Referuar lejeve të marra për rikonstruksionin e banesave pranë pushtetit lokal shqiptarët kanë harxhuar gjatë periudhës 2014-2018 mbi 144 milionë euro. Të dhënat janë referuar nga INSTAT në bazë të vlerës së lejeve të dhëna ndër vite.
Shpenzimet për rikonstruksion të banesave dhe bizneseve kanë nisur të ekspozohen pas shtrëngimeve ligjore kundër ndërtimeve pa leje në vitin 2014. Ndryshimi i ligjit ka specifikuar lejen edhe për rikonstruksione të brendshme, mosmarrja e së cilës i penalizon deri në ndjekje penale të interesuarit.
Për këtë arsye pas vitit 2014 kanë nisur te reflektohen me saktë shpenzimet që kryehen edhe për rikonstruksionin e banesave.
Vlera totale e rikonstruksioneve në ekonomi përgjatë 4 viteve te fundit arriti në 370 milionë euro, por pjesa më e madhe vlerës rreth 226 milionë euro klasifikohen si shpenzime publike që shkuan kryesisht rikonstruksione në ujësjellsa dhe godina publike.
Përgjatë katër vjeçarit të fundit vlera më e lartë për rikonstruksion në ekonominë shqiptare arriti në vitin 2017 me mbi 14 miliardë lekë ose 110 milionë euro, 6.5 miliardë lekë shkuan për rikonstruksion banesash dhe biznesesh.
Më tej përgjatë vitit 2018 shihet se vlera e rikonstruksioneve në ekonomi ka rënë me 30 për qind. Rënia është reflektuar si për bizneset ashtu edhe për banesat, teksa shihet se e njëjta tendencë ka vijuar edhe për vitin 2019.
Në tremujorin e parë vlera e lejeve të dhëna për rikonstruksione ka rënë me 41 %.
Teksa vlera rikonstruksioneve ka pësuar ulje nga viti në vit, shpenzimet për ndërtesa të reja po rriten vit pas viti.
Vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike në Tiranë, sipas INSTAT, ishte gati 18 miliardë lekë (141 milionë euro) në tremujorin e parë, nga 14.3 mld lekë në tremujorin e fundit 2018 (rritje 22%) dhe 3.3 mld lekë në T i 2018.
Dy vitet e fundit, lejet e ndërtimit kanë shënuar rritje të dukshmenë kryeqytet. Për të gjithë vitin 2018 janë dhënë leje me sipërfaqe prej 940 mijë metra katrorë, nga 521 mijë vitin e mëparshëm, me një rritje prej 80%. Vetëm në tremujorin e katërt janë dhënë leje për një sipërfaqe ndërtimi prej 456 mijë metra katrorë, ose 70% e sipërfaqes së dhënë gjithsej në vend për leje ndërtimi për këtë periudhë. Ritmi i lartë i tremujorit të katërt 2018 vijoi dhe në janar-mars të këtij viti./Monitor/