Paraditen e së enjtes doli përpara gjykatës për rivlerësimin e masës së sigurisë i riu që inskenoi atentatin në Vlorë dhe bashkëpunëtori i tij.
Gjykata vendosi arrest me burg për Romarjo Allirajn, 24 vjeç dhe shokun e tij Arben Veliko, 51 vjeç.
Pas vendimit, Veliko tentoi të godasë një prej operatorëve brenda në sallë, ku po filmonte për seancën. Ndërsa Alliraj kërcënoi se do të merret me gazetarët sapo të lirohet.
Më 12 maj të këtij viti, makina e Allirajt përfundoi jashtë rrugës në autostradën Vlorë-Levan, pasi mbi të u qëllua me breshëri plumbash. Por nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetasi A.V në bashkëpunim me vetë Allirajn, kanë përgatitur, simuluar dhe realizuar vetë ngjarjen në fjalë për interesa personale, duke përdorur gjithashtu edhe një armë zjarri automatike.
Gjithashtu, për “viktimën” Alliraj ishte në fuqi edhe një masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”, por më 3 qershor konstatuar në qytet duke mos zbatuar detyrimet ligjore në lidhje me masën e sigurisë.