Punonjësit e Ministrisë së Drejtësisë dhe Burgjeve kanë kaluar në gatishmëri 100 % për disa ditësh, pas një urdhri verbal të ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj.
Burime pranë Drejtorisë së Burgjeve thanë se punonjësit janë ne gatishmëri të pandërprerë qysh prej 19 qershorit dhe se grupet e gatshme kanë kryer kontrolle te vazhdueshme në burgjet që cilësohen më problematike.
Ky urdhër ka sjellë pakënaqësi në radhët e nëpunësve, të cilët janë të detyruar të qëndrojnë më shumë orë në punë, pa pagesë shtesë.
“Boldnews” raportoi se pasditen e 19 qershorit ka pasur revolta në burgjet e Rrogozhinës dhe Lezhës. Më pas, në të dyja burgjet janë nisur forcat speciale për të vënë nën kontroll situatën.
Presidenti Ilir Meta ngriti shqetësimin se situata në burgje është e përkeqësuar, ndërsa drejtori i Burgjeve e hodhi poshtë shqetësimin e Metës.
Më herët, është raportuar se edhe policia dhe mjekët kanë kaluar në gjendje gatishmërie. /BN/