Në të vërtetë “klithmën” e parë serioze të sëmundjes ishemike, zemra e Enverit e pati dhënë gjatë orëve të natës në mesin e korrikut 1973, ndërkohë që ai po pushonte në plazhin e Durrësit.
Unë kisha vetëm pesë ditë që isha emëruar dhe ardhur aty si mjek i tij. Sulo Gradeci më pati vendosur aty pranë në një dhomë pa telefon të “stabilimentit”, siç quhej vendi, ku në mbrëmje udhëheqësit mblidheshin pasditeve vonë për biseda dhe kafe.
Me kërkesë të Nexhmijes, në orën dy të natës, më zgjoi i alarmuar Fahriu, një djalë i ri 23-vjeçar ndihmësmjek dhe njëkohësisht oficer shoqërues i Enverit dhe të dy bashkë u drejtuam me vrap për në vilën e tyre, rreth 100 metra më tutje.
Aty kishim çantën e ndihmës së shpejtë dhe një aparat portativ elektrokardiograme. U ngjitëm me një frymë në katin e dytë dhe e gjetëm Enverin në dhomën e gjumit, të shtrirë gjysmëndenjur në shtrat, kurse Nexhmijen të ulur përballë tij në një divan me një libër në duar. Ai dukej i qetë dhe madje kërkoi falje për shqetësimin në atë orë të vonë, por “ç’t’i bëjmë Nexhmijes që alarmohet”, tha.
Nexhmija shpjegoi se ai ndiente një shqetësim të zgjatur si dhembje dhe përzierje, “një indixhestion në bark”, siç u shpreh ajo, që nuk po e linte të flinte dhe nuk po i qetësohej me gjithë barnat për tretje të ushqimit që ajo vetë ia kishte dhënë, ndërsa na tha se na thirri se mos kishim diçka më të fortë e më efektive. Unë i kërkova leje pacientit nëse mund ta ekzaminoja.
Ai u bind menjëherë. Ishte vizita e parë dhe hera e parë që vija dorë në trupin e tij. Zemra e tij rrihte mirë (imja rrihte edhe më fort!), por barku ishte i butë, pa meteorizëm dhe pa dhimbje në prekje. Aso kohe Enveri ishte 65 vjeç, me mbipeshë të dukshme trupore, duhanpirës “i egër” (80 cigare në ditë), i sëmurë me diabet të shfaqur prej 25 vitesh, që bënte jetë sedentare, pa aktivitet fizik dhe me stres të vazhdueshëm në punë. Ekzaktësisht me të tillë faktorë rrezikues për zemrën pati vdekur papritur nga infarkti i miokardit në moshën 52-vjeçare Gamal Abdel Naseri, President i Egjiptit. Ngjashëm me të edhe Gogo Nushi, tre vjet më parë në moshën 57-vjeçare, me të njëjtat rreziqe dhe diagnoza edhe ai.
Çdo mjek që kishte në dispozicion një aparat elektrokardiogram për t’ia regjistruar zemrën në atë çast nuk do e humbiste këtë rast. Për të zbuluar nëse ajo çka ai ankohej kishte lidhje me isheminë në zemër apo jo, së paku ajo diagnozë si më e rrezikshmja duhej verifikuar. Prandaj, me droje apo thuajse si lutje i propozova t’i bënim një elektrokardiogram. Nexhmija kërceu nga vendi e habitur. “Jo doktor,- tha,- Enveri nga zemra nuk ka pasur asnjëherë problem (e ka zemrën çelik i kishin thënë asaj dhe atij duke i uruar gjithmonë)”. Por çuditërisht ai vetë miratoi me dashamirësi. “Po mirë e bëjmë kur të kthehemi në Tiranë”, tha ai, duke iu referuar asaj që kishte bërë gjatë kontrolleve periodike me aparatin stacionar në klinikën speciale. “Ajo ka vlerë më të madhe kur bëhet gjatë çasteve të shqetësimit”, guxova ta sqaroja unë. “Po na lejuat, mund ta bëjmë edhe tani”.
“Tani? Këtu?”,- pyeti i çuditur ai? “Po, me një aparat portativ që e kemi poshtë”. Ai pa nga Nexhmija dhe e neutralizoi reagimin, me shumë të ngjarë, refuzues të saj. Ajo dukej e bindur që po bënim një procedurë munduese dhe të panevojshme për të. (Në fakt, ajo mund të rezultonte edhe si e tillë). Por pacienti na inkurajoi: “Mos t’ia prishim doktorit, Nexhmije, – i tha asaj, – se është i ri dhe e ka sefte”. Nexhmija heshti e pakënaqur, besoj dhe e penduar që më kishte thirrur. Fahriu zbriti në katin përdhes dhe solli aparatin e elektrokardiogramit. Për dreq, ne të dy me Fahriun patëm ca vështirësi dhe peripeci teknike deri sa e regjistruam, sepse në atë dhomë nuk bëhej dot tokëzimi i duhur për aparatin. Por teksa shihja çfarë po regjistrohej, mendova se kisha ardhur me këmbë ters. Elektrokardiogrami nuk po tregonte “zemër çeliku”. Në të kishte shenja të freskëta të ishemisë.
“Eh, çfarë shkroi?”, pyeti Enveri kurioz. Unë u turbullova. Duhej t’ia thosha të vërtetën? Përndryshe si do t’ia argumentoja masat e duhura të mëtejshme dhe mjekimin? “Ka ca ndryshime që duhen verifikuar me ato të mëparshmet dhe në vazhdim”, i thashë. Ai nuk m’u duk i alarmuar. Vetëm se e mori shiritin prej letre në duar dhe e pa ngultas disa çaste vetë. Po përpiqej të shquante në ato “hieroglifë” të shkruar aty “armikun” e ri, të paparashikuar të fshehur brenda zemrës së tij. I dhamë një tabletë nën gjuhë dhe një tjetër që e piu, sa kohë ishim aty. Ne u larguam nga dhoma, por jo nga vila e tij. Qëndruam në pritje dhe gatishmëri gjatë gjithë natës në katin përdhes. Unë i trembur lutesha me vete që gjendja të mos përkeqësohej, kurse Nexhmija nuk e besoi ose nuk ia donte zemra ta besonte që Enverit sëmundja i kishte prekur zemrën. Prandaj, duke na përcjellë jashtë derës, ajo na porositi: “Mos bëni alarm”. Në fakt, Enveri duhej vendosur që atë natë në monitorim të vazhdueshëm, sepse situata mund të keqësohej në mënyrë të papritur.
Sidoqoftë, teknikisht kjo ishte e pamundur. Mungonin mjetet, sepse kjo situatë nuk ishte parashikuar. I ndodhur larg Tiranës dhe pa monitorim të pandërprerë të situatës në zemër, jeta e Enverit atë natë ishte seriozisht e rrezikuar, ose e thënë më saktë ishte në dorë të fatit. Nuk kishim monitor, as defribilator, as ambu, as oksigjen, as specialist kardiolog, as reanimator për të ndërhyrë dhe shpëtuar jetën në rast infarkti të gjerë. Nexhmija nuk ishte koshiente për rrezikshmërinë e gjendjes, as për mangësitë që pengonin jetëshpëtimin. Zemra nuk kishte qenë në axhendën e shqetësimeve madhore shëndetësore të tij. Prandaj ajo na tha të mos alarmonim askënd nga udhëheqja gjatë natës, as të sillnim me urgjencë mjekë të tjerë.
Atë natë, i shokuar mallkova veten që isha bërë mjek, si edhe fatin që më kishte sjellë në një terren të tillë të minuar, me aq shumë rreziqe. Por Sulo Gradeci që ishte zgjuar dhe po na priste i shqetësuar në katin përdhes të vilës, më tha: “Nëse të duhen mjekë të tjerë, më thuaj që t’i sjell të gjithë gjatë natës menjëherë”. Kërkova së paku profesor Fejzi Hoxhën që i kishte ndjekur prej shumë vitesh problemet shëndetësore të Enverit, si dhe dr. Nikolla Shurbanin, shefi i kardiologjisë, që pati qenë përpara meje gjatë disa viteve mjek personal i Enverit. Suloja nisi me urgjencë menjëherë shoferin Myslym Kore dhe rreth dy orë më pas të dy kolegët e shquar ishin prezentë me mua aty. U ndjeva i lehtësuar. Ata i vlerësuan po ashtu ndryshimet në elektrokardiogram dhe mjaft të rrezikshëm episodin e ishemisë së freskët.
Atë natë nuk fjetëm. Pati një shtrëngatë shiu me rrebesh, me vetëtima dhe bubullima që gjëmonin frikshëm. E gdhimë me zemër të ngrirë në pritje atë natë së bashku me profesorët e mi, të pafuqishëm të bënim më shumë. Të nesërmen në mëngjes pacienti u zgjua pa shqetësime. Ai pranoi ta vizitonim të tre së bashku. Elektrokardiogrami i mëngjesit ishte disi më mirë. Së paku, nuk tregonte përkeqësim. Enveri filloi që atë ditë mjekimin me koronarodilatator të asaj kohe. Disa ditë pas atij episodi, Enveri u shpërngul për pushime nga Durrësi për në malin e Dajtit.
Një ndalesë disaorëshe në Tiranë e shfrytëzuam për t’i vlerësuar gjendjen e zemrës dhe elektrokardiogramet me dr. Ylli Popën, dr. Hajro Shytin dhe dr. Ahmet Kamberin, të tre kardiologë, të cilët e vlerësuan shqetësuese situatën e re të krijuar. Në Dajt, si mjek e shoqërova vetëm unë. Nuk pati kriza të reja. Kriza serioze në të cilën u evidentua infarkti i miokardit ndodhi me 16 tetor 1973, pasi ai priti një numër të madh personash që e uruan me rastin e 65-vjetorit të lindjes së tij.
JETA NË RREZIK
Në elektrokardiogramin që i bëra në mbarim të vizitave pasdite vonë, shenjat e ishemisë ishin më të dukshme. U dha alarmi. U mblodh brenda orës konsulta dhe Enveri u vendos për disa muaj në regjim shtrati. Ishte hera e parë që kjo po i ndodhte në jetë. Asokohe ai ndodhej me banim në Vilën nr. 4, brenda territorit të Pallatit të Brigadave, sepse vila e tij në Bllok ishte në rikonstruksion dhe zgjerim. Konsulta e zgjeruar mjekësore aty përbëhej nga profesor Fejzi Hoxha, profesor Petrit Gaçe, kardiokirurg, profesor Nikolla Shurbani, dr. Ylli Popa, dr. Hajro Shyti, të tre kardiologë, ndërsa unë dhe profesor Hoxha diabetologë. Konsulta qëndroi ditët e para vazhdimisht e mbledhur në gatishmëri në ndërtesën e shkollës së Ministrisë së Brendshme, pak metra larg Vilës nr. 4. Unë dhe Fahriu u vendosëm në gatishmëri ditë e natë brenda vilës, përballë dhomës ku ishte në shtrat Enveri për të ndërhyrë në çdo moment, si dhe për të informuar grupin tjetër për çdo gjë të re.
Ndërkohë, pacienti ekzaminohej herë prej profesor Hoxhës e dr. Popës, ndonjëherë edhe dr. Shurbanit, të cilët i shoqëroja edhe unë. Kurse zbatimin e mjekimeve të rekomanduara nga konsulta i kryenin atje dy infermieret, Kostandina Naumi dhe Afërdita Milori, të cilat ndërroheshin mes tyre çdo 24 orë brenda vilës. Me gjithë masat e marra, ishemia në zemër disa kohë avancoi, çka na detyroi të kërkonim të na vinin në ndihmë kolegë më të specializuar nga jashtë.
Kërkesa u bë më e domosdoshme pas një episodi të vështirë përkeqësimi, që ndodhi më 4 janar 1974. Natën, në të gdhirë, ai pati vështirësi në frymëmarrje dhe në elektrokardiogram iu shfaq për herë të parë aritmia, rrahje të çrregullta të zemrës. Gjendja u dominua shpejt me mjekim intravenoz dhe me oksigjen, por ky episod sinjalizonte avancim të sëmundjes ishemike dhe instalimin e një situate të re me rreziqe imediate për jetën e të sëmurit. Kërkova takim urgjent me Hysni Kapon. Shkuam të dy me dr. Ylli Popën, kardiologun më të mirë që kishim. Hysniu na priti në shtëpinë e tij në Bllok. Për karakterin sekret të bisedës, ai na ftoi të dilnim të tre jashtë në kopshtin përreth shtëpisë së tij.
Lashë Yllin të fliste: “Situata është alarmante, nuk dihet çfarë rruge merr. Episodi që ndodhi, ishte vetëm një fllad përpara furtunës që mund të pasojë”, tha ai. Hysniu dëgjoi i heshtur, i përqendruar. “Nuk e mbajmë dot vetëm ne përgjegjësinë. Na duhen ekspertë nga jashtë”, vazhdoi Ylli. “Nga jashtë, nga? – pyeti Hysniu. – Në Perëndim nuk hapemi dot”. “Fundja nga Kina”, tha Ylli. Ai kishte qenë pak kohë më parë në Kinë dhe kishte takuar atje një profesor kardiolog të zotë. “Mirë mo, mirë, por punët as me ata nuk janë siç i dini ju”, u përgjigj në dilemë Hysniu. Sidoqoftë, erdhi një grup mjekësh kinezë me në krye prof. Çu, drejtues i klinikës në Kinë, ku unë dhe dr. Hektor Peçi u specializuam në vitet 1965-1966.
Kur rreziqet afatshkurtra u kapërcyen dhe situata në zemër u stabilizua, në fillim të pranverës së vitit 1974, Enveri kërkoi të largohej nga Vila nr. 4 dhe të kthehej në vilën e vjetër të tij në Bllok, edhe pse punimet në pjesën e re shtesës së saj ende nuk kishin përfunduar. Ai u largua prej asaj ndërtese që ishte “burgu” i parë dhe i vetëm i jetës së tij. Dukej sikur duke ikur prej aty i ikte tersit. Por në ata muaj aty, mbyllja, sëmundja dhe rreziku apo hija e vdekjes që herë-herë i shfaqej atij, ndoshta e bënë atë më të ndjeshëm, më njerëzor, por herë të tjera edhe më të acaruar.
Një herë, ai u soll i tillë me zemërim edhe ndaj kolegëve kinezë, të cilët i binin rrotull e rrotull ndonjë prej pyetjeve të tij pa u shprehur qartazi. Mbase acarimi me ta ishte dhe me kontekst politik e lidhur edhe me zhgënjimin që ai pati nga ndryshimi radikal i qëndrimit të Kinës ndaj “imperialistëve amerikanë”, me vizitën e vitit 1972 të Presidentit Nikson dhe takimin e tij me Mao Ce Dunin. Mund të ishte edhe dëshpërim, meqë tani miqtë e pasinqertë kinezë dinin hollësira për rreziqet e jetës dhe shëndetin e keq të tij dhe mund të kishin nisur të thurnin fshehtas plane për ta zëvendësuar me miq të tyre më të rinj, më të shëndetshëm dhe më të bindur ndaj tyre.
I zhgënjyer politikisht dhe ideologjikisht me ta, ai mbase do të kishte dashur t’i pështynte me inat udhëheqësit e tyre në fytyrë për braktisjen e marksizëm-leninizmit, por i mbërthyer në shtrat, i pafuqishëm nga sëmundja, detyrohej t’u buzëqeshte dhe t’u thoshte faleminderit mjekëve të dërguar në ndihmë të tij prej tyre. Ai shndërrohej në një person më të qetë e shpirtërisht më të ndjeshëm kur, me mendje dhe shpirtërisht, dilte jashtë rrethit të sëmundjes, të politikës dhe çështjeve të pushtetit. Rastiste rrallë që Nexhmija, kur i duhej të largohej ca orë për ndonjë angazhim zyrtar të paevitueshëm, të më thoshte (meqë isha brenda vilës) se mund t’i afrohesha vetë edhe pa më kërkuar ai për ta pyetur ose hapur ndonjë bisedë apo shoqëri me pacientin.
Enveri në çaste të tilla ishte më i natyrshëm dhe më i relaksuar. Mbase dhe ai, i izoluar nga sëmundja kishte nevojë të fliste e të komunikonte si ne të gjithë. Kështu pata rastin, teksa bënte hapa brenda dhomës së tij, në atë të bibliotekës ose përgjatë korridorit, të më tregonte për çështje a tema jashtëmjekësore; një herë për Horlën, novelën e fundit të çuditshme të Gi de Mopasanit (meqë më pa një libër me novela të shkurtra të tij në dorë). “E ke lexuar Horlën,- më pyeti. Të pëlqen?”.
Unë deri atëherë nuk e kisha lexuar atë novelë. Ai tha që ajo ishte krejt e ndryshme nga krijimtaria tjetër e autorit. Kuptova që i kishte lënë mbresa, por nuk e pyeta se pse subjekti i saj, siç e mësova më pas, ishte si parapsikologjike, me ca specie misterioze jashtëtokësore të padukshme, të ardhura nga botët e përtejyjeve, të afta të hynin në trupa njerëzorë dhe t’i dominonin e komandonin ata. Gi de Mopasani e pat shkruar atë në fund të jetës së tij, kur po kalonte një fazë depresioni me “humor të zi”. Ishte përjetimi i një gjendjeje të ngjashme shpirtërore, shkaktuar nga sëmundja dhe “izolimi” brenda vilës, që ia solli edhe Enverit në mendje atë novelë? Një ditë tjetër ai ishte me “humor rozë”.
Më foli me admirim për magjinë (siç tha ai) të tablove të vjeshtës së Vangjush Mios. Njërën prej tyre ai ma tregoi me adhurim të varur në murin e dhomës së bibliotekës. Tha se i jepte kënaqësi të veçantë vjeshta. Herë pas here, pasi ngrihej nga shtrati, ai shihte përtej xhamit të dritares jashtë gjethet e zverdhura dhe të kuqërremta të pemëve, të cilat i kundronte në heshtje për minuta të tëra me sytë e ngulura në to. Një herë tjetër, tek çapitej nëpër dhomë dhe në korridor me një magnetofon të vogël në dorë prej nga dilte një muzikë klasike simfonike, më pyeti nëse e pëlqeja muzikën klasike.
I thashë se e njihja shumë pak, vetëm disa arie a melodi të famshme. Ai më foli për gjenialitetin dhe shurdhësinë, por edhe për forcën këmbëngulëse, të paepur të Bethovenit. Iu referua librit biografik të Romain Rolandit, i cili me sa dukej e kishte frymëzuar dhe shtuar optimizmin për ta kaluar sëmundjen e tanishme dhe për të vazhduar i papenguar veprimtarinë. E fundit që më pati lënë mbresë në ato pak çaste bisedash vetëm me të në ata muaj, ishte një ngjarje që ai më tregoi për Leninin, për ndjeshmërinë dhe kujdesin “mallëngjyes” të tij ndaj kushteve të punës dhe jetesës së shkencëtarëve.
“Një herë, duke udhëtuar me shoferin e tij,- tha ai,- në një zonë ku jetonte mjeku fiziologjist Ivan Petroviç Pavllov, fitues i çmimit ‘Nobel’, Lenini i tha shoferit të pushonte së rëni borisë, mos të bënte zhurmë, sepse nuk duhej të shqetësohej shkencëtari i madh i shquar që jetonte aty pranë”. Duke ma treguar këtë ngjarje, atij vetë nuk di pse i ndryshoi zëri dhe m’u duk sikur u përlot! Interesante ishte që ai këtë histori ua tregoi, pas një konsulte që i bënë, edhe mjekëve kinezë. Ndoshta, për t’u konfirmuar mirënjohjen dhe respektin dhe për të korrigjuar ndonjë përshtypje pakënaqësie, që ai u pati shprehur atyre në çaste nervozizmi, të lidhura me gjendjen jo të zakontë psikologjike të tij.
Enveri u largua nga Vila nr. 4 pa kthim, sikur të kishte qenë ajo fajtore, ose tersi për sëmundjen dhe shkëputjen e përkohshme të padëshirueshme të tij nga ushtrimi i pushtetit. Edhe pse ai erdhi shumë herë më pas për shëtitje në ca rrugica brenda territorit të Pallatit të Brigadave, të bëra enkas nga Sulo Gradeci për të, ai asnjëherë nuk iu afrua dhe nuk ia hodhi sytë asaj vile të “mallkuar”, që ruante brenda saj kujtime të çasteve me pasiguri të frikshme të përjetuara aty.
Ajo u dënua me harresë. Ndryshe nga kasollja e Galigatit, nga shtëpitë e Konferencave të Pezës e Labinotit, shtëpia e Bije Vokshit dhe ajo e formimit të Partisë Komuniste në Tiranë, Vila nr. 4, në mes të pemëve me gjethe të verdha dhe të kuqërremta, nuk u përmend në histori, nuk u vu në të ndonjë pllakë përkujtimore me shkrimin: “Këtu u përball disa muaj me sëmundjen dhe ia doli t’i shpëtonte rrezikut të vdekjes Enver Hoxha”.
/Pjesë nga libri Blloku, nga Isfuf Kalo/