Skënderbeu luan nesër ndaj Flamurtarin në një ndeshje që mund të jetë përcaktuese për fatin e korçarëve në kampionat.
Trajneri i ekipit, Orges Shehi, në fjalët e tij para mediave, ka argumentuar se suksesi është i detyrueshëm edhe pse skuadra ka filluar të ndjejë lodhjen e një kalendari të ngjeshur, ndërkohë komenton edhe zërat për probleme financiare në klubin korçar.
“Ka qenë një javë e ngarkuar, pasi kemi bërë tre ndeshje brenda 8 ditëve. Ndaj gjatë kësaj periudhe, pas ndeshjes me Kukësin, jemi munduar që të fitojmë sa më shumë energji dhe sigurisht me ndeshjet kaq afër, ritmi në stërvitje bie.
Ndeshja me Flamurtarin e dimë që na ngjit shumë lart. Duhet të fitojmë medoemos se një fitore na afron shumë me kreun, aty ku duhet, kështu që është një ndeshje me rëndësi të madhe. Ka vështirësi, në këtë kampionat që luajmë sivjet, diferencat janë shumë të vogla. Gjëra të vogla e bëjnë diferencën nëse shkon lart apo poshtë, ndaj ka vështirësi.
Do të hedh në fushë atë që mendoj se janë të gatshëm e përshtatshëm për nesër. Po vazhdon gjendja e Muzakës të cilin po e ruajmë nga ai dëmtim që ka marrë, edhe Taipi nuk është në 100% por nesër do të jetë bashkë me ne. Kurse pjesa tjetër është në rregull përveç lodhjes që është konstante se kemi luajtur para tre ditësh.
Financat? Te Skënderbeu nuk është se ka probleme pagash, sigurisht ndoshta mund të ketë ndonjë vonesë. Jemi në Shqipëri, çdo gjë mund të ndodhë. Por e sigurt është që nuk ka probleme”, deklaroi Shehi.