Kryeministri Edi Rama, njëherëz kryetar i PS-së, ka zgjedhur të sulmojë opozitën dhe prokurorët, gjatë një takimi në Skrapar, në kuadër të fushatës që po bën për zgjedhjet e 30 qershorit.
E ndërsa ka folur për përgjimet, që i ka cilësuar si një indicia për të hetuar dhe provuar, nëse ka oose jo shkelje ligji për korrupsionin zgjedhor, Rama u shpreh se prokurorë me shumë hije në karrierën e tyre, të diskretituar, kanë preferuar që në vend që t’i hetojnë ato CD, t’i marrin ato t’i çojnë në Partinë Demokratike dhe prej andej hapet kapaku i kazanit dhe hidhet baltë mbi Shqipërinë.
Rama tha se prokurorët i kanë mbajtur qëllimisht këto CD pë të bërë shantazhe, sikundër e sqaroi edhe kryetarja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, por do të dëgjoni edhe të tjera në ditët në vijim.
Ndërsa në lidhje me 30 qershorin, Rama tha se zgjedhjet do të bëhen, ndërsa bëri një paralajmërim të qartë ndaj atyre që do të tentojnë të prishin zgjedhjet.
“Ata që do të tentojnë të prishin procesin do të përballen me ligjin, por jo vetëm kaq, pasi do të vuajnë pasojat edhe pasi të kenë mbaruar atë dënimin që përcakton ligji që është ndër më të ashprit dhe që është miratuar me konsensusin kur PD ishte në qeverisje.
Ata që do të tentojnë të bëjnë një të tillë do të jenë në listën e zezë, si kriminelët më të rrezikshëm që nuk lejohet të futen në BE. Dhe mos kujtojnë se do t’i shpëtojnë kontrolleve.
Ndërsa ata që do të tentojnë të hyjnë në SHBA nuk do të lejohet kjo gjë familjarisht. Pra mirë vetë, por as familjarët e tyre. Dhe nëse s’më besoni mua pyesni plakun, dhe po nuk ua tregoi ai më pyesni mua se ua them unë. Kështu ndodh kur bën zullume”, tha Rama.
Në vijim ai shtoi se nuk është problemi se këta janë anti-shqiptarë që hedhin baltë mbi Shqipërinë, se këta nuk i duhen dreqit jo Shqipërisë.
“Nuk është problem nëse këta e bëjnë me apo pa vetëdije këtë masakaradë ndaj Shqipërisë, këtë luftë të përditshme balte që vret çdo ditë nga pak sytë e njerëzve që e shohin Shqipërinë nga larg.
Ajo që bëjnë është e patolerueshme, sepse nuk mund të tolerohet . Asnjë shqiptar nuk duhet të mbështesë ata, dhe ka dy rrugë, ose të shkojë në zgjedhje, jo për të zgjedhur kryetarin e bashkisë, por për të treguar se Shqipëria nuk mund të merret peng, ose të qëndrojë larg atyre që po kërkojnë individë që duan t’i hedhin si mish për top për të bllokuar zgjedhjet”, tha ai.