Nga Boldnews.al
Dëshmia e dy drejtuesve të lartë të Policisë para gjykatës së Tiranës të Mërkurën, forcoi më tepër dyshimet se çështja e njohur si “Babale” është një skenar i hartuar dhe realizuar nga zyrtarë të lartë të Ministrisë së Brendshme, në tentativë për të shpëtuar Agron (Geron) Xhafaj, vëllain Fatmir Xhafajt, ministrë i Brendshëm në kohën kur shtetasi Albert Veliu e akuzoi për përfshirje në trafik narkotikësh.
Dy drejtuesit e lartë të Policisë së Fierit në atë kohë, drejtori i Qarkut, Albert Nushi dhe zëvendësi i tij, Andon Marko, u paraqitën si dëshmitarë në procesin “Babale”. Ata sqaruan njohjen dhe kontaktet e tyre me shtetasin Fredi Alizoti, i cili ka deklaruar në Prokurori se është ai që ka luajtur rolin e Agron (Geron) Xhafaj, në bisedën e regjistruar audio me Albert Veliun (Babalja).
Në këtë çështje janë marrë të pandehur për kallëzim të rremë;Albert Veliu, i cili deklaron se ka komunikuar me Agron (Geron) Xhafaj për trafikimin e një sasie narkotikësh nga Shqipëria drejt Italisë; gazetari Jetmir Olldashi, i cili i ka dhënë Veliut pajisjet me të cilën është regjistruar biseda; ish-deputeti demokrat, Ervin Salianji, si personi që publikoi audio-regjistrimin nga selia e Partisë Demokratikë; si edhe Fredi Alizoti, një personazh i dyshimtë, i cili ka deklaruar para zyrtarëve policorë se ka luajtur rolin e Agronm (Geron) Xhafaj në audio-regjistrim.
Sipas dëshmive të zyrtarë policorë në gjykatë, Alizoti, banor i Fierit, ka kontaktuar me drejtorin e Qarkut, Albert Nushi, të cilit i ka treguar se ai ka luajtur zërin e Agron (Geron) Xhafaj në një audio-regjistrim të publikuar pak ditë më parë nga Partia Demokratike.
Në atë audio-regjistrim, shtetasi Albert Veliu komunikon me një person tjetër, për të cilin thotë se është Agron Xhafaj, për trafikimin e një sasie narkotikësh.
Ish-drejtuesi i Policisë së Fierit, sot drejtues i Policisë në Elbasan, Albert Nushi, deklaroi para gjykatës se mbrëmjen e së dielës, 1 Qershori 2018, kishte shoqëruar me automjetin e tij shtetasin Alizoti nga Fieri, në drejtim të Prokurorisë për Krime të Rënda, ku do të takohej me prokurorin e çështjes, Gentjan Osmani..
Në automjet, bashkë me ta, ishte edhe zëvendësi i Nushit, Andon Marko. I pyetur nga avokatët se sa automjete ka në dispozicion Policia e Fierit dhe përse duhej që Alizoti të shoqërohej nga dy drejtuesit më të lartë të asaj strukture, Nushi u përgjigj: “Policia e Fierit ka rreth 100 automjete. Unë e mora në mjet Fredi Alizotin, pasi kisha rrugën në Tiranë dhe që të mos konsumohej karburant i institucionit”.
Pas kësaj përgjigjeje absurde, avokatët pyetën Nushin nëse ai dhe vartësi i tij, Andon Marko, ishin ngarkuar me urdhër nga prokurori Gentian Osmani për të ndjekur hetimin e çështjes “Babale”. Dy zyrtarët policorë pranuan se nuk kanë pasur “asnjë urdhër delegimi zyrtar për kryerje veprimesh proceduriale nga prokurori Gentian Osmani”.
Pra, nuk ka pasur asnjë akt zyrtar që ngarkonte Albert Nushin dhe Andon Markon për të kryer veprime. Por, sipas tyre, “prokurori Gentian Osmani na ka deleguar kryerjen e veprimeve me anën e komunikimeve verbale”.
Drejtuesit e rëndësishëm të Policisë së Shtetit nuk ishin në gjendje të përgjigjeshin se përse dy zyrtarë shumë të lartë policorë, pa asnjë urdhër delegimi, kryejnë veprime hetimore. Gjithashtu, ata iu shmangën pyetjes se përse kishin treguar zell të tepruar, për të komunikuar e shoqëruar “dëshmitarin” Fredi Alizoti, kur këtë detyrë mund ta kryenin strukturat e varësisë së tyre.
Në dëshminë e tij, Nushi dha edhe një detaj, të cilin nuk e kishte deklaruar kur ishte pyetur në Prokurori. Ai tregoi se 1 Qershor 2018, pasi kishte dërguar Alizotin në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për të takuar prokurorin Gentian Osmani, kishte zhvilluar një takim me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Ard Veliu.
Pas këtij takimi, kishte komunikuar sërish me Alizotin, i cili i kishte deklaruar se kishte mbaruar punë tek Krimet e Rënda dhe tani i duhej të shkonte deri tek “Xhamlliku”, një zonë rreth 3 kilometra larg godinës së Prokurorisë.
Nushi i ishte gjendur Alizotit dhe e kishte marrë me makinën e tij për ta dërguar në destinacionin që kërkonte “dëshmitari”. Para se të ndaheshin, Drejtori i Policisë i kishte dhënë Alizotit një sasi lekësh, pasi i kishte ardhur keq “se nuk kishte ku të flinte atë natë”.
Albert Nushi shpjegoi edhe për një episod tjetër, ku ai komunikon me Fredi Alizotin dhe lënë së bashku një takim në hyrje në Tiranës. Nushi nuk mundi të arrinte në këtë takim dhe, në vend të tij, dërgoi zëvendësin e asaj kohe, Marko.
I pyetur nga avokatët e të pandehurve se cili ishte qëllimi i këtij takimi, Nushi u përgjigj shkurt: “Për qejf, për kafe”. Kjo përgjigje nxiti pyetjen e radhës së një prej avokatëve: “Por, përse e deleguat kënaqësinë e të pirit kafe me Alizotin tek vartësi juaj, Andon Marko?” Natyrisht, kjo pyetje me nota të theksuara ironie nuk mori një përgjigje të saktë nga dëshmitari Albert Nushi.
Gjatë dëshmisë së tyre, dy oficerët e lartë policorë u munduan të sqaronin se kryerja e të gjithë veprimeve e tyre në çështjen “Babale” u ishte ngarkuar nga prokurori Gentian Osmani.
Madje, ishin këta drejtues policie që i kishin sugjeruar prokurorit Gentian Osmani që të vinte nën përgjim Fredi Alizotin, për faktin se ata nuk kishin forca të shumta në dispozicion për ta mbajtur nën mbikqyrje.
Nën sugjerimin e zyrtarëve të lartë policorë, prokurori Gentian Osmani urdhëroi vendosjen nën përgjim të Alizotit. Por, siç rezultoi nga disa përgjime të bëra publike pak muaj më parë, duket se shefat e Policisë e kishin harruar që Alizoti ishte në përgjim dhe komunikonin në telefon lirshëm dhe të dyshimtë.
Në një prej këtyre përgjimeve, rezulton se Alizoti komunikon me Albert Nushin dhe i thotë që “kam gjëra interesante për çështjen”. I pyetur nga avokatët në seancën gjyqësore se për çfarë “gjërash interesante” bëhej fjalë, Albert Nushi u përgjigj prerë: “Për çështje policore, për informacione me interes për Policinë, por jo për çështjen konkrete që po diskutohet në këtë sallë.
I pyetur nëse Fred Alizoti ishte një bashkëpunëtor i Policisë, pra person që përdoret nga Policia për çështje të ndryshme, Albert Nushi e pohoi këtë gjë. Pra, Alizoti, “dëshmitari” i çështjes “Babale”, sipas deklarimeve të zyrtarit të lartë Nushi, rezulton të ketë qenë “bashkëpunëtor” i Policisë për çështje të ndryshme, para publikimit të audio-regjistrimit ku dyshohet se është Agron (Geron) Xhafaj.
Dëshmitari Andon Marko, aktualisht drejtor i Policisë së Fierit, u pyet edhe për një përgjim të datës 5 Tetor 2018, ndërmjet tij dhe Fredi Alizotit. Gjatë bisedës mes tyre, Marko i thotë Alizotit se do të takohen pas disa ditësh. Por Alizoti i përgjigjet se nuk mund të takoheshinn pas disa ditësh, pasi atë “e kishin njoftuar nga lart dhe po bënte rrobat gati”.
Avokatët e pyetën Markon nëse ai arriti të kuptonte që Alizoti po i thoshte në mënyrë indirekte se do të arrestohej, drejtuesi i lartë policor deklaroi: “PO”.
Dhe, në fakt, Fredi Alizoti u arrestua në bazë të një urdhëri të lëshuar nga prokurori Osmani një ditë më pas, në 6 Tetor. Zyrtarët policorë, të pyetur në seancë, nuk dhanë një shpjegim shterues se ku e dinin, si ata, si Alizoti, që ndaj këtij të fundit do të nxirrej një urdhër ndalimi nga Prokuroria një ditë më pas.
Në kushte normale, Nushi dhe Marko nuk mund të kishin dijeni për veprimet e prokurorit Gentian Osmani, pasi ata nuk ishin oficerët që ndiqnin zyrtarisht rastin. Akoma më tepër, Fredi Alizoti nuk duhej të ishte në dijeni të një urdhër-ndalimi ndaj tij, pasi rrezikonte ikjen.
Por, siç rezultoi në seancën gjyqësore, për arrestimin e Alizotit ishin në dijeni një ditë para nënshkrimit të urdhërit nga prokurori Gentian Osmani, si zyrtarët e lartë policorë të Fierit, ashtu edhe “dëshmitari”, i cili duket se ka qenë i përgatitur për arrestimin e tij.
Dëshmitari Andon Marko, për këtë moment, deklaroi se “unë e dija që do të arrestohej, por i thashë që do të takoheshin pas disa ditësh, për t’i dhënë kurajo, për të mos u demoralizuar”.
Nga dëshmitë e Nushit dhe Markos në seancë, rezultoi se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ard Veliu, informohej në dinamikë për zhvillimet e hetimit të dosjes “Babale”. Albert Nushi u pyet nga avokatët nëse ishte në dijeni që drejtori i Policisë, Ard Veliu, dëshmon të njëjtin interes për çdo hetim tjetër penal.
Nushi deklaroi se nuk kishte dijeni për çështjet e tjera. Por, për rastin konkret, ai deklaroi se e kishte informuar Veliun, me iniciativë apo me kërkesë të atij të fundit.
Për raportet e Albert Nushit me “shefat” e tij, është edhe një episod i përgjuar në datën 7 Qershor 2018. Në një ndër bisedat me Albert Nushi, “dëshmitari” Alizoti insiston të takojë “shefin e madh”.
Pas këtij insistimi, drejtori i Policisë së Fierit, Nushi i përgjigjet Alizotit: “Shefi i madh nuk është këtu, është jashtë, por i ka deleguar ATO kompetencat”.
I pyetur nga avokatët për këtë episod, si edhe për faktin se cili është “shefi i madh” me të cilin kërkonte të takohej me doemos Fred Alizoti, dëshmitari Nushi deklaroi se “nuk e mbante mend këtë episod. Por, sipas tij, shefi i madh i tyre, sipas ligjit, është Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ard Veliu.
Po ashtu, avokatët e pyetën Nushin se cilat ishin “Ato kompetencat që kishte deleguar shefi i madh” dhe nëse ai vete kishte delegim kompetencash me shkrim nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ard Veliu për këtë rast, sipas bisedës që kishte zhvilluar me Alizotin në telefon.
Zyrtari i lartë, Albert Nushi, u shpreh se nuk e mbante mend se për çfarë kompetencash bëhet fjalë në këtë bisedë dhe “nuk mbaj mend nëse kam pasur një urdhër për delegim kompetencash nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë”.