Në Tiranë, një grup deputetësh të Partisë Socialiste ndërmorën një nismë për shkarkimin e zotit Arben Malaj nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë për shkelje të Kodit të Etikës.
Në një intervistë sot për Zërin e Amerikës, zoti Malaj, një profesor i njohur i ekonomisë, thotë se i njeh mirë kufizimet etike të profesionit, si dhe liritë e tij qytetare, ndaj do të ndjekë rrugën institucionale. Zoti Malaj thotë se ai përherë është shprehur publikisht për problemet ekonomike që ka vendi, dhe beson që ato mund të zgjidhen me diskutim dhe jo me heshtje.
Me zotin Malaj, bisedoi korrespondenti ynë në Tiranë, Ilirian Agolli:
Zëri i Amerikës: Profesor Malaj! Sapo mësuam për një nismë të një grupi deputetësh socialstë për largimin tuaj nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë. Cili është reagimi juaj i parë lidhur me këtë nismë?
Arben Malaj: Do të kërkoja mirëkuptimin tuaj që gjithë argumentat dhe detajet të mbeten pjesë e një ballafaqimi në Komisionin e Ekonomisë me nismëtarët e kësaj nisme. Këtë nismë unë e gjej të pavend nga pikëpamja profesionale, nga pikëpamja juridike. Arsyet mbeten për t’u verifikuar. Pas një angazhimi 32 vjeçar publik, akademik dhe pjesë e madhe politike, nga ana ime garantoj mbi të gjitha integritetin njerëzor, së dyti profesionalzimin e thellë, duke investuar për një arsimim sa më të mirë, dhe e treta një ndjenjë dashurie për vendin tim. Kështu duke patur këto 3 avantazhe në vetvete, besoj se gjithçka tjetër mbetet thjesht dhe vetëm politike. kjo më bën të qetë në një ballafaqim institucional, por jo në krijimin e një zhurme, sepse kemi aq shumë zhurma në Shqipëri sa një zhurmë tjetër më shumë dëmton se sa ndihmon.
Zëri i Amerikës: Zoti Malaj, ju pretendoi se nuk e keni shkelur Kodin e Etikës, por ju shpesh merrni pjesë në polemikat e kryeqytetit dhe për këtë keni tërhequr vëmendjen e publikut.
Arben Malaj: Jam i sigurtë se nuk e kam shkelur Kodin e Etikës. Unë i njoh kufizimet e Kodit të Etikës; pra, unë nuk bëj komente mbi bendimet e bordit të Bankës së Shqipërisë. Edhe në rastet kur mund të kem votuar kundër, nuk kam dalë në publik të them nëse kam votuar kundër, që të mos krijoj perceptime të gabuara te publiku dhe të mos krijoj panik. Kjo është përgjegjësia ime e madhe dhe ky është testi i etikës. Pra, një etikë e rënë në një Bankë Qendrore do të thotë të kesh thyer besimin e depozitorëve, të kesh luhatur monedhën kombëtare, të kesh vështirësuar kanalet e kreditimit të ekonomisë, të japësh mesazhe të paqarta në opinionin publik.
Zëri i Amerikës: Zoti Malaj, 6-7 muaj më parë deputetët socialistë votuan për t’iu rizgjedhur juve në këtë këtë detyrë. Ndërsa kanë një nismë për t’iu larguar. A mendoni se ka një shtytje politike në këtë mes?
Arben Malaj: Ky është një rast për të diskutuar mbi Kodin e Etikës dhe unë e kam kërkuar që Banka e Shqipërisë të demokratizojë qeverisjen e saj dhe një prej pikave është edhe Kodi i Etikës. Ballafaqimi nëse është shkelur apo jo Kodi i Etikës duhet bërë nga institucioni për të cilin një zyrtar është mandatuar. Argumentat që pashë atje mu dukën joprofesionale, joligjore, por me nuanca të qarta të një hakmarrje politike. nëse kjo hakmarrje vjen ngaqë unë jam shprehur në mes lirisë dhe karrigeve kam zgjedhr gjithmonë lirinë, para se të jem anëtar i bordit të Bankës së Shqipërisë jam qytetar i vendit tim, jam banor i lagjes time; nëse diçka nuk bëhet mirë në qeverisjen e vendit dhe të bashkisë, në luftën politike të vendit, unë shprehem dhe do të shprehem gjithmonë publikisht.
Zëri i Amerikës: Cili është problemi kryesor që doni të veçoni në shoqërinë e Shqipërisë?
Arben Malaj: Unë besoj se ashtu si studentët për herë të parë i zgjuan shqiptarët, pas 97-s, si ndërgjegjësim popullor, ishte ajo për armët kimike dhe pas kësaj pati një periudhë nënshtrimi të përgjithshëm ose vetpranimi, dhe ajo që është më e keqja dhe i lutem të rinjve të vendit tim është rruga e gabuar e largimit dhe të mos qëndrojnë këtu për t’u bërë pjesë e ndryshimit.
Zëri i Amerikës: Nuk dëgjohen të debatohen çështje ekonomike, sociale, nevojat e përditshme të jetesës së qytetarëve. Pse?
Arben Malaj: Njerëzit kanë nevojë të mposhtin papunësinë dhe sigurojnë një jetë më të mirë. Parakusht është edhe një reformë në sistemin gjyqësor, si domoshmëri për të ndryshuar situatën dhe për të krijuar një shpresë, qoftë edhe për 10 vite. Brenda një dekade lidershipi pozitë – opozitë mund të ngrejnë institucione. Shqipëria ndodhet në fazën që pasi ka bërë rrugëtimin e parë të tranzicionit, me ato themele arriti deri këtu. Shqipëria don të bëhet një vend europian. Themelet e pushtetit gjyqësor, ato të balancimit dhe ndarjes së pushteteve, themelet e një administrate publike sa më profesionale, themelet e pronës private, themelet e mirëqeverisjes duhet të jenë më të forta, se nuk e mbajnë dot peshën e standarteve europiane. Përparësi duhet të jenë reforma strukturore, jo veprime me aksione.
Kur u krye reforma e energjisë, ndërgjegjësimi për pagimin e faturave, u ndoq rruga e penaliteteve. U arrit një produkt i vogël. Nuk u zbatua këshilla që para se të nisësh një reformë, kujdesu se kë mund të lësh pa mundësi jetese, se njeriu po nuk pati drita dhe ujë, mund të mos jetojë. Tani jemi sërish përballë sfidës që do të përmirësojmë administrimin fiskal. Unë jam plotësisht dakord; është një prioritet i rëndësishëm. Në vendet ku ka opozitë dhe oponencë zyrtarët nuk luajnë dot me taksat dhe nuk i ngrenë shpesh dhe fokusohen më shumë tek përmirësimi.
Zëri i Amerikës: Zoti Malaj, ne më herët kishim biseduar për një intervistë mbi raportin e Departamentit të Shtetit mbi klimën e biznesit në botë, pjesa për Shqipërinë. Cili është mendimi juaj për komentet e atij raporti?
Arben Malaj: Përpara se të dilte raporti i Departamentit të Shtetit ishim një grup ekonomistësh që bëmë një apel publik; i kërkuam politikanëve të vendit tonë dhe gjithë institucioneve kushtetuese të marrin përgjegjësi dhe të ndërpresin ciklin e krizës politike. duam apo nuk duam ne, ekonomia e vendit tonë edhe në skanerin e Departamentit të Shtetit, edhe në skanerin e FMN-së edhe në skanerin e Bankës Botërore edhe në skanerin e zmerës së çdo shqiptari po shkon drejt një varfërimi shpirtëror, i cili më pas kthehet në një varfërim ekonomik e social, që krijon varfëri në rritje, pabarazi në rritje, paqëndrueshmëri politike. nëse thjesht për të mbajtur një karrige do të heshtja, ajo që do të virshte shpirtërisht do të ishte mosmirënjohja ime me heshtje për publikun shqiptar që tek unë dhe tek shumë politikanë dhe ekspertë shqiptarë ka vite që investon për ta ndihmuar që të parandalojë krizat, të dalë shpejt nga krizat, dhe që të krijojë shpresë.
Varfërimi më i madh që po ndodh në Shqipëri është humbja e perspektivës. Ka rënë shpresa, janë përkeqësues pritshmëritë. Nuk ka humbje më të madhe për një komb, është njësoj sikur të të ikë fëmija nga shtëpia. Janë 280 mijë të tjerë që parashikohet të largohen. Sado të përdorësh teknologjitë e reja, nuk ka bend që mund të zhvillohet nëse i pakësohen burimet humane dhe sociale. Si të mos reagosh për këto? Si të mos reagosh për risqet që ka kapja e shtetit? Si të mos reagosh për risqet që ka arroganca, për risqet që ka babëzia? Si të mos reagosh se çfarë duhet dhe mundet të bëhet më mirë? Shqipëria duhet nxjerrë nga ky cikël.
Zëri i Amerikës: Zoti Malaj, ju jeni shprehur disa herë edhe lidhur me polemikën më shumë se njëvjeçare për Teatrin Kombëtar?
Arben Malaj: Për Teatrin Kombëtar, sigurisht kam dhënë një mbështetje dhe do ta jap. Ajo që mua më shqetësoi ishte mungesa e transparencës, si dhe ai pingpongu i hedhjes së kompetencave herë te qeveria e herë te bashkia. Më shqetësoi shumë qëndrimi pas zgjedhjeve i kryetarit të bashkisë, i cili deklaroi se ishte penduar që nuk u angazhua më shumë me Teatrin, pra ta shembte më shpejt. Tirana ka mijëra të varfër, Tirana ka zona me pamundësi zhvillimi, Tirana njerëz që flenë pa bukë, Tirana ka familje pa drita e pa ujë. Nëse kryetari i bashkisë paska shqetësimin e tij më të madh që nuk paska çuar deri në fund projektin për Teatrin, kjo është shqetësuese. Nëse dikush nuk ia thotë, dikush e përkëdhel, dikush e sheh me frikë nëse ka ambicje për karrierë si kryetar partie apo kryeministër, kjo do të thotë që ne të ripërsëritim modelet e këqija të qeverisjes së vendit tonë.
Zëri i Amerikës: Zoti Malaj, çfarë do të theksoni për nevojat që ka aktualisht ekonomia shqiptare, si dhe për administrimin e përditshëm si tatime, dogana dhe shërbime të tjera, të cilat janë vazhdimisht nën reforma?
Arben Malaj: Po, ja vetëm tani në vitin 2019 administrata e tatimeve ka patur 3 drejtorë. Për 7 muaj 3 drejtorë. Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, i Doganave, i Pronave i Antikorrupsionit duhet të jenë personalitete publike dhe me vizion. Ata nuk janë teknokratët më të mirë, por kanë mbështetje politike e profesionale dhe në qarqet e biznesit dhe bëjnë reforma. Nëse i trajtojmë ata në bazë të shifrave të planit, kjo është e gabuar.