Të dhënat e fundit të disponueshme nga Banka e Shqipërisë tregojnë se për 1 milion copë kartëmonedha në qarkullim, 5.7 prej tyre janë të falsifikuara.
Sipas të njëjtave të dhëna, kartëmonedha prerjen 1000 lekë zë pjesën më të madhe të totalit të kartëmonedhave false, e pasuar nga prerjet 500 lekë dhe 2000 lekë.
Nga ana teknike, kartëmonedhat kombëtare të falsifikuara riprodhohen me teknikë bazë printimi digjital me ngjyra, të shoqëruara me aplikimin e metodave artizanale shtesë për imitimin e disa elementëve të sigurisë.
Por, ndonëse të dhënat për vitin 2018 nuk janë publikuar ende, tregtarët e kryeqytetit, që janë në kontakt të vazhdueshëm me paratë, i kanë jo të panjohura eksperiencat me paratë e falsifikuara. Madje njëri prej tyre tregon rastin e fundit e ka pasur vetëm para pak ditësh.
“Pardje më ka ardhur një 10 mijë lekëshe false. Erdhi një plak, por unë sa e kapa me dorë e kuptova që ishte false. Kam një stilolaps verifikues me të cilin i provoj: po u nxi kartëmonedha është false, nëse nuk nxihet është në rregull”,-tregon tregtari, që ka një dyqan të vogël në tregun çam, në kryeqytet.
“ Mua më ka ndodhur para disa vitesh. Unë nuk e dallova fare, por kur shkova të blija në një dyqan tjetër e dalloi shitësi që ishte false”,-thotë një tjetër tregtar, që operon në të njëjtin treg.
Megjithatë, ata thonë se janë pak të informuar mbi elementët e sigurisë së një kartmonedhë dhe metodat që përdorin për identifikimin e tyre janë të thjeshta, duke u fokusuar te prekja me dorë apo edhe përdorimi i stilolapsëve specifikë, që lënë gjurmë në kartëmonedhë.
“Ne punojmë çdo ditë me lekun dhe zakonisht e dalloj me prekje, plus që ndonjëherë e ngre në dritë dhe shikoj “kokën”. Ndërsa për përdorimin e stilolapsit ka qenë ideja ime sepse e vura re që kishte para’ false në qarkullim dhe e bleva kur dola jashtë shtetit”- thotë tregtari.
Elementët e sigurisë
Kartëmonedhat aktuale në qarkullim kanë 7 elementë sigurie. Shtypi i ngritur, që prodhon në efekt relievi në bojën e përdorur mbi kartëmonedhë është njëri prej tyre.
Me rrëshqitjen e gishtave përgjatë sipërfaqes së kartëmonedhës, prania e shtypit të ngritur mund të perceptohet tek imazhet kryesore në të dy anët e kartëmonedhës. Një tjetër element është filli i sigurisë i thurur në letrën e kartëmonedhës.
Me shikim të lirë, në anën e përparme të kartëmonedhës filli shfaqet në sipërfaqe si vijë e gjerë dhe ndërprerë në ngjyrë argjendi, në të cilën shkruhet vlera nominale e kartëmonedhës. Nga ana tjetër filigrama është një element sigurie i realizuar në letrën e kartëmonedhës. Duke e mbajtur kartëmonedhën kundrejt dritës, rishfaqet portreti i kartëmonedhës.
Një tjetër tregues është elementi i regjistrimit që në kartëmonedhat shqiptare përfaqësohet nga një figurë e stilizuar e shqiponjës. Ky element është i shtypur në të dyja anët e saj dhe kur shihet kundrejt dritës duhet që të dyja figurat të përputhen saktësisht mbi njëra-tjetrën, duke formuar një imazh të vetëm.
Nga ana tjetër, imazhi i fshehur është një element sigurie i cili bazohet në efekte optike të shtypit të ngritur kundrejt dritës, ndërsa mikroteksti është shkrim me përmasa të vogla, qartësisht i lexueshëm me një lente zmadhimi.
Në kartëmonedhat e vërteta, ky tekst duhet të duket i konfiguruar qartë. Kartëmonedhat shqiptare përmbajnë edhe elemente për të ndihmuar të verbërit t’i dallojnë ato nga njëra tjetra. Ndërkaq, përveç tregtarëve, pikat e këmbimit valutor, gjithashtu janë kontakt të vazhdueshëm me kartëmonedhat vendase dhe ato të huaja.
Ndërkaq, edhe institucionet bankare thonë se përballja me këto lloj kartëmonedhash është e shpeshtë, por metodat që përdoren për identifikimin e tyre, padiskutim janë tejet të sofistikuara.
“Mund të themi që ka tentativa, sidomos në Shqipëri që është një ekonomi që qarkullon me vlera të larta në kesh, në ndryshim me shtetet e tjera, ku janë të zhvillura edhe metoda alternative të tjera dhe paraja fizike ka ardhur në rënie si vlerë”,-thotë Rinald Gjyli, nëndrejtor i Departamentit të Thesarit në ‘Credins Bank’.
Përgjithësisht klientët nuk janë në dijeni, që janë duke futur një kartëmonedhë të falsifikuar në bankë. “Nuk bën sens në vitin 2019, me sistemet që bankat përdorin, me identifikimin e kamerave apo me aparatet e numërimit të kesh-it, që përveç numërimit bëjnë dhe identifikimin e elementëve të sigurisë të tentohet të futen qëllimisht para’ të falsifikuara”,-thotë Gjyli.
Por, sipas tij individët duhet të shmangin transaksionet me vlera të mëdha në institucione jobankare, pasi mundësitë për të rënë në kontakt me kartëmonedha të falsifikuara janë më të mëdha./SCAN TV