Koço Kokëdhima ka nisur një luftë replikash në distancë me gazetarit Mero Baze. Në një editorial botuar sot në gazetën “Shekulli” ish deputetit Koço Kokëdhima shkruhet se Baze ka prishur ‘vëllazërinë’ me kreun e qeverisë Edi Ramën.
Në shkrim fillimisht bëhet një “skaner” i piruetave të Bazes si shërbëtor mediatik i Berishës dhe pastaj i Ramës. Më pas në funksion të “shkundjes” së kujtesës së Ramës dhe PS-së, rikthehen të gjitha të zezat që ka pas shkruar Baze për atë vetë, Gramoz Ruçin, etj.
Në fund të shkrimit pranohet për herë të parë prej tij, se ka pasur një komplot brenda kupolës së Partisë Socialiste, për heqjen e mandatit të deputetit Kokëdhima. Ja disa pasazhe interesante të marra nga ky editorial për Mero Bazen.
“Shekulli” për Mero Bazen
“Dikur funksiononte me anë të letrave anonime, si në rrëfenjat popullore, ku nënshkruesi ishte “një mik që ta do të mirën”. Atëherë punonte shërbëtor me kohë të të pjesshme. Ndërsa tani që punon shërbëtor me kohë të plotë, firmos me emër, por ka mbetur “një mik që të do të mirën”. Është i njëjti shërbëtor: Mero Baze. Ka ndërruar vetëm porositësi i shërbimeve të ulta. Nuk është më Sali Berisha dhe segmente të të djathtës, por elementë të kupolës së majtë dhe brenda qeverisë së Edi Ramës…” “…intrigonte për letra të Nanos, qypin me m…dhe guralecë, përçante drejtuesit socialist, vishte Gramoz Ruçin me fustan që të arratisej në Greqi për të mos rënë në dorë të Berishës që donte ta arrestonte, shantazhonte drejtuesit vendor…”
“Koço Kokëdhima, botues dhe politikan i respektuar, që prej vitesh ndjehet i tronditur dhe i shqetësuar për sulmet pa bazë, intrigat pa fre dhe shpifjet më të ulëta, duhet të ndjehet i përkëdhelur nga fati, kur të lexojë p.sh. se çfarë ka shkruar Mero Baze pak vite më parë për Edi Ramën, qeveria e të cilit e përdor sot. Ai është pjesë e atij detashmenti politiko-mediatik që e kanë demonizuar figurën e Edi Ramës, që kur ishte në opozitë, si një publicist i pavarur dhe më pas si kryetar bashkie. Në fletët e gazetës së tij janë botuar akuzat më të përbindshme ndaj një pushtetari vendor, figure politike dhe për më tepër një qenie njerëzorë…”
“Mero Baze është sot zëdhënësi i atyre që komplotuan kundër mandatit të Kokëdhimës, për tu dhënë mesazh deputetëve të tjerë që të mos dalin nga rreshti dhe të bënin siç urdhëron kupola e partisë, edhe pse ky është vullneti i elektoratit…Shërbëtori Mero shpërblehet sot, falë shërbimeve si maskë me pagesë në llogari të luftërave të brendshme në PS dhe kampin e shumicës”