Teksa shpallte nismën për mbledhjen e kontributeve për ta bërë me shtëpi Xheison Baftin, i cili me paraqitjet e tij këtë vit “Në Kurthin e Piter Pan” ka fituar zemrat e të gjithë telespektatorëve, moderatorja Alketa Vejsiu u përlot.
“Këto janë fjalë zemre. Gjatë këtyre ditëve jam përballur me të gjitha llojet e komenteve edhe pse u nisëm me mendimin që të bënim diçka të mirë për njërin nga fëmijët, shumë të dashur për ju, por edhe për ne. Dua të them një gjë të vërtetë të jetës sime personale, është e vërtetë unë kam jetuar në një shtëpi që fuste edhe ujë brenda dhe u rrita me besimin dhe dëshirën e madhe që të bëja diçka të mirë për jetën time. Punova dhe ia dola në një kuptim”, tha Alketa Vejsiu, e përlotur në transmetim live.
“Në instamessage tek faqja ime mund të ketë mbi 2 500 kërkesa për të kontribuuar. Jam e bindur që pasi kjo është transmetuar si video në Tv Klan ne do ta arrijmë qëllimin tonë që jo vetëm t’i rindërtojmë shtëpinë Xheisonit.”
Në shtëpinë e Xheisonit jetojnë 6 pjesëtarë të familjes, 2 gjyshërit e moshuar, 2 prindërit dhe 2 fëmijët.
“Gjyshi i Xheisonit, që është një burrë në moshë të thyer, vazhdon e punon edhe sot e kësaj dite maleve të Krrabës, babai punon në jug të Shqipërisë dhe shtëpinë e ka ndërtuar gjyshi me forcat e tij 34 vite më parë. Dheu ka rrëshqitur, sepse është ndërtuar në mënyrë të thjeshtë shtëpia, një lëkundje tërmeti e ka rrënuar pothuajse fare dhe ju patë pamjet.”
Vejsiu tha se kjo është një histori që me siguri ngjan me shumë histori të tjera në Shqipërinë tonë të vogël, dikur të varfër, “por ja që ne këtu ‘Në Kurthin e Piter Pan’, ne mendojmë që një nga “Piter Panët” më të spikatur, që ka bërë audiencë, spektakël dhe ka prekur zemrat tona, është Xheison dhe Xheisonit i kemi dhënë pak më shuam hapësirë dhe kjo është bërë me konsensusin absolut të pjesëtarëve të tjerë të kastit të fëmijëve dhe familjeve të tyre.”
Moderatorja e “Në Kurthin e Piter Pan” tha se sa do të kontribuojë edhe personalisht.
“Meqë çfarë nuk kam dëgjuar këtë javë, dua të them që një pjesë të mirë të pagës sime “Në Kurthin e Piter Pan” të këtij viti që ma akordon Tv Klan, unë e dhuroj personalisht për Xheison dhe familjen e tij. Kjo do të jetë e hapur, produksioni i këtij emisioni, Vera Grabocka, kolegët tanë, sigurisht kolegë shumë të mirë të Tv Klan, pronarët e tij, të gjithë jemi angazhuar që të japim kontributet tona.”
Qëllimi i gjithë kësaj iniciative, tha Alketa Vejsiu, është që Xheison të sillet në Tiranë.
“Qëllimi është vetëm një, që Xheison të vijë me shtëpi në Tiranë, të mos jetojë atje në Krrabë, të ketë një institucion të mirë ku të mund të zhvillojë inteligjencën e tij natyrale. Kjo është ajo që ne po përpiqemi të bëjmë. Një gjë dua ta nënvizoj. Familja e këtij djali është një familje shumë dinjitoze, që unë e respektoj shumë. Nuk ka ardhur në këtë spektakël për të kërkuar asgjë, ata thjeshtë sollën djalin që të ishte këtu pjesë e panelit dhe t’i realizonin një ëndërr. Të bëhej pjesë e këtij spektakli. Nuk kanë kërkuar asgjë, nuk i janë ankuar askujt. Kanë jetën e tyre, janë të kënaqur aty ku jetojnë. Nëna e tij më tha diçka shumë të bukur: ‘në këtë fshat ka njerëz që jetojnë shumë më keq, ka njerëz që jetojnë diçka më mirë, kryesisht jemi të barabartë’, por ja që ndonjëherë fati troket në një derë të caktuar.”
“Jam e bindur se diçka shumë të mirë shqiptarët për Xheisonin do ta bëjnë”, tha Alketa Vejsiu, duke publikuar edhe numrin e IBAN, ku të gjithë ata që dëshirojnë të kontribuojnë, mund të derdhin kontributin e tyre.