Nga Boldnews.al
Ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati debatoi me liderin Rama në mbledhjen e kryesisë së PS-së si për çështjen “Pjetri”, ashtu edhe për lënien e strukturave të partisë dhe qeverisë në Shkodër në duart e deputetit Tom Doshi dhe të individëve të tjerë me të shkuar kriminale, kryesisht në fushën e trafiqeve.
Nuk është më vetëm një problem lokal që lidhet me Shkodrën, por shumë më e thëllë, sepse çështja e vërtetë mbetet; shkrirja e PS-së si subjekt politik dhe afrimi në ‘Partinë Rilindje’, të personazheve me të shkuar dhe tashme kriminale, të cilët drejtojnë vendin, që gjenden kudo, në Parlament, bashki, qeveri dhe drejtori të rëndësishme.
Pas gjashtë vitesh qeverisje autoritare, në parti dhe qeveri, Rama e konsideron veten të superfuqishëm dhe në fakt i tillë është. I vetmi zë që doli kundër tij ishte ai i Ditmir Bushatit, që vetëm mbrëmjen e djeshme foli haptas se në PS po afrohen personazhe me rekorde kriminale dhe përgjegjësi për këtë ka Rama.
Duke iu referuar Shkodrës, ai theksoi se Valdrin Pjetri ishte i përzgjedhuri i kryeministrit, edhe pse kishte të kaluar të errët, kur iu zbuluan dokumentat nga PD që ishte i dënuar për mbajtje dhe trafikim të lëndëve narkotike e kryer në bashkëpunim.
Kjo është vetëm një pjesë e kronikës së thatë, të zhvillimeve më të fundit, por brenda PS-së që ka mbetur vetëm si logo partie, asnjë zë tjetër nuk ndihet. Të gjitha ngjajnë si “qen të rrahur” që në çdo rast janë të gatshëm që të shkojnë sërish tek i zoti, nëse ai i ndjell, i josh me një kockë, për tu vendosur më pas hallkën në qafë me një zinxhir të trashë…
Sot PS duhet të ziente, me debate parimore dhe me pyetjen e përhershme: “Përse po afishohen nga Rama në drejtimin e vendit njerëz trafikantë, të fortë, dhunues dhe individë që nuk gëzojnë reputacion të mirë në shoqëri”? Kjo është pyetja me kryesore, por shumë të tjera vijnë më pas si për mënyrën e qeverisjes, korrupsionin në nivele të larta, autoritarizmin e theksuar në çdo fushë dhe mbi të gjitha PS është kthyer në një parti ku vendos vetëm një individ.
Edhe sot Bushati mbeti i vetëm, ku është Pandeli Majko, Fatmir Xhafaj, apo Bashkim Fino, që ende pretendojnë se janë “safi socialistë”? Ata heshtin dhe mjaftohen vetëm me “autocensurën” dhe mburren se nuk janë pjesë e aferave që po ndodhin, por sërish ata më së paku kanë moralin e ulët, pasi nuk po “kallzojnë krimin” që ka ndodhur dhe po ndodh.
Po edhe nëse ata një ditë nisin të flasin, qoftë edhe mbi bazë parimesh, zëri i tyre do shuhet. Rama i ka instruktuar dhe i ka të gatshëm të gjithë çakejtë (që janë të shumtë), duke nisur nga mjaftistë, rilindas të rinj dhe idealistë të parasë. Të coptojnë vetëm më një fërshëllimë pasi i madhi ti nxjerrë nga vatha.
Kushdo që mund ti mbijetojë kundërsulmit të ashpër kryeministror, largohet nga partia, pa mbështetje, pa elektorat, pasi është i blerë dhe mbi të gjitha do anatemohen si të dërguar të opozitës.
Kjo edhe për faj të tyre, pasi u mungon kurajo dhe pse jo edhe disi morali. Bashkëjetuan me Ramën kur ai e futi vendin në historinë e trishtë ku nuk po dalim dot. Në vitet 2016-2017 Shqipëria u kanabizua, oligarkët në gjashtë vite qeverisje të Ramës rrëbyen pasurinë e të gjithë vendit, trafikantët veshën kostumin e zyrtarit, ndërsa çunat problematikë i ofronin kryeministrit pushtetin në tepsi. Edhe ata “moralistë” u bënë pjesë, qoftë edhe me heshtje.
Morali u bie, i ngjashëm me lëvizjen e Ben Blushit, një socialist që në fillim ofroi shpresë, por e katandisi partinë e tij Libra në një OJQ të vogël për ta përdoruar për interes personal. Sot ai e ka qendën në Kashar. Bën propagandën e qeverisë si drejtues i një televizioni, ndërsa herë pas herë shihet si vizitor në kryeministri, i shoqëruar me biznesmenë të mëdhenj. Ashtu kokulur përpara “Bablokut të madh” sërish i ulet, përulet dhe në fund kënaqet kur kocka e hedhur i jep mirazhin se shpëtoi nga hallka rreth qafës.
Lëvizja anti-Ramë ngjan sikur po nis nga Shkodra, por me gjasë mund të përfundojë në Kashar, aty ku propaganda dhe denigrimi kanë vetëm një qëllim; të mbajmë Ramën në pushtet me shpresë se ai do shpërndajë ca të mira materiale dhe në fund të gjithë të mbajnë radhën e gjatë për puthjen e dorës së Bablokut të Madh, me çitjane, pelevrekë, ose tërësisht cullak.