Arrestohet një i shumëkërkuar dhe dënuar me burgim të përjetshëm nga drejtësia italiane.
49-vjeçari, Ermir Dervishi është dënuar nga drejtësia italiane me burgim të përjetshëm për një vrasje të kryer në vitin 1999.
Emri i tij nuk është i panjohur për drejtësinë e vendit tonë.
Ai njihet si një nga miqtë e afërt të bandës së Lulzim Berishës.
Ka kryer dhjetëra krime edhe në vendin tonë për të cilat është dënuar, por prej vitesh ka qenë person i shpallur në kërkim edhe nga drejtësia Italiane. Ermir Dervishi është arrestuar nga Policia e Durrësit.
Aktiviteti kriminal ndër vite
Në vitin 2011, Ermir Dervishi kërkohej prej dhjetë vitesh nga Drejtësia për një vrasje të kryer në Kavajë në vitin 1998. Ai është dënuar me 20 vjet burg nga Gjykata e Durrësit në vitin 2001, i akuzuar për vrasjen e shtetasit Gentian Duro në Kavajë. Sipas Policisë, i arrestuari Ermir Dervishi, ka pasur marrëdhënie shoqërore me Duron para se ta vriste. Të njëjtat burime thanë se Ermir Dervishi ka pasur miqësi me disa prej anëtarëve të bandës së Durrësit, por vrasjen nuk e ka kryer për llogari, apo si pjesë e kësaj bande. Fakti se Dervishi ka pasur miqësi me anëtarët e bandës së Durrësit është shpjeguar edhe gjatë deklarimeve që kanë dhënë në gjykatë dëshmitarët, si dhe nga i penduari Adriatik Coli. Megjithatë, ende nuk është i sqaruar plotësisht “roli” që 40-vjeçari Dervishi ka pasur në bandën e Durrësit, falë miqësive me anëtarët e saj dhe nëse ka kryer krime apo jo për llogari në bashkëpunim me ta. Një prej dëshmitarëve, E.K., ka deklaruar në vitin 2006, gjatë procesit hetimor për bandën e Durrësit, se Ermir Dervishin e ka parë shpesh të shoqërohej me krerët e bandës së Durrësit. “Rreth viteve 1997-1998 unë kam pasur raste të takohesha me Lulin dhe Ermirin dhe të pinim kafe bashkë. Luli dhe Miri kanë qenë shokë bashkë”, shprehet dëshmitari. Më tej, ai tregon edhe për një makinë tip “Golf 2”, pa dokumente, të cilën ia kishte kërkuar për ta blerë Ermir Dervishi në vitin 1998.
Njoftimi i policisë
Forcat e Posaçme Operacionale në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës në bashkëpunim me Interpol Tirana dhe me Zyrën e Interforcës të Policisë italiane, pas informacioneve të marra dhe një pune të mirëorganizuar, arrestuan përkohësisht me qëllim ekstradimin drejt Italisë, shtetasin shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar, Ermir Dervishi, 49 vjeç, banues në Durrës.
Policia beri te ditur se Ermir Dervishi ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit të Alessandrias, në datën 18.02.1999 e ka dënuar me burgim të përjetshëm, për kryerjen e veprës penale “Vrasja”.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës për veprime të mëtejshme.