Drejtori i Partizanit, Olsi Rama, i ftuar në “Pressing në ABC News” të gazetari Gerti Çarçani, rrëfehet për aventurën e tij tek Partizani, për ekipin që menaxhon dhe që po del kampion.
PARTIZANI, EKIPI MË I MIRË? – Unë kam konflikt interesi këtu, por e them që Partizani është ekipi më i mirë. Është grupi më i mirë, që ka zbatuar me shumë përpikmëri detyrat që i janë dhënë nga stafi. Kemi pasur edhe rritje cilësore të elementëve. E vërteton fakti që në ditën pushim, të dielën, shkuam të ngushëllonim Belicën. Pas ndeshjes, të gjithë kërkuan a e kishim pushim të dielën, se donin të shkonin me makinat e tyra tek Egzoni. Por, padyshim ne nuk i lamë, dhe shkuam me autobusin e Partizanit të gjithë bashkë.
A E SYNONIT TITULLIN? – Synimi ynë në fillim ishte të rrisnim një brez që të mësohej të bëhej kampion. Në sajë të punës së mirë të stafit dhe lojtarëve, rezultatet u arritën më shpejt se sa mendohej. Por, puna është në fillimet e veta. Nuk kemi objektiv vetëm një titull për një vit. Duam të rrisim cilësinë e ekipit, por edhe të nivelit të kampionatit.
FUTBOLLI SHQIPTAR – Nuk e kisha parashikuar. Të vegjël kemi idhujt tanë. Por, Demi më bëri një bisedë në një moment, dhe më kërkoi që të bëhesha pjesë e projektit ta ndihmoja. Mu duk diçka interesante. Është një eksperiencë shumë interesante. Kam punuar me orare të zgjatura në jetën time, por kam pasur një rregull. Mbyllja kompjuterin në zyrë, dhe nuk merresha me punën. Këtë nuk e bëj dot me Partizanin. Është një pasion i bukur, dhe mund të flas në çdo orë të ditës për Partizanin.
GAZ DEMI I ANEKSUAR? – Gazi nuk është aspak i aneksuar. Sa herë është, ka gjithmonë batutën e vet. Ne takohemi përditë, flasim për problemet. Kur është e nevojshme, flet me lojtarët dhe stafin. Është më mirë kur ndodhin gjërat në pjesën e mbyllur të ekipit.
POLEMIKAT – I kemi mbajtur larg grupit polemikat për të qenë sa më të qetë. Mbaj mend në Laç, pati një penallti shumë të dukshme, por trajneri Gega, me një “zotnillëk” e kaloi duke e quajtur një rast që nuk do vendoste ndeshjen. Kalari ndeshjen e fundit bëri një sprint 30 metra, që të shkonte të ankohej te arbitri për një faull. I thashë se çfarë po bën, je 34-vjeç dhe ruaji energjitë për topin e gjatë kur të vijë te sulmuesi kundërshtar. Partizani është ekip i madh, nuk duhet të ngelet duke u marrë dhe të viktimizohet. Edhe arbritrat do gabojnë, por ne nuk do ngelim të merremi me disa raste. Ne na intereson rivaliteti i fortë, sepse gjëja më e bukur është derbi Partizani-Tirana.
FJALËT E GJICIT – Unë nuk merrem me fjalë, me “sikur”. Edhe Partizani nuk luan në shtëpinë e vet. Ne mund të jemi ekipi i vetëm që nuk kemi një shtëpi. Luajmë në “Selman Stërmasi”, sezonin tjetër do të shohim si do shkojë “Arena Kombëtare”, por mendja është tek puna në kompleksin tonë.
STRUKTURAT – Skënderbeu në vitet e fundit ka qenë një model për këtë realitet. Ka ditur të ndërtojë me kujdes, një ekip që arriti deri në Europë me ato rezultate. Është një shembull. Por, Partizani është një ekip me histori më të madhe, dhe ambicia jonë do të jetë për t’i tejkaluar të gjitha këto. Objektiv për vitin tjetër është ndërtimi i atij kompleksi. Akademia që do jetë aty, do jetë më pas edhe më e lehtë të tërheqim talente nga i gjithë rajoni.
PARTIZANI, 3 VITE MË PARË – Ai Partizani ka pasur lotjarë me nivel shumë të mirë. Hoxhën, Fejzullahun, Felipe me një lojtar me të kaluar te Roma, Torasa dhe Ekuban, të cilin e kemi pasur fat ta kemi në Shqipëri. Unë them se ky Partizan ka një Trashi më të mirë se atëherë, ka një qetësi në qendër të mbrojtjes. Ka një Telush që ka luajtur në nivele të larta. Për të mos folur për talentet e Malës, Bardhit dhe Asanit, që i kanë kaluar pritshmëritë tona. Krahasimet nuk i bëj dot, se nuk jam ekspert, por unë them se suksesi jonë është tek puna e grupit, dhe jo tek individi.
GEGA ARKITEKT? – Unë i jap 100% suksesit Gegës, ashtu si skuadrës. Gega bëri atë që me dëshirën dhe me punën e vet, ndërtoi bazat. Krijoi besimin se po ndërtohej diçka e rëndësishme. Lojtarët e ndoqën, u rrit performanca e ekipit, dhe e Gegës me kalimin e kohës. I gjithë stafi, nuk i ndaj as përgatitësin atletik, trajnerin e portierëve, të gjithë, por Gega ka qenë moderatori i të gjithë gjësë. Ka krijuar një marrëdhënie të mirë me lojtarët, dhe i ka motivuar për këto rezultate.
SKËNDERBEU DOBËT? – Çdo ekip ka kurbën e vet, Korça nuk është ekipi që ka qenë vjet ose parvjet. Për mua, preferoj t’i motivoj me ndeshjen e radhës. Profesionistët duhet t’i përgjigjen kësaj gjëje. Ata luftojnë për maksimumin, që të kenë një të ardhme te një ekip tjetër.
ARBITRAT – Nuk besoj se është favorizuar ekipi më i mirë. Gabimet e arbitrave kur janë në favor të një ekipi të madh, bien më shumë në sy kur i ndodh ekipeve të vogla.
RASTI ASANI – Mos besoni gjithmonë atë që lexoni. Objektivi jonë si Partizani, është që këta lojtarë t’i rrisim profesionalisht, dhe si njerëz me cilësitë më të mira, dhe t’i transferojmë diku jashtë në kampionate më të mira. Kështu fiton edhe lojtari, edhe Partizani. Ai është në kontratë, dhe kush do ta marrë, duhet të flasë me Partizanin më parë. Nuk ka si të bëhet si rasti Ekuban, sepse ka kontratë edhe për vitet e tjera.