Në konferencën e jashtëzakonshme, Presidenti i Republikës Ilir Meta përreth 40 minuta para gazetarëve shpjegoi se anulimi i datës së zgjedhjeve vendore është zgjidhja emergjente për të shmangur destabilitetin e vendit. Ilir Meta nuk la pa përmendur edhe regjistrimin e Bindjes Demokratike në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve përtej afateve ligjore.
“Referuar parimeve kushtetuese dhe qëndrimeve të Gjykatës Kushtetuese, nëse në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të planifikuara për në 30 qershor 2019, merr pjesë vetëm mazhoranca, atëherë qytetarëve iu cenohet ushtrimi efektiv i të drejtës kushtetuese për të zgjedhur. Kjo situatë bëhet edhe më absurde, referuar faktit që për këto zgjedhje në më shumë se në gjysmën e njësive të qeverisjes vendore konkurron vetëm një kandidat për t’u zgjedhur si Kryetar Bashkie, ndërkohë që për pjesën tjetër konkurrohet me kandidatë të propozuar nga një forcë politike e regjistruar në minutat e fundit në sistemin gjyqësor, dhe e regjistruar pranë KQZ-së përtej afateve ligjore. Kjo gjë tregon qartë se, ky proces zgjedhor është fiktiv dhe është një element shtesë që provon faktin se standardet demokratike të kërkuara për plotësim jo vetëm që nuk mund të përmbushen, por po shkelen në mënyrë flagrante”, tha Meta.
Pas deklaratave të Metës, kreu i Bindjes Demokratike Astrit Patozi, në një shënim në Facebook.
Patozi thotë se Presidenti duhet të dëgjojë institucionet shtetërore dhe jo opinionet e partive politike për njëra-tjetrën, ndaj i kërkon ta frenojë veten kur të flasë herë tjetër për Bindjen Demokratike. Patozi thekson se Bindja Demokratike nuk ka asnjë përgjegjësi për krizën politike ku është zhytur Shqipëria për shkak të partive të vjetra. “Ndërkohë që vetë Presidenti i Republikës, si funksion dhe si personazh politik, është produkti më sinjifikativ i pazareve të pista midis tyre”, përfundon Patozi.
Statusi i Patozit:
KONSIDERATAT NEGATIVE TË PRESIDENTIT NA SHTOJNË VOTAT
Meqë Presidenti i Republikës i paska lejuar vetes që të harrojë se përfaqëson unitetin e popullit dhe ka shprehur konsiderata negative në adresën tonë, na e ka bërë të detyrueshëm reagimin.
I kujtojmë atij se e ka detyrim që të dëgjojë dhe marrë për bazë vetëm atë që thonë institucionet shtetërore dhe jo opinionet e partive politike për njëra-tjetrën, ndaj duhet ta frenojë veten kur të flasë herë tjetër për BINDJEN DEMOKRATIKE. Gjithmonë, në rast se do ta ketë këtë mundësi.
Por edhe në këtë kontekst, është më mirë që të pranojë heshtjen, me të cilën e ka përcjellë krijimin e BINDJES DEMOKRATIKE, partia që ia la trashëgim bashkëshortes së vet, se sa të marrë si aksioma thashethemet që dëgjon nga një forcë tjetër politike, e cila nuk e ka fshehur mërzinë dhe shqetësimin për futjen tonë në garën e 30 qershorit.
Kur themi se duhet të dëgjojë institucionet, i kujtojmë Presidentit se kemi përmbushur çdo detyrim ligjor të Republikës së Shqipërisë, që ka të bëjë me krijimin e partive politike dhe me pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje. Dhe kjo është e çertifikuar në të gjitha shkallët e gjyqësorit në Shqipëri.
Ndërsa për konsideratat e tij politike dhe jo institucionale nuk shqetësohemi fare, madje i vlerësojmë ato si një kontribut pozitiv për fushatën e BINDJES DEMOKRATIKE në këto zgjedhje.
Sepse është fare e qartë për këdo se ne nuk kemi asnjë përgjegjësi për krizën politike, ku është zhytur Shqipëria për shkak të partive të vjetra, ndërkohë që vetë Presidenti i Republikës, si funksion dhe si personazh politik, është produkti më sinjifikativ i pazareve të pista midis tyre.
BINDJA DEMOKRATIKE