Nga Pano Soko
Nuk kam shkruar deri më sot asgjë për partinë e re që është krijuar, pasi të jem i sinqertë kam përtuar të shkruaj. Kjo, pasi vija e logjikës sime është kaq e gjatë, saqë lodhesha vetëm duke e sjellë në mendje, leje më ta shkruaja.
Gjithsesi dje u ngacmova, dhe meqë ngacmimi s’më kaloi (pavarësisht se mendova “varja, nesër do të të kalojë”-kjo s’ndodhi), sot vendosa të mundohem t’i përmbledh sa mundem.
E para, bënë mirë që hoqën atë Rudinën një herë, se ajo ishte tepër..sinqerisht. Edhe për një teatër grotesk siç është skena aktuale politike shqiptare, ajo ishte tepër. Po të ishte ajo ende, as do merrja mundimin të shkruaja fare. As një buf s’do të shpenzonte bateri telefoni, besoj unë, për të folur për partinë e Rudinës.
E dyta në verën që shkoi, pas ndodhive në PD, sinqerisht prisja që Patozi të krijonte një parti të vetën. Kishte gjithë tagrin moral dhe politik që pas atyre që ndodhën, ku atij iu refuzua një garë e barabartë mes të barabartësh për Kryetar, pas shpikjes nga ana e Bashës së nocionit kubist të “ngrirjes” (sa kam qeshur atëherë kur Luli “ngriu”😂😂😂), Patozi&Co të dilnin dhe të themelonin një parti të re, mbi principe të reja. Në atë kohë e gjitha bënte sens.
Por ai nuk e bëri. Personalisht e justifikova. Ngritja dhe mbajtja e një partie, besoj se duhet të jetë një stërmundim i madh. E imagjinoj. Pasi kalojnë ato ditët e para ku ti ke të drejtuar gjithë projektorët e vëmendjes publike e ku ti shijon të qenurit në qendër të skenës, pastaj vijnë ato ditët e gjata e të lodhshme ku ka vetëm punë, rutinë, lodhje, shpenzime dhe periferì vëmendjeje. Asgjë e bukur, vetëm gri..
E pra, e justifikova Astritin. Dhe e mirëkuptova justifikimin që ai gjeti “do rrimë në PD që të luftojmë të reformojmë partinë”, sado për të qeshur që më bënte.
Por Astriti që përtoi atëherë, papritur, në momentin më surprizues, kur Ramës i duhej dëshpërimisht një “opozitë” për të vazhduar e dhënë imazhin fals sikur këtu ka demokraci që funksionon, vendos të bëhet këmbaleci që e mban demagogjinë lart. Këtë e kupton dhe bufi…madje e kuptoi dhe bufi.
E treta është teza që ka zgjedhur. Teza anti-sistem. E këtu e gjitha kthehet, siç tradicionalisht ndodh në Shqipëri.. në qesharake.
Njeriu, për partinë e të cilit u angazhua gjithë sistemi, me gjykata, me KQZ, me firma, e çdo gjë tjetër dhe ia kopsiti gjithë letrat për 5 orë, njeriu që ka qënë vetë një ndër inxhinierët e këtij sistemi, dhe që pranon të futet në garë me këtë sistem, papritur zgjedh të ketë si promotorr tezën kundër sistemit.
Okkkk. A ka më…??😂😂
Në një farë mënyre, sistemi aktual, me krijimin e BD, ka qënë koherent me veten. Në bazë të rregullave të lojës së këtij sistemi qëndron “hileja”.
Në këtë sistem, aktorët, sa herë janë në vështirësi, shpikin nga një hile. Kjo është një skenë që përsëritet, ka tash e 30 vjet. Pa menduar as për moral, as për cipë politike, ata nuk lodhen të sajuari hile njëri tjetrit. Hile me Dushkun, hile me FRD, hile me Bojaxhiun, hile me LIBRAn etj.. Ky është një sistem hileqarësh të ngritur në sistem. As moral, as burrni, pa bërë llaf për frikë apo të paktën siklet nga elektorati (varja elektoratit, se dele janë – kjo është ajo që mendojnë).
BD është hileja e rradhës që Rama e krijoi si me VKM(dhe meqë jemi këtu, hilja duket që nga logo – e ka bërë logon që t’i ngjajë asaj të PD, me shpresën se do ketë votues të PD të pavëmendshëm, që do ta ngatërrojnë te fleta e votimit dhe do t’ia japin BD votën në vend t’ia japin PD..)
Për ta mbyllur, dua ta falënderoj Patozin për një gjë. Me BD-në e vet konsolidoi te njerëzit idenë që ky sistem nuk do të ndryshohet asnjëherë nga njerëz që vijnë nga brenda tij. Ata thjesht do të shpikin hile që t’u marrin mendjen njerëzve, gjoja sikur do të ndryshojnë, por s’kanë për ta bërë asnjëherë. Deri më sot hilet kanë funksionuar. Sot jo më. Njerëzit janë ndërgjegjësuar.
Nuk do ta ndryshojnë asnjëherë sepse nuk iu intereson – kaq e thjeshtë është. Ndryshimi mund të vijë vetëm me presion nga jashtë sistemit, me presionin e njerëzve të thjeshtë.