Nga Boldnews.al
Kryeministri Edi Rama sa herë fut dorën në “thesin e kandidatëve”, gjithnjë do nxjerrë një personazh me të shkuar të errët kriminale. Më të zakonshmit janë trafikantët e drogës, në Parlament i dërgoi, në krye të bashkive i vendosi dhe në drejtori të rëndësishme i emëroi. Të gjithë përzgjedhje e tij, por Rama është bërë aq pis në propagandë sa tashmë po ndryshon strategji.
Edhe ai vetë e ka të qartë se me sojin e trafikantëve, të fortëve, dhunuesve dhe grabitësve të parasë publike erdhi e mbahet në pushtet, por në kushtet ku era e “keqe” është përhapur brenda oazit të Rilindjes, Rama kërkon shpëtim në figura më pak të përlyera. Minimalisht ai kërkon që të plotësojnë një kriter: të paktën mos kenë qenë të dënuar ose proceduar për trafiqe.
Ku do i gjejë këto lloj kandidatësh? Me burrat është zhgënjyer dhe tashmë Rama do tentojë të afishojë gra në krye të bashkive të rëna, si në Shodër apo në pritje edhe në Vorë, ndërsa të njëjtën linjë mund të ndjekë edhe në administratën e lartë shtetërore.
Me gratë e përzgjedhura të tij ka një siguri që nuk do i dalin dokumenta se janë të dënuara jashtë vendit si trafikante droge apo shfrytësuese të prostitucionit. E shumta që mund tu zbulohet, në të shkuarën apo të ardhmen do jenë dyshimet për vjedhje dhe abuzim me fondet publike. Kjo akuzë nuk është problem për Rilindjen, pasi “vjedhja e parasë publike”, për qeverinë nuk quhet vepër penale…
Në Shkodër ka përzgjedhur dy gra dhe dy burra që mund të jenë kandidatë për të zëvendësuar Valdrin Pjetrin, i cili rezultoi se ishte dënuar në itali për mbajtje dhe trafik të lëndëve narkotike të kryer në bashkëpunim. Kandidatët mësohet se janë Senida Mesi, Megi Ajtyreza, Astrit Beci dhe Zef Çuni.
Mes këtyre katër kandidatëve kryeministri kërkon të qëmtojë njërin prej tyre. Në këtë rast duket se më e favorizuara mbetet Senida Mesi, por gjithsesi ajo nuk gëzon shumë reputacion në PS-në lokale të Shkodrës, sidomos pasi ndërhyri drejpëpërdrejtë me urdhër të Ramës që të zgjidhej në krye të Këshillit Bashkiak “prurja” e Tom Doshit.
Kushdo që të dalë në krye nga kjo katërshe nuk ndryshon gjë në Shkodër. Votimet e 30 qershorit nuk njihen nga opozita, ka një problem të madh juridik edhe për datën e zgjedhjeve dhe gjithashtu edhe faktori ndërkombëtar duket se po ndërgjegjësohet, për të mos e çuar deri në fund marrëzinë e votimeve njëpartiake.
Kryeministri nuk e ka problem të bëjë eksperimente me vajzat dhe gratë për ti afishuar në poste të larta. Askush nuk është kundër përfshirjes së tyre në politikat drejtuese, por kërkohen persona me integritet, karrierë dhe mbi të gjitha të gëzojnë mbështetje qytetare. Çfarë karriere dhe integritet kishin Elisa Spiropali dhe Briseida Shehaj, përkatësisht ish-drejtoreshë të Doganave dhe Tatimeve?
Spiropali iku nga Doganat duke e lënë një gropë të madhe në grumbullimin e të ardhurave, Shehaj gjithashtu njihet për sjelljen arrogante dhe dërgimin në pikën kritike të mbledhjes së tatim-taksave. Gjithashtu Spiropali konsiderohet nga opozita dhe jo vetëm si “Zonja 5 milionë euro”, që veç dyshimeve për abuzim me detyrën, i dolën edhe fakte që në konflikt të hapur interesi i kishte dhënë tendera publik vëllait dhe bashkëshortit të saj.
Sot ato cicërojnë më shumë se kushdo tjetër në propagandën e qeverisë dhe janë gati të “shqyejnë” në debate dhe klithin deri në vetmohim për të mbrojtur kryeministrin, idhullin e tyre që nuk kanë drojë ta konsiderojnë edhe si “Skënderbeu ynë”. Pikërisht me llojin e grave dhe vajzave të reja Rama e ka shtrirë disi hapjen në parti.
Si zëvendësministre kriterin e ka të qartë që të jenë të paraqitshme, të dinë të flasin rrjedhshëm pavarësisht se çfarë thonë dhe mbi të gjitha ti venë gjoksin çdo “arme” që sulmon kryeministrin. Kjo strategji duket se është lëvizja e fundit e një “gjenerali” të mbyllur në bunker dhe shpreson se me propagandë do mposhtë mposhtë luftën që i ka ardhur në prag.