“Nënshkrimi i marrëveshjes në fushën e mbrojtjes shoqërore midis Republikës së Shqipërisë dhe Kanadasë është ndihmë dhe mbështetje për të gjithë qytetarët tanë që kanë vite që kontribuojnë në shtetin Kanadez por edhe kanë vite pune të realizuar në Shqipëri”, shprehet Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Ottawa, Ermal Muça.
Në një intervistë për FlasShqip, ai jep detaje mbi këtë marrëveshje për të kuptuar më tepër se ç’përfitojnë shqiptarët që kanë patur, kanë apo do të kenë marrëdhënie pune me Kanadanë.
Ambasador, prej rreth tre muajsh mes Shqipërisë dhe Kanadasë u nënshkrua marrëveshja për mbrojtjen shoqërore. Nga komentet e lexuesve të FlasShqip vumë re se kishte interes të jashtëzakonshëm mbi të, por gjithashtu edhe dyshime e konfuzion. Do donim të flisnim pak më gjerë rreth detajeve të këtij dokumenti mirëkuptimi mes dy vendeve?
Fillimisht, nëpërmjet “Flas Shqip” dëshiroj të përcjell një përshëndetje të përzemërt për lexuesit, bashkëatdhetarët tanë dhe çdo familje shqiptare në Kanadanë mike. Përfitoj nga ky rast t’ju uroj një verë sa më të bukur e pushime të mbara në Atdhe pranë familjeve, miqve e të afërmve apo kudo ku keni përzgjedhur të pushoni. Ata të cilët ndodhen apo parashikojnë të udhëtojnë në Shqipëri, i ftoj miqësisht të bëhen pjesë e konkursit “Colours of Albania”, edicioni 2019, duke shkrepur foto të bukurive të Atdheut dhe publikuar ato me #ColoursofAlbania2019. Në vijim të interesit të madh të shfaqur ndaj kësaj iniciative kaq të bukur për promovimin e Atdheut, përfaqësia do të vazhdojë të publikojë në aktivitete të ndryshme fotot më të mira të përzgjedhura nga një juri profesioniste.
Siç, jeni në dijeni, më 30 prill të këtij viti pata nderin dhe privilegjin të nënshkruaj së bashku me Ministren e Punëve të Jashtme të Kanadasë, znj. Chrystia Freeland, Marrëveshjen për mbrojtjen shoqërore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Kanadasë dhe Rregulloren Administrative për zbatimin e saj. Kjo ceremoni u parapri nga një komunikim intensiv e bashkëpunim i ngushtë me autoritetet vendase, duke mundësuar realizimin e të gjitha procedurave të nevojshme e hallkave të duhura administrative. Përfitoj nga ky rast të ritheksoj mirënjohjen ndaj të gjithë institucioneve dhe autoriteteve kanadeze të përfshira, veçanërisht ndaj Ministres së Jashtme, znj. Freeland, për realizimin e nënshkrimit të kësaj marrëveshje të rëndësishme ndërmjet dy vendeve tona.
Në ç’fazë administrative ndodhet tani marrëveshja?
Kam kënaqësinë të vë në dukje se me Vendimin përkatës të Këshillit të Ministrave marrëveshja i ka kaluar Kuvendit të Shqipërisë për procedurat e mëtejshme të ratifikimit. Në të njëjtën fazë ndodhet edhe në Kanada. Në këtë marrëveshje secili vend do të zbatojë legjislacionin e zbatueshëm të vendit të tij në fushën e mbrojtjes shoqërore. Për Kanadanë kjo do të aplikohet sipas Aktit të Sigurimeve për të Moshuarit dhe rregulloret e tij dhe Planit Kanadez të Pensioneve dhe rregulloret e tij. Për Shqipërinë, sipas Ligjit mbi sigurimin shoqëror të detyrueshëm, rregulloreve dhe rregullave në lidhje me përfitimet e pleqërisë, invaliditetit dhe familjare.
Çfarë parashikon kjo marrëveshje më konkretisht?
Ka rëndësi të theksohet fakti se kjo përbën marrëveshjen më bashkëkohore duke përfshirë të gjithë elementët e nevojshëm të kësaj fushe. Kështu, një nga parimet bazë është se secila palë siguron Trajtim të Barabartë për çdo person i cili është apo ka qënë subjekt i legjislacionit të Palës tjetër dhe çdo person të cilit mund t’i rrjedhin përfitime nga personi i parë, është subjekt i detyrimeve dhe ka të drejtën për çdo përfitim të dhënë nga legjislacioni i Palës së parë, në të njëjtat kushte si shtetasi i Palës së parë. Parim tjetër i rëndësishëm është Eksportimi i Përfitimeve, i cili ka të bëjë me transferimin e pensionit aty ku e kërkon përfituesi. Pra nëse një përfitues e gëzon pensionin në Shqipëri dhe tani jeton në Kanada atëhere ky përfitim do të dërgohet në Kanada në bazë të kërkesës së tij dhe anasjelltas që çdo përfitim i lindur në Kanada do të dërgohet në Shqipëri.
Marrëveshja përmban edhe nenet e Përjashtimit për personat e dërguar me punë nga njëra pale në territorin e palës tjetër dhe do të kryejë punë për interes të palës dërguese, atëherë ky person do të jetë i përjashtuar nga derdhja e sigurimeve shoqërore në territorin e palës tjetër, për një periudhë maksimumi 12 muaj (të cilat janë të zbërthyera në nenet 6-9).
Çfarë parashikohet për ata qytetarë që kanë vite punë edhe në Shqipëri edhe në Kanada?
Marrëveshja parashikon Bashkimin e Periudhave. Kur një person nuk ka të drejtën për një përfitim për shkak të periudhave të vlefshme, të pamjaftueshme sipas legjislacionit të një Pale, atëherë ajo Palë do të përcaktojë të drejtën e atij personi për përfitim duke mbledhur periudhat e vlefshme, të palës tjetër me kusht që këto periudha të mos mbivendosen. Për të përcaktuar të drejtën për një përfitim sipas Aktit të Sigurimeve për të Moshuarit, Kanadaja do të konsiderojë periudhën e sigurimit sipas legjislacionit shqiptar si periudhë banimi në Kanada. Për të përcaktuar një përfitim bazuar në Planin Kanadez të Pensioneve, Kanadaja do të njohë një vit kalendarik që përfshin të paktën 90 ditë dhe që janë periudha të vlefshme sipas legjislacionit shqiptar si një vit kalendarik i vlefshëm sipas Planit Kanadez të Pensioneve.
Po Shqipëria si do ta përcaktojë të drejtën për një përfitim për pleqëri, invaliditet apo familjar?
Shqipëria do të njohë një vit kalendarik që është periudhë e vlefshme sipas Planit Kanadez të Pensioneve si 12 muaj që janë të vlefshëm sipas legjislacionit shqiptar;
Shqipëria do të njohë një periudhë gjatë të cilës është paguar një përfitim invaliditeti bazuar në Planin Kanadez të Pensioneve si periudhë e vlefshme sipas legjislacionit shqiptar, nëse ajo periudhë e pagesës së përfitimit të invaliditetit nuk mbivendoset me një periudhë të vlefshme bazuar në Planin Kanadez të Pensioneve.
Shqipëria do të njohë një periudhë të vlefshme bazuar në Aktin e Sigurimeve për të Moshuarit të Kanadasë si periudhë e vlefshme sipas legjislacionit shqiptar, nëse ajo periudhë e vlefshme sipas Aktit të Sigurimeve për të Moshuarit nuk mbivendoset me një periudhë të vlefshme sipas Planit Kanadez të Pensioneve ose si një periudhë gjatë të cilës është paguar një përfitim invaliditeti sipas Planit Kanadez të Pensioneve.
Po në rastet kur një qytetar ka punuar sipas kushteve ligjore edhe në një vend të tretë, le të themi Itali, a do të llogariten këto vite?
Sipas kësaj marrëveshje, periudhat e plotësuara sipas Programit të një Shteti të Tretë në rastin kur një person nuk ka të drejtë për një përfitim bazuar në periudhat e vlefshme sipas legjislacionit të palëve do të merren në konsideratë edhe periudhat e vlefshme të plotësuar sipas programit të një shteti të tretë me të cilin të dy vendet kanë marrëveshje dhe parashikojnë bashkimin e periudhave.
Faleminderit z. Muça për këto shpjegime të vlefshme. Na mbetet tashmë të presim fillimin e praktikave për të parë më konkretisht zbatimin e kësaj marrëveshje dhe pasojat e saj në jetën e qytetarëve të interesuar e subjekt i kësaj marrëveshje. /Marrë nga “Flasshqip”