shpejt, mundësisht të jenë disi të dhunshme, pasi vetëm në atë mënyrë ka mundësi të shkëpusë vëmendjen nga mekatet e tij personale.
Faktori ndërkombëtar që deri më tani ka qëndruar indiferent për të zezat që po kalon Shqipëria, mund të kenë një pikë ngopjeje dhe reflektimi mund të vijë shpejt, që në mesin e këtij muaji. Është planifikuar që më 15 shtator të mbërrijë një delegacion nga Bundestagu gjerman për të diskutuar dhe ofruar zgjidhje për krizën e rëndë politike, institucionale dhe në dëm të demokracisë që po kalon vendi.
Kjo e sikletos më shumë kryeministrin, pasi “raportues” nuk do jenë ambasadorucë të nginjur nga pushteti i tij, por politikanë të nivelit të lartë, për më shumë nga Gjermania që po e lexojnë më drejt se çdokush tjetër krizën fort të thellë që po kalon vendi ynë.
Është vjeshtë e sprovave të mëdha pasi në mesin e tetorit BE do të marrë vendimin për hapjen ose jo të negociatave me Shqipërinë, që me shumë gjasë do të jetë një “JO” e prerë. Rama gjithashtu ka gati tekstin e fjalimit që do mbajë pas këtij dështimi të pritshëm, ku përgjegjëse do të bëjë opozitën dhe median, që sipas tij i kanë dëmtuar imazhin Shqipërisë, por edhe ky justifikim nuk do i vlejë, kur e vërteta fshihet pas dosjeve të përgjimeve dhe ku politika që ai drejton sot është e “përdhunuar me dëshirë” nga krimi i organizuar dhe trafikantët që u veshën me kostumin e zyrtarit të lartë Rilindas.
Të gjithë opsionet e vështirësojnë situatën politike të Ramës, duke i lënë vetëm një mundësi: “Të çojë çmendurinë deri në fund, duke tentuar të vendosë edhe ‘ligjërisht’ diktaturën në vend. Të largohemi nga Euqopa, të vijojnë të copëtojnë edhe më shumë pasuritë e vendit, të kontrollojë që në thelb sistemin e derjtësisë dhe të vijojë batërdinë e korrupsionit në nivele të larta dhe të qeverisurit me “çunat problematik”.