Nga Ilir Kalemaj
Kosova e kapërthyer në një krizë të brendshme politike gjë që në mënyrë demokratike i dha dum për të disatën herë duke kaluar në zgjedhje të parakohshme parlamentare (në ndryshim nga vendi amë), nga ana tjetër ballfaqohet më një seri problematikash të brendshme dhe të jashtme që sfidojnë secilën qeveri të ardhshme për të gjetur fillin e Ariandës qysh në 100 ditëshin e parë pas zgjedhjeve. Së brendshmi Kosova ballafaqohet me të njëjtat probleme dhe simptoma që gjenden rëndom në Ballkanin Perëndimor si sistemi klientelist dhe neo-patrimonial, shfaqje të dukshme nepotizmi dhe patronazhi politik, nivel të lartë korrupsioni dhe krimi të organizuar vençarisht në zona ku pushteti i Prishtinës nuk shtrihet dot si komunat në Veri të Kosovës por edhe probleme me proceset aspak transparente të privatizimeve, monopolet që po thellojnë pabarazinë, qeverinë jashtëzakonisht të fryrë dhe shpenzimet publike operative me kosto të lartë etj.
Së jashtmi, Kosova po ballafaqohet me terheqjen masive të njohjeve që sipas burimeve nga Beogradi kanë arritur rreth 15 shtete deri tani, shumica nga Afrika nënsahariane. Prishtina i është kundërpërgjigjur që shumica e dokumentave të c’njohjes (term që nuk ekziston në të drejtën ndërkombëtare ublike) përmbajnë të njëjtin formulim dhe tekst dhe akuzojnë Cizejl, që njihet si këshilltar i ministrit të jashtëm Daçiç si orkestrues i blerjeve të dekreteve të tërheqjes së njohjes. Ka një kakofoni informacioni dhe mungesë reale të njohjes së shkallës së vërtetë të dëmit që po i bëhet Kosovës nëpërmjet këtij procesi sa tinzar dhe hileqar aq edhe të pabesë. Kjo pasi në rast se taksa e dëmton shumë më pak Serbinë nga ç’trumbetohet zellshëm nga diplomacia serbe me bujë dhe rropopujë faqe botës, kjo e bllokimit të antarësimit të Kosovës në UNESKO, INTERPOL dhe dhjetra organizata rajonale dhe ndërkombëtare e bashkë-shoqëruar me procesin e lobimit për terheqje të njohjes Kosovës Republikë, ka një efekt më shkatërrues afatgjatë si në terma strategjikë ashtu edhe psikologjikë.
Duhet thënë që Beogradi po ndjek një strategji të mirë-kordinuar me Moskën e cila po i jep frytet e saj dukshëm për të dëmtuar ekonomikisht dhe gjeopolitiksht Kosovën ndërkohë që nuk rëndon aspak në perspektivën europiane të Serbisë që vijon normalisht me hapjen e kapitujve të negociatave. Ngjashëm me paradoksin tjetër që ndonëse është përfituesje kryesore e ndihmës ekonomike kineze, por edhe kredive të buta dhe granteve si pjesë e mega-projektik Brez dhe Rrugë dhe nismës rajonale 16+1, vijon të lobojë susksesshëm me SHBA duke arritur të sigurojë takime kyc me Sekretarin e shtettit Pompeo, Këshilltarin e Presidentit Trump për Sigurinë Kombëtare Bolton e të tjerë brenda harkut kohor të pak muajve. Apo paradoksin tjetër që arrin të lobojë suksesshëm me Izraelin dhe vendet arabe ndonëse ka qenë i vetmi vend ballkanik që ka votuar para disa vitesh në OKB në favor të Palestinës. Apo që ka në krah të saj edhe Armeninë, edhe Azerbaxhianin si kundërshtarë të njohjes së Kosovës por edhe Gjeogjinë dhë Ukrainën pavarësisht kostos së lartë që kanë pësuar këto dy vende nga orekset aneksioniste të Rusisë.
Kjo nuk dëshmon vetëm qartësi strategjike dhe zotësi nga ana e qeverisë së Beogradit e cila natyrisht që do të shkonte në negociata të mundshme për shkëmbim territoresh dukshëm më e përgatitur psikologjikisht dhe teknikisht, për të shkëputur sa më tepër llokma nga territori i Republikës së Kosovës. Kjo tregon njëherazi edhe përçarjen, infantilitetin dhe pamundësinë për t’u bërë bashkë të shqiptarëve, sa herë që ka sfida madhore. Sot lexoja që i ashtuquajturi drejtor i Zyrës për Kosovë dhe Metohi Marko Gjuric i bënte thirrje serbëve të Kosovës për t’u inifikuar rreth Listës Serbe në mënyrë që dhjetë deputetët e garantuar të kësaj liste të veprojnë sipas direktivave të Beogradit në çdo kohë dhe të sabotojnë përpjekjet për shtet-formim në Kosovë. Pra pavarësisht nga përçarjet e brendshme që kanë (përçarje që shkuan deri aty sa t’i merrnin jetën ish-liderit të Listës Serbe Ivanoviqit), kur vjen puna për t’u ballafaquar me shqiptarët janë unikë dhe front i bashkuar. Ne shpesh sillemi si suedezë me fqinjët dhe ballkanas në katrorë me njëri-tjetrin, por në fakt shqiptarëve u ka rënë për hise të jetojnë në hapësira ku politika ndjek ende ligjësitë e ashpra të nacionalizmit romantik të fundshekullit 19-të dhe nuk kemi luks të humbim dhe trenin e radhës të kapërthyer në të njëjtin in perpetum prore.