Drejtuesja e Prokurorisë së Elbasanit Enkeleda Millonai u konfirmua në detyrë nga KPK këtë të premte, një ditë pas seancës dëgjimore.
Seanca dëgjimore – Ndërsa pati një seancë dëgjimore pa probleme në kriteret e pasurisë, figurës dhe profesionalizmit drejtuesja e Prokurorisë së Elbasanit dhe kandidate për Prokurorinë e Posaçme Enkeleda Millonai, u përball në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit me pyetjet rreth pushimit të një çështje me akuza për falsifikim ndaj gjyqtares së Elbasanit Pajtime Fetahu.
Millonai e pyetur nga trupa që hetoi çështjen, shpjegoi se kishte kryer hetime të plota duke dhënë detaje të procedurës së ndjekur dhe po ashtu shpjegoi arsyet pse çështja nuk i kishte kaluar për kopetencë një prokurorie tjetër, që sipas relatorit Roland Ilia dukej si “shkelje e Kodit të Procedurës Penale”.
Millonai u hetua nga një trupë gjykuese e kryesuar nga Pamela Qirko, me anëtare Brunilda Bekteshi dhe relator Roland Ilia. Gjatë leximit të relacionit nuk u vunë në dukje probleme sa i përket pasurisë së prokurores, u tha se ajo nuk kishte probleme të pastërtisë së figurës dhe u vu në dukje se ajo ishte vlerësuar shumë mirë profesionalisht. Ndaj saj ishin bërë 8 denoncime të cilat KPK i listoi, pa dhënë shpjegime.
Drejtuesja e Prokurorisë së Elbasanit, Enkeleda Millonai, njëherazi kandidate për Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK. Në vitin 2016, Millonai u komandua zv.drejtuese e Prokurorisë së Elbasanit, ndërsa në prill të vitit 2018 ajo mori drejtimin e kësaj prokurorie.
Hetimi mbi flasifikimin – Relatori i çështjes Roland Ilia tha se veç denoncimeve KPK kishte hetuar dy çështje të prokurores Millonai dhe në njërën prej tyre ishin gjetur në dukje probleme. Ilia tha se çështja ishte një denoncim për falsifikim dokumentesh ndaj gjyqtares Pajtime Fetahu, hetimin e të cilës Millonai e kishte pushuar.
Ilia tha gjatë relatimit se në dukje Millonai kishte shkelur Kodin e Procedurës Penale pasi në vendimin e pushimit referonte se ankimi duhej të bëhej në Gjykatën e Elbasanit, ku punonte edhe gjykatësja e denoncuar.
Pushimi i çështjes është përmendur në fillim të këtij viti në emisionin Stop në Tv Klan , duke përmendur edhe procesin e vettingut për prokurorët dhe gjykatësit. Sipas denoncimit bëhet fjalë për dy vendime të gjyqtares Fetahu, të cilët edhe pse janë me të njëjtin numër regjistri dhe për të njëjtën çështje pronësie, kanë në dispozitiv sipërfaqe të ndryshme prone.
Në një nga vendimet prona e njohur është 314 hektarë e katër dynym dhe në tjetrin 383 hektarë e katër dynim. Denoncuesit pretendojnë se vendimi me sipërfaqe më të madhe është i falsifikuar.
E pyetur nga trupa gjykuese Millonai dha një version tjetër të çështjes. Ajo tha se kishte marrë denoncimin dhe kishte hetuar atë. Sipas prokurores ishte sekuestruar dosja e plotë në gjykatë. Nga verifikimet në këtë dosje, shënimet e mbajtura me dorë në procesverbal dhe shënime të shkruajtur me dorë të gjyqtares, rezultoi se sipërfaqja e njohur ishte ajo më e madhe 383 hektarë.
Millonai tha se ishin pyetur sekretaren, kancelarin dhe kryesekretaren e gjykatës dhe më pas ishte sekuestruar një dosje e dytë të ruajtur në kodex për çështjet civile, që kishte po ashtu si shifër prone të njohur 383 hektarë.
Prokurorja tha se ishin bërë verifikime në të gjithë institucionet ku këto dokumente mund të përdoreshin, përfshi Komisionin Për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave, Zyrën e Rregjistrimit të Pasurive e të ngjashme dhe rezultonte se në të gjitha ishte përdorur vetëm vendimi i gjykatës ku përmenden 383 hektarë dhe jo “identiku i tij” me 314 ha.
“Nga këto verifikime arrita në bindjen se i falsifikuar ishte vendimi tjetër me sipërfaqe më të vogël prone”, tha Millonai, por ajo tha se hetimet nuk mund të shtyheshin përpara, pasi ekspertimi ligjorë i dokumentit me 314 ha nuk qe i mundur, pasi ishte vetëm fotokopje dhe i panjësuara me orgjinalin. Ajo tha se denoncuesi në këtë rast nuk kishte ndihmuar, duke dëshmuar vetëm se “Fotokopja e vendimit i kishte rënë në dorë”.
Po ashtu sipas saj eskpertiza shkencore nuk qe e mundur, pasi bëhej fjalë për një fotokopje. Millonai tha se në vendimin e pushimit kishte përfshirë edhe dy shkresa nga Policia Shkencore e cila refuzonte të bënte ekspertizë të fotokopjeve të panjësuara, duke i cilësuar ato “Shkesa të thjeshta, me asnjë mundësi për të sjellë pasoja ligjore dhe as (nuk mund të përdoreshin) si provë të veprës penale”, tha Millonai, duke vënë në dukje se dokumenti me 314 nuk ishte përdorur në asnjë zyrë.
Prokurorja po ashtu sqaroi procedurën e ndjekur, duke shpjeguar se kishte një vendim të Gjykatës Kushtetuese që për sa kohë procedimi penal ishte pa emër, nuk mund të shpallej konflikti i interesit dhe nuk mund të dërgohej çështja në një gjykatë tjetër. Sipas saj edhe Kodi i Procedurës Penale parashikonte literalisht të njëjtën gjë, kur viktima ose të dyshuar ishin gjykatës apo prokurorë.
Sa i përket pasurisë së Millonait KPK nuk vuri në dukje probelme. Prokurorja rezultoi të ishte pronare e një apartamenti për të cilin kishte nënshkruar një kontratë pororsie, por që ende nuk ishte përmbyllur me akt shitjeje.
Sipas relatorit në rastin konkret Millonai kishte paguar 10 mijë euro në momentin e nënshkrimit të kontratës dhe ishte në pritje të rregjistrimit të pronës për të marrë kredi 35 mijë euro, me të cilën siç ishte specifikuar në kontratën e porosisë do të paguante pjesën e mbetur të shtëpisë.
KPK ndërkohë kërkoi sqarime edhe për mosdeklarimin e disa shpenzimeve për transportin dhe zhdoganimin e një makine në vitin 2011. Millonai tha se i kishte konsideruar ato si thjesht si shpenzime dhe për këtë nuk kishte bërë deklarim të veçantë.
Analiza finaciare e nxorri Millonain pa probleme, ndërsa u përmend se ishte bërë edhe verifikim i kursimeve të saj.