Bullizëm e dhunë në gjimnaze, si në klasa dhe jashtë saj, me dhe pa praninë e mësuesve. Këtë e vë në dukje raporti i fundit mbi punën e oficerëve të sigurisë në shkolla.
Që kur “kujdestarët” u stacionuan në mjediset e brendshme në gjimnazet kryesore të vendit, në katër muaj janë raportuar plot 265 incidente, çka përkthehet në mesatarisht dy incidente në ditë, të cilat janë zgjidhur (apo janë në proces) nga personat e punësuar këtë vit shkollor posaçërisht për këtë punë.
Në rolin e një ndërmjetësi, midis nxënësve, prindërve e mësuesve, oficerët e trajnuar kanë arritur të konstatojnë vetë më shumë se gjysmën e incidenteve të ndodhura (60,4 për qind). Një argument shtesë ky që projekti për sigurinë, qysh në vitin e parë të tij, po funksionon. Por, sa efektivë rezultojnë të kenë qenë ata?! Sipas rasteve të mbledhura, nga 265 incidente, 238 prej tyre janë zgjidhur plotësisht, ndërsa vetëm 8,3% e tyre apo 22 raste rezultojnë me zgjidhje të pjesshme.
RAPORTI
Në morinë e situatave problematike midis të rinjve, bullizmi është shqetësimi kryesor. Gati 15% të rasteve, të raportuara apo konstatuara kanë të bëjnë me këtë fenomen. Po aq problematike janë edhe kërcënimet, moszbatimi i rregullores së shkollës, vjedhjet, shantazhet e deri te dhuna psikologjike e prishja e pronës.
Lloji i incidentit me numrin më të madh të raportimit është dhuna fizike, me 36,2% të rasteve. Sipas raportit, oficerët e sigurisë janë ata që kanë konstatuar shumicën prej tyre, por nuk mungojnë edhe raportime nga nxënës, stafi pedagogjik, familjarë apo qoftë edhe roja e shkollës. Të vendosur në çdo qytet të vendit, oficerët e sigurisë, që në fakt nuk janë as policë e as mësues, janë vendosur qëllimisht persona të arsimuar të rinj, me qëllim që të gjejnë gjuhën e komunikimit me adoleshentët.
Sidoqoftë, Tirana, Shqipëria e Mesme dhe pjesa juglindore duket se kanë të rinjtë më problematikë, pasi nga këto qytete janë raportuar incidentet më të shumta në numër. Klasat, oborri i shkollës e korridoret duket se janë vendet ku ndodhin më shumë zënka. Por çudia më e madhe është se ato pranohen se ndodhin edhe në prani të mësuesve. Koha e largimit nga shkolla dhe ambientet sportive janë gjithashtu “të pëlqyera” nga të rinjtë për t’u zënë.
Por, edhe pse oficeri i shkollës është aty, jo të gjithë preferojnë të flasin me të. Më pak se gjysma e rasteve (49,5%) rezultojnë ta kenë bërë këtë, ndërsa pjesa tjetër jo. Më problematik është fakti që në 30% të rasteve, incidenti ka pasuar në lëndime fizike. Nga katër muaj vëzhgim, gati gjysma e tyre mësohet të kenë ndodhur brenda majit (45,8%), kur edhe pretendohet të jetë konsoliduar më tepër prania e oficerëve në gjimnaze.
TË DHËNAT MBI INCIDENTET
265 incidente në katër muaj, nga të cilat:
10 në ambiente sportive
35 në korridore
5 gjatë ardhjes në shkollë
66 në oborr
3 në tualet
28 gjatë largimit nga shkolla
75 në klasë me/pa mësues
44 ambiente të ndryshme
Llojet e incidenteve:
38 bullizëm
23 kërcënime
25 rregullorja e shkollës
9 vjedhje
52 raste të tjera
4 dhunë psikologjike
4 shantazhe
4 prishje e pronës
PANORAMA