“Nuk ka ndihmë ekonomike, rritje pagash e pensionesh dhe ulje të çmimit të energjisë sepse paratë janë vjedhur nga doganat, tatimet dhe koncesionet korruptive”. Kështu ka deklaruar kreu i PD-së, Lulzim Basha gjatë një takimi me tregtarët dhe banorët e Kamzës, Bathores dhe Paskuqanit.
Sipas PD, tregtarët dhe banorët janë ankuar për terrorin e tatimorëve ndaj biznesit, gjobat e larta, heqja e ndihmës ekonomike për familje në nevojë dhe për personat me aftësi të kufizuara.
Tregtare: Gjoba po, kanë ardhur dy herë këta të tatimoreve, dy herë më kanë sekuestruar mallin. Se ku ka shkuar malli nuk e di. Jemi të dy burrë e grua sakat. Legalizime në Kamëz fare, 5 milionë kanë paguar letër e gjë s’kanë marrë.
Tregtar: Kam katër metër dyqan, katër herë më ka ardhur kontrolli i kam letrat aty. Kontrollet që vijnë i bëjnë për një b…haleje. Se po flas ashtu. Çunat të dy i kam të sëmurë. Tre muaj në spital çunin nuk mi gjejnë diagnozën.
Basha: Sa vjeç është?
Banori: 19 vjeç.
Banor: Gjendje kaotike.
Banor: Jam invalid dhe me unazë në zemër edhe më thotë që nuk të takon Kemp, nuk të takon as edhe një send. Fëmijët pa shkollë, pa punë po, invalid po, pension jo, gjë jo. Mua po më vdesin fëmijët për bukë, për bukën e gojës.
Banore: Kam nëntë vjet që më ka vdekur burri, kam tre fëmijë dhe kam dy vjet që nuk trajtohem me ndihmën ekonomike. Me ç’të drejtë shteti e bën këtë padrejtësi ndaj jetimëve?
Invalid: Ne kemi shumë probleme me marrjen e pareve, me asistencën, me ndihmën, me shoqëruesin. Tani me të vërtetë mua më ka dënu Zoti, por e ka qit një person Zoti me u kujdes për mu, ai je ti.
Invalid: Qeveria aktuale më ka heq pensionin e invaliditetit, kam qenë i trajtum që prej nëntë vitesh.
Basha: Pse ta ka heq?
Invalidi: Je i aftë për punë më thonë. Pa një dorë, si qenkam i aftë për punë?! U thash ose më gjeni punën.
Basha: Lekët e doganave i fusin në xhepat e tyre dhe pastaj për të kompensuar këtë vjedhje që i bëjnë qytetarëve shkurtojnë ndihmën ekonomike, shkurtojnë investimet, nuk rrisin rrogat, nuk rrisin pensionet, rrisin çmimin e energjisë. E gjithë barra e korrupsionit bie mbi shpatullat e qytetarëve dhe më shumë mbi shpatullat e qytetarëve të pamundur.
Papunësia e lartë ka sjellë rënie të fuqisë blerëse. Kjo ndihet tek dyqanet ushqimore, ku ushqimet jetike merren me listë.
Kasap: Kemi pas shit për shembull e zëmë 70-80 kile në ditë, tani shesim 20 kile. Taksat janë shumë të mëdha, dritat kanë hipur, xhiro s’ka. Familja ime ka qenë e majtë por ta harrojë e majta nga ana ime. Jam shumë i zhgënjyem.
Basha: Paratë i ka përpirë kuçedra, oligarkia. Paratë e oligarkisë do t’i kthejmë në treg duke ulur taksat, duke rritur konsumin, duke ndihmuar njerëzit në nevojë dhe më e rëndësishmja duke hapur fronte pune. Kjo është platforma jonë dhe unë të ftoj pavarësisht se je i majtë apo çfarë do që të jesh që të bashkohesh….
Kasapi: Nuk është puna i majtë apo i djathtë, jemi shqiptarë.
Basha: T’i bashkohesh me votë për veten tënde, për familjen tënde, për komunitetin tënd.
Banor: Më kanë arrestuar për energjinë elektrike, që unë asnjë lloj debie shtetit s’i kam. Pas 21 ditësh më nxorën të pafajshëm.
Basha vizitoi dhe një biznes fason. Duke parashtruar paketën fiskale të Partisë Demokratike, ai kërkoi nga sipërmarrësit rritjen e pagave.
Basha: Ju e dini platformën tonë që do ta çojmë 9% tatimin, 0 dividentin. E vetmja kërkesë është që një pjesë e kësaj të transferohet punonjësve në rritje rroge.
Administratore fasonerie: Po pse jo në qoftë se do të bëhej kjo.
Basha: Që të fitoni të dyja palët, edhe punonjësit, edhe biznesi.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha theksoi se investimet në infrastrukturë që hapin vende pune do të jenë prioritet i qeverisë së drejtuar prej tij. Duke u ndalur tek diskriminimi që qeveria u bën bashkive të fituara nga të djathtit ku pasojat bien direkt tek qytetarët, zoti Basha theksoi se kjo praktike antidemokratike do të marrë fund. Investimet e qeverisë do shkojnë kudo ku kanë nevojë qytetarët, pasi një qeveri votohet për t’ju shërbyer të gjithëve pa dallime politike.
Kreu i Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu: Kemi dërguar 96 projekte dhe ka dhënë zero lekë. Pra, një persekutim total po i bëhet kësaj bashkie.
Basha: Hapi i parë do të jetë ulja e taksave. Hapi i dytë do të jetë që paratë publike do të vijnë për investime publike, do të vijnë për ndihmë ekonomike, do të vijnë për rritje rrogash dhe pensionesh, nuk do të shkojnë për projekte luksi, as për hajdutëri qeveritare. Ua premtoj sot këtu, familjet në ndihmë ekonomike nuk do të paguajnë energjinë deri në 300kë, do të paguhet me paratë e buxhetit dhe e njëjta gjë me faturën e ujit.
Qeveria e zullumit thotë se ku do i gjeni paratë?! Fatura totale për familjet në ndihmë ekonomike për të paguar deri në 300 kë energjinë është 20 milionë dollarë në vit. Këta vetëm për orendi, për zyra, për perde, për xhaguarë harxhojnë 80 milionë dollarë në vit. Pra, me paratë që këta harxhojnë në një vit mund të paguajnë katër herë fatura e energjisë për familjet në ndihmë ekonomike.