*Nga Roland Shuperka, ekspert për kontrollin e duhanit
Është theksuar në vazhdimësi që kemi ligj të mire antiduhan, fatmirësisht në të gjithë përgatitjen e tij deri në diskutimin përfundimtar, kanë qenë prezent në Tiranë ekspertët më të mirë të OBSH-së. Në vazhdimësi kemi pasur probleme në zbatimin e tij. Paaftësia e ministrave për të luftuar korrupsionin në zbatimin e tij dhe për mos të pranuar dështimin, kanë tërhequr vëmendjen për të bërë ndryshime të ligjit dhe kjo ka ndodhur në vazhdimësi, i njëjti fenomen po ndodh edhe sot. Ndryshimet ligjore që ka pësuar ky ligj në vitin 2013 dhe 2014, nuk janë zbatuar ende edhe sot në vitin 2019. Por, në datën 14.2.2013 Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin 49/2013 për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin 9636, dt. 6.11.2006, ‘”Për mbrojtjen e shëndetit publik nga produktet e duhanit”. Krahas disa ndryshimesh të tjera, mes tyre parashikohej dhe përditësimi i përmbajtjes se paralajmërimeve shëndetësore tekstuale edhe me fotografi që tregojnë dëmet e shkaktuara nga duhanpirja në shëndet.
Ky ligj u dekretua nga Presidenti i Republikës në datën 01.3.2013 dhe është në fuqi që prej më shumë se 6 vitesh. Organi përkatës për hartimin dhe miratimin e këtyre paralajmërimeve është KMNSHPD, e cila kryesohet prej ministrit të Shëndetësisë dhe të Punës Sociale. Le ta sqarojmë, është votuar nga 140 deputetë dhe dekretuar nga Presidenti i Republikës dhe ngarkon ministrin e Shëndetësisë, i cili shpërfill: parlament, president dhe shëndetin e qytetareve. Mendoj se, kjo është arsyeja që, ministrja e Shëndetësisë kërkon të bëjë ndryshimet ligjore, për të justifikuar paaftësinë ose “mosdëshirën” për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve.
Nxitimi i ministrisë, për të aprovuar ndryshimet ligjore të ligjit antiduhan brenda një kohe të shkurtër nuk po bën gjë tjetër veçse po e shkatërron qëllimin për të cilin është bërë ky ligj, mbrojtjen e shëndetit publik. Zyrtarë të ministrisë në lidhje me ndryshimet ligjore, nën zë thonë: “S’kemi çfarë të bëjmë, e do ministrja për 31 Majin ditën botërore pa duhan, për të dalë para mediave. E nderuar Znj. Ministre, për një dalje në konference shtypi? E pakuptimtë! Ju duhet të bëni atë që ju nuk e keni bërë për gjashtë vite, detyrimin ligjor që ju ka ngarkuar Parlamenti i Shqipërisë. Përse ju nuk zbatoni ligjin? Përse ju dilni mbi ligjin? Përse ju nuk mbroni shëndetin e qytetarëve? A e dini se, në rast se ju do të zbatonit detyrimin ligjor, këto gjashte vite do të konsumohej më pak duhan? Adoleshentët dhe qytetarët do t’i largoheshin pirjes së duhanit? Do të kishte më pak sëmundshmëri dhe vdekshmëri? Në kohën që ju nuk do të jeni ministër i Shëndetësisë, ju do të jeni një person më se i thjeshtë dhe atëherë ndoshta nën zë duhet të mërmërisni: “Përse nuk u konsultova me specialist? Por, dëgjova propozime të zyrtareve servilë, kryeinspektorë hajdutë, që ju i fusni në organizma edhe si ndërtues politikash, që ata ta kenë më të lehtë “të ngulin dhëmbët dhe t’i pijnë gjakun” mijëra bizneseve dhe bareve në të gjithë vendin. Përfundimi do të jetë: Nuk do të mbrohet shëndeti publik, më shumë sëmundshmëri dhe vdekshmëri, kosto ekonomike për individin, familjen dhe buxhetin e shtetit, korrupsion. Do të kërkohen më shume tendera edhe për medikamente për sëmundjet kancerogjene (që janë në rritje të frikshme), do të pasurohen titullarët, sepse ata e përcaktojnë fituesin, ndërsa do të firmosin specialistet e thjeshtë nga dhuna psikologjike që i bëjnë drejtuesit arrogant të institucioneve që ju mbuloni. Po kërkoni që të rrisni penalitetet për dhjetëra mijë pronarë baresh dhe kafe, edhe pse? Sepse drejtuesit e paaftë dhe të korruptuar të Inspektoratit e justifikojnë: “Gjoba tre milionë lekë të vjetra është e vogël për subjektet që ndëshkohen për ligjin antiduhan, por të bëhet 6 milionë e më tepër”.
Kam afro një vit që jua kam bërë të ditur juve personalisht, që të mos bini në këtë kurth. Po ju kërkoj publikisht, tregoni një dokument që një subjekt në Shqipëri ka paguar dy gjoba nga 3 milionë, ku ju jeni bazuar për të bërë ndryshime në ligj. Nuk ka! Kjo rritje do të sjellë vetëm dhunë mbi kurrizin e mijëra bizneseve, që të nënshtrohen duke paguar nën dorë te zyrtarët e korruptuar dhe do të shohim më tepër subjekte që nuk do të zbatojnë ligjin. Ju bëj me dije se kur kryeinspektori bën planin për inspektime të fshehta për zbatimin e ligjit për pirjen e duhanit në ambiente të mbyllura, subjektet që i kanë “xhan” i njoftojnë dhe gjobiten subjektet që nuk paguajnë nën dorë. Kontrollet bëhen selektive. Interesohuni, a pihet duhan në institucionet e shëndetit dhe në zyrat e shtetit? Po në katin e katërt të ministrisë që ju drejtoni? Ju znj. ministre, në facebook, me krenari jepni numrin e inspektimeve dhe gjobave që ka vendosur inspektorati për javën, muajin apo tre mujorin e fundit. E para, inspektimi është detyrë për të cilën ata paguhen, nuk duhet të ndiheni krenare me 134 gjoba të vendosur këto muajt e fundit, të cilat janë tinëzare dhe shumica e tyre të jashtëligjshme. E dyta, ju krenoheni, që bizneseve të vogla i keni rrëmbyer afërsisht 340 mijë euro nga ekonomia e tyre familjare, por interesohuni se mos ndoshta janë marrë lekë edhe “nën dorë”. Përse inspektorati nuk publikon listën e subjekteve që janë gjobitur?
Kjo nuk i shërben transparencës! Aty do të duket selektiviteti i punës së inspektoratit dhe do të duket se: “Janë gjobitur subjektet më të këputura”. Specialistet dhe drejtuesit e korruptuar dhe servilë të Institutit të Shëndetit Publik, të cilët me studimet e tyre e renditën Shqipërinë vendin e parë në përdorimin e kokainës po ju fusin në qorrsokak dhe ju deklaroni shifra të pavërteta në lidhje me numrin e duhanpirësve që kanë lënë duhanin, për më tepër, këtë punë e kam mbuluar unë për gjithë këto vite duke raportuar në OBSH. Shifrat që ju deklaroni nuk e mbulojnë të vërtetën e dhimbshme: “Që çdo vit vendi ynë humbet rreth 90 milionë euro, çdo vit nga tregtia e paligjshme”. Kam shpresuar se ju do ta bënit alarm në qeveri këtë fakt që e kemi shkëmbyer së bashku afro 20 muaj më parë. Ju informoj se ministrja Etilda Gjonaj, në një konferencë shtypi ka deklaruar se shkarkohet n/drejtori i ISHP-së nga strukturat antikorrupsion. Ju bëj më dije se nuk ka mbërritur shkresë në institucion për shkarkimin. Dy janë arsyet, e para se është njeriu i afërt i ish ministrit Beqaj ose e dyta, drejtorja nuk e shkarkon, ndoshta nga frika e akuzave për njeri tjetrin mbi përgjegjësinë e korrupsionit. Së fundi, Ju falënderoj për komunikim që kemi pasur gjatë kohës që jeni në detyrën e ministres, edhe për vendimmarrjet që keni marrë edhe nga sugjerimet e mia, në dobi të shëndetit publik dhe luftës së korrupsionit, siç ishte rasti i librezave shëndetësore. Ju shpjegoj, se u tërhoqa nga grupi më i ngushtë i punës i ministrisë, për ndryshimet ligjore të ligjit antiduhan, sepse nuk mund të bëhesha “sehirxhi” i shkatërrimit të këtij ligji dhe që ky ligj të shërbejë për përfitime të jashtëligjshme siç kam theksuar më sipër.
Nuk do të lodhem kurrë së luftuari për bindjet e mia profesionale të këtyre 24 viteve të fundit në fushën e kontrollit të duhanit. Kjo është arsyeja, pse unë do t’i ftoj në debat publik, politikëbërës, profesionistë të shëndetit dhe organizata joqeveritare, sepse mendoj se ju e keni gabim, që për dy minuta lajme me rastin e 31 Majit të shkatërroni punën e shumë profesionistëve të shëndetit publik dhe timen në fushën e kontrollit të duhanit për mbrojtjen e shëndetit publik. Do vazhdoj t’u qëndroj besnik parimeve të mia, dhe pse e kuptoj që mbase duhet të pres derisa politikëbërës më të përgjegjshëm të konsiderojnë ribërjen e ligjit antiduhan si detyrë parësore, për një ministër Shëndetësie.