Nga Ilir Kalemaj
Influenca kineze në Ballkanin Perëndimor merr formën e “fuqisë së mprehtë” për shkak të qëllimshmërisë së saj për të manipuluar si të dhënat, ashtu edhe sferën politike të vendeve të caktuara për të përftuar politikisht dhe rritur burimet e saj të informacionit. Ndër të dhënat që na dalin nga rajoni, për shembull për Maqedoninë e Veriut, niveli i investimeve direkte kineze si dhe kontratat e siguruara me këtë vend arrijnë në 400 milionë dollarë përgjatë viteve 2005-2018, por me një kreshendo vitet e fundit. Për Kinën, Maqedonia e Veriut është një hallkë lidhëse mes investimeve të saj në portin e Pireut me vlerë rreth 10 miliardë euro dhe në Serbi ku Kina ka shpenzuar deri tani po aq (10.2 miliardë euro).
Shumica e këtyre vendeve të vogla bllkanike janë mjaft të ndjeshme nga “diplomacisë së kurthit kinez” (debt trap diplomacy). Shembulli më flagrant është Mali i zi ku kinezët zotërojnë plot 44 përqind të borxhit të përgjithshëm të këtij vendi me vetëm 650 mijë banorë, në shifra spektakolare të rreth 2 miliardë euro. Duke kontrolluar qartë pra trajektoren e influencës dhe pse jo edhe të shantazhit politik në të ardhmen në rast se ky vend do të parapëlqente aleancës strategjike me amerikanët si vend partner në NATO.
Kina gjithashtu ka shpenzuar dhe po shpenzon aktualisht në TECe në Serbi dhe Bosnje-Hercegovinë, si dhe në hekurudha në Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut por edhe Shqipëri. Gjithashtu Kina ka rënë dakord të financojë nëpërmjet një huaje 85 përqind të kostos së përmisimit të linjës hekurudhore që kushton 3 miliardë euro dhe lidh Beogradin me Suboticën e cila do jetë pjesë e linjës 350 kilometërshe që lidh Beogradin me Budapestin dhe që është nën investigim nga Komisioni Europian përsa i përket dritë-hijeve me prokurimin dhe mungesës së transparencës.
Kina ka investuar akoma më shumë në vendet e Vishegradit (Europës Qëndrore) në kuadër të programit 16+1 i cili në vetvete është pjesë e mega-projektit Brez dhe Rrugë, një projekt ky sa ekonomiko-financiar aq edhe gjeostrategjik. Hungaria është përfituesja më e madhe deri tani, ku firma e shumëdiskutuar Huaëeui punëson direkt 2500 njerëz në Pec dhe ka fituar tenderin për administrimin e linjës së emergjencës në vend. Gjithashtu Hungaria është vendi me përqëndrimin më të madh të diasporës kineze ndër vendet e Europës Qëndrore.
Nga projekti 16+1 me vendet e Europës Juglindore, 3/4 e eksporteve kineze dhe 2/3 e importeve janë me vendet e Vishegradit. Sllovakia gjithashtu ka përfituar hua dhe financim në projektet teknologjike, ndërsa Polonia është e 15 në botë përsa i përket volumit tregtar me Kinën. Ndërkohë që në Bullgari ndër të tjera po financon hekurudha dhe centralin bërthamor të Belene. Shqipëria nuk ngelet pas me investimet kineze që po zëvendësojnë ato gjermane (aeroporti i Rinasit) apo kanadeze (nafta dhe përpunimi i saj), në industrinë minerare etj. Këto janë vetëm disa nga aspektet e penetrimit të fortë financiar dhe ekonomik të vendit por edhe mediatik si për shembull influenca e Kinës në Republikën Çeke të cilat nuk duhen lënë jashtë vëmendjes së vendim-marrësve dhe duhet të jenë pjesë e një diskutimi më të gjerë kost-përfitim, si dhe të informojnë atë që quhet rëndom diplomacia ekonomike por që për fat të keq në Shqipëri të paktën ekziston vetëm si sllogan.