Nga Boldnews.al
Paraditen e 3 Korrikut 2019, forcat speciale policore mbërritën në Fier. Objektivi i tyre ishte 35-vjeçari Blerim Sulejmani, për të cilin autoritetet gjyqësore të Romës kishin lëshuar një urdhër-kërkimi ndërkombëtar.
Operacioni policor rezultoi i suksesshëm dhe Sulejmani u vendos në pranga, për t’u dërguar para gjykatës, ku do të njihej me dyshimet e Prokurorisë së Antimafias së Romës për aktivitetin e tij kriminal në qytetin italian.
Arrestimi i Blerim Sulejmanit u shoqërua me një njoftim të shkurtër publik, në të cilin policia theksonte se ai ishte një person me rrezikshmëri, pa specifikuar veprimtarinë e tij. Ai dyshohet për kryerjen e veprave penale të “Pjesëmarrjes në Organizate Kriminale”, “Trafikim i lëndëve narkotike” dhe “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie”.
“Boldnews.al” ka arritur të sigurojë vendimin e Gjykatës së Fierit, e cila ka lejuar ekstradimin e tij. Të dhënat janë shumë më interesante se sa për t’u përcjellë me një “njoftim të thatë” policor.
Në aktet e hetimit dëshmohet se si një shqiptar, emigrant, ka arritur të jetë një prej njerëzve më të besuar të një familjeje të njohur mafioze italiane, “Fragala”, e cila vepron në rajonin lacial, në jug të Romës.
“Njeri i besuar”
Në dokumentat e Prokurorisë së Anti-mafias së Romës, për shqiptarin 35-vjeçar, shkruhet: “Midis anëtarëve të organizatës mafioze është pikasur dhe Blerim Sulejmani (i lindur në Shqipëri, më 24/04/1984), subjekt me origjinë shqiptare (i vendosur prej kohësh në provincën e Romës). Gjatë hetimeve ka rezultuar se krerët e organizatës mafioze kishin besim maksimal tek ky individ. Madje, Sulejmani pranohej në mbledhje të rezervuara të klanit mafioz, në të cilat përpunoheshin strategji dhe/ose diskutoheshin tematika delikate kriminale”.
Sipas hetimeve të autoriteteve italiane, Blerim Sulejmani ka pasur në përgjithësi role operative. Ai, nën drejtimin e krerëve të grupit mafioz, kishte detyra të përcaktuara. Ai kryente veprime të dhunshme, për të cilat ishte veçanërisht i aftë falë shtatlartësisë së tij dhe familjaritetit me armët;
Po ashtu, Sulejmani kishte detyrë dëmtimin e personave të ndryshëm, me qëllim frikësimin, në kuadër të veprimtarisë së organizatës.
Gjithashtu, Sulejmani, sipas hetimeve italiane, është angazhuar edhe në trafik të lëndëve narkotike, si edhe ruajtjes e transportit të armëve të zjarrit.
Shqiptari me fizik të fuqishëm kishte edhe një detyrë tejet specifike. Ai ishte truproja e krerëve të organizatës në rastet kur këta të fundit zhvillonin takime e mbledhje me grupe të tjera kriminale.
Familja mafioze “Fregala”
Organizata mafioze “Fregala”, krerët e së cilës kanë si njeri të besuar shqiptarin Blerim Sulejmani, është një prej grupimeve më të fuqishme kriminale në zonën qendrore të Italisë.
Gazeta “La Reppublica”, në një shkrim të Prillit 2018, bën një radiografi të “Fregalas”, krijimin, fuqizimin dhe aktivitetin e saj.
Në të raportohet se si Sante Fragala, vëllai i boss-it Salvatore Fregala, vendos të bëhet “i penduar i drejtësisë”. në shkrimin e “La Repubblica” raportohet mbi rrëfimin që Sante Fragala ka bërë në sallën e gjyqit, ku flitet për mënyrën e të vepruarit dhe aleancat mes organizatave mafioze që veprojnë në rajonin e Lazios.
Më poshtë është shkrimi i plotë, me titullin “Ja si mafia pushtoi Jugun e Romës. Flet bosi i penduar”.
Mafiozi sicilian e thotë hapur, pa bërë lojëra fjalësh: “Këtu është shumë më e lehtë për të krijuar klanin. Rreziku për të identifikuar një organizatë mafioze është shumë i vogël”. Po flet për zonën jugore të Romës, një zonë e shkretë deri para pak kohësh, e cila shërbente si territor ku fshiheshin personat në kërkim dhe ku vriteshin ata që nuk respektonin rregullat.
Kjo ishte një mënyrë e mirë për t’u kamufluar-askujt nuk i shkonte në mendje se, pikërisht në këtë zonë, mund të ngrihej një organizatë e mirëfilltë mafioze.
Megjithatë, bosët që kanë zbarkuar vetëm dy hapa nga kryeqyteti nuk kanë thjesht objektivin për të marrë kontrollin. Ata, mbi të gjithë, kërkojnë besnikëri maksimale. Ka një proces të përcaktuar qartë për t’u bërë pjesë e organizatës dhe, në fund, një vendimmarrje nga drejtuesit.
“Bekuesi” i mafiozëve të rinj quhet Salvatore Fragala dhe jeton në zonën e Torvaianica, një qendër bregdetare rreth 30 kilometra nga Roma. I lindur në Catania, Salvatore Fragala ka mbi shpatullat e tij një karrierë të gjatë kriminale.
Kur ishte vetëm 17 vjeç, ai vrau një bashkëmoshatarin e tij me një armë gjahu, pasi dyshonte se ai (viktima) fliste me Policinë.
Më pas, “karriera” e tij ka vijuar mes dhunës dhe frikësimit. Herën e fundit, ai ka goditur me grushta dhe shkelma një sipërmarrës libanez, duke i ulëritur: “Jam kriminel i lindur, i përkas familjes kryesore kataneze. Nëse nuk më sjell paratë, do të të vras”.
Në këtë fushatë ndëshkuese, “capoja” shoqërohej nga kushëriri i tij, Vincenzo D’Angelo dhe Francesco Loria, djali më i vogël një një kapoje të mafias kataneze, i cili ishte në kërkim dhe gjeti strehë tek Fragala.
Sipas rregullave të familjes, “rrëfimi” (tek policia) është njolla më e rëndë, një tradhëti që dënohet me vdekje.
E megjithatë, ai që e theu “paktin e heshtjes” është vëllai i Salvatore Fragala, i quajtur Sante.
Ai rrezikon një dënim me 26 vite burgim për një vrasje të dyfishtë dhe ka vendosur të tregojë gjithçka për prokurorin Giovanni Musaro të Prokurorisë së Anti-mafias së Romës.
“Vëllai im dhe kushëriri im janë të lidhur me organizatën Santapaola të Katanias. Kam nisur aktivitetin me dajallarët e mi, të cilët erdhën nga Siçilia. Një prej tyre, Piero Cantella, më jepte drogë për të shpërndarë dhe transportuar”.
Dëshmia e Sante Fragala zbuloi, në këtë mënyrë, dinamikën e invazionit në portat e kryeqytetit italian, i cili e ka origjinën në periferinë jugore të vendit. Në vitin e largët 1991, bosi Cantella i vuri flakët kazermës së karabinierëve dhe, për të vrarë mareshalin në detyrë, ai ngarkoi nipin e tij, Sante, në atë kohë adoleshent, që t’i sillte një armë me precizion të lartë.
Sante Cantella i ka shkëputur lidhjet e tij me dajën Piero rreth 20 vjet më parë. Një tjetër dajë i Fragalas, Alessandro, gjendet në arrest shtëpie prej vitit 2015. Mbi të rëndon një karrierë e gjatë kriminale, ku përfshihet bashkëpunimi me njerëzit e Michele Senese, i konsideruar si “mbreti” i narkotrafikut në Romë, si edhe me “bosin” e Ostias, “don” Carmine Fasciani.
Në koloninë e tyre, në pjesën periferike të Lazios, familja “Fragala” bën pazare me të gjithë. “Mua nuk më prek askush. Në krahun tim janë sicilianët, kalabrezët dhe romanët”, thoshte Sante, para se të “pendohej”.
Takimet mafioze zhvillohen në vende të sigurta. Edhe prapa hekurave të burgut lëshohen kërcënime me vdekje dhe realizohen aleanca. Me këtë mënyrë, Gaetano Loria, krahu i djathtë i Santo Mazzei të klanit katanez të “Carcagnusi” u shndërrua në padrino të Fragalas. Ai mori familjen e tij nga Catania dhe e vendosi në Romë.
Pranë kryeqytetit, familja Loria u vendos një një ndërtesë të bukur, me lulishte, në zonën e Nuova Florida, në lagjen Ardea, dy hapa nga Torvaianica. Dy familjet, Loria dhe Fragala, bashkohet dhe jetojnë në simbiozë. Madje, shkojnë së bashku edhe në takimet periodike me familjarët e tyre në burgun e Rebibbia.
Francesko Loria, djali i bosit Gaetano, takon në burg të dënuarit romanë dhe kalabrezë. Ai takon shpesh edhe Francesco D’Agati, palermitatin e moshur, mik të Pippo Calo (anëtar i Cosa Nostra)
Gjithnjë, djali i bosit lëviz me një mjet të blinduar, i shoqëruar nga Francesko Condorelli, edhe ky i lidhur me klanin katanez të Santapaola.
Në rajonin jugor të Lazios duket se klanet mafioze po zhvillohen. Por një ditë ndodh një incident; Santo D’Agata, pjesëtar i klani të Fragalas, tenton t’ia hedhë don Carmine Fasciani, duke i marrë një ngarkesë kokaine me vlerë 80 mijë euro.
“Ne i kemi miq Fascian-ët”, vijon rrëfimin i penduari Sante Fragala. Azzura, një prej dy vajzave të “don” Carmine Fasciani, mban në komodinën e saj një foto të Danieles, djali më i vogël i familjes Fragala, i vrarë pas një sherri në vitin 2006. Edhe kur “don” Fasciani” u burgos në Rebibbia, Sante Fragala kërkoi që të qëndronin në të njëjtën qeli.
“Më do shumë ai njeri”, i shkruan me krenari Sante Fragala bashkëshortes së tij, Ausonia. Të dy qëndrojnë në pjesën e Sigurisë së Lartë të burgut dhe u duket se janë në lungomaren e Ostias. Në të njëjtin krah të burgut qëndrojnë edhe vëllezërit e ‘don” Carmines dhe djali i tij, Alessandro. Familjet Fasciani dhe Fragala janë të pandashme. Edhe në sektorin e anëtarëve femra të tyre.
Sante Fragala, nga burgu, mëson “tradhëtinë” e motrës së tij. Santo Da’Agata, njeriu që shkaktoi incidentin mes familjeve, krijoi lidhje intime me të motrën. Fragala tërbohet. “Ti je e padenjë, njëlloj si ai”, i drejtohet të motrës. “Po si e bëre këtë. Unë dua ta vras dhe ti shkon e lidhesh?”.
Për ta zgjidhur çështjen ndërhyn Gaetano Loria. Ai është një “burrë nderi”. “E bëjmë kështu, e vras unë për ty”. Plani ishte i tillë-vrasja do të kryhej sapo të arrinte të merrte një leje për të dalë nga burgu. Sante Fragala e konsideron Santo D’Agatën një “parazit”, “një mut”.
Santo D’Agata ka bërë diçka të rëndë, për të cilën meritonte pasojat. Për çështjen kërkohet edhe mendimi i bosit Salvatore Fragala. Nuk duhet të tregohej delikatesë-D’Agata duhej qërruar. Por Salvatore nuk ishte i këtij mendimi.
Por komplikacionet nuk përfundojnë këtu. Një ditë, katenezët e klanit Capello-Carateddi i dalin përpara babait të Sante dhe Salvatore Fregala, i cili ka një pastiçeri në zonën e Torvaianica.
Katanezët shfaqen në dyqan dhe bërtasin: “Djemtë e tu na detyrohen 130 mijë euro”. Dhe kështu, e marrin në makinë dhe e zbresin përgjatë rrugës Salerno-Reggio Calabria. Sante Fragala shqetësohet dhe, nga burgu ku gjendej, telefonon Tanon (Getano Mirabella), i dënuar me burgim të përjetshëm, por që gjendet në gjysëm-liri.
Në telefon komunikojnë për ta rregulluar këtë çështje. Sante, ndërkohë, tenton të sigurojë të ardhura për të paguar borxhin. Pasi sigurohen një pjesë e parave, familja ndjek udhëzimet e Romolo Casamonica, një “ekspert i fushës”. “Jepjani paratë. Dhe, pasi t’ia keni dhënë, jepini një dru të mirë dhe lërini gati të vdekur në dyert e spitalit”.
Ky është mjedisi që zhvillohet në territorin periferik të Lazios, e treguar nga “i penduari” Sante Fragala.
Kur zëri i tij mbushi sallën e gjykatës, motra e tij, e ulur në publik, kafshonte thonjtë. Ngriti shikimin drejt të dashurit të saj, Santo D’Agata, i cili tha: “Është i çmendur”!
Sante Fragala tregoi sekretet e organizatës, aftësitë e boss-ëve për të marrë territore dhe për të zhvilluar aktivitetin e tyre.