Ekspertët e ekonomisë thonë se vendimi i fundit Qeverisë së Maqedonisë për të marrë hua në vlerë prej më shumë se 600 milionë eurosh, është tregues i qartë se arka e shtetit është boshatisur tërësisht. Dhe, për të mos i ulur pagat e administratë dhe pensionet në prag të zgjedhjeve, Qeveria vendos të marrë hua.
Qeveria e Maqedonisë ka njoftuar se do të japë euro- obligacione me afat prej 10 vjetësh me vlerë prej 650 milionë eurosh pa bërë të ditur se cila do të jetë norma interesit.
Me huamarrjen e re të paralajmëruar, borxhi publik do të kalojë 5 miliardë euro dhe do të jetë 54 për qind e PBV-së.
Arben Halili, njohës i çështjeve ekonomike, thotë për Radion Evropa e Lirë se situata ekonomike në Maqedoni hyn në një fazë të errët ekonomike, meqë askush më nuk dëshiron t’i japë borxh Maqedonisë duke tërhequr dhe mjetet e fondeve IPA të Bashkimit Evropian tani pushteti aktual detyrohet të marrë borxh edhe me norma shumë të larta të interesit.
Sipas tij, qytetarët e Maqedonisë do të paguajnë kosto të lartë për sjelljet e megalomane të Qeverisë.
“Ky shtet për shkak të politikave joproduktive, jo zhvillimore dhe për shkak të investimeve katastrofale të bëra në infrastrukturë joproduktive, përkatësisht në përmendore dhe objekte, të cilat aspak nuk e ndihmojnë, por e godasin zhvillimin e ekonomisë, përpos që u ka shkaktuar një përfitim të vogël kompanive ndërtimore, ka çuar në paralizimin e çdo veprimtarie në Maqedoni. Kështu ka vënë në pikëpyetje dhe funksionimin e sistemit pensional, atij shëndetësorë tani dhe edhe pagat e administratës”, vlerëson Halili.
Ndaj vendimit të fundit të Qeverisë së Maqedonisë kanë reaguar ashpër dhe partitë politike në opozitë, sipas të cilave, pushteti, për ta shpëtuar veten, është duke fundosur të ardhmen e qytetarëve të Maqedonisë.
Partia Maqedonase në opozitë, Lidhja Social – Demokrate e Maqedonisë ka theksuar se përderisa Marrëveshja politike e Përzhinos konsiderohet se është në fuqi, për marrjen e huas, Qeveria aktuale duhet të konsultohet dhe të marrë pëlqim dhe nga opozita
“Pozita zëvendësministër plotësues i Financave, sipas Ligjit aktual për qeverinë e zgjeruar, akoma është në fuqi. Për faktin se aktualishtnuk ka asnjë emër në atë post, nuk do të thotë se dikush mund të bëjë çfarë të dëshirojë. Përkatësisht, duhet të gjendet një modalitet si të merret konfirmim nga opozita, nëse pajtohet me huamarrjen e tillë, në të kundërtën del qartazi në pah se këto mjete merren për t’i korruptuar zgjedhjet “, thekson Kire Naumov nga Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë.
Edhe partia E Majta, u ka bërë thirrje të gjitha bankave të huaja që të mosblejnë euro-obligacionin, përkatësisht të mundësojnë kredimarrjen.
Por, partia maqedonase në pushtet VMRO – DPMNE e cila udhëhiqet nga ish-kryeministri Nikolla Gruevski, thotë se vendimi i Qeverisë për të marrë hua në vlerë prej 650 milionë eurosh, është si rrjedhojë e krizës politike, të cilën e ka shkaktuar pikërisht opozita maqedonase.
Për shtatë vitet e fundit përfshi këtu dhe 650 milionë eurot e fundit, të marra kredi, Maqedonia, vetëm përmes euro-obligacioneve ka marrë1.6 miliardë euro borxh, edhe atë pa e llogaritur interesin./REL