Partia Demokratike ka akuzuar Kryeministrin Edi Rama se nuk po shkarkon nga detyra kryetarin e Bashkisë së Kavajës, edhe pse ndodhet në arrest shtëpie për falsifikim të dokumenteve dhe janë bërë publike dënimet dhe dëbimet e tij nga shtetet evropiane, si dhe po hetohet nga DEA amerikane për trafik droge dhe pastrim parash.
Sekretari për zgjedhjet në PD, Ivi Kaso, duke folur nga selia blu tha se Kryeministri po u “jep zemër” të fortëve, dhe këtu përmendi plagosjen e trefishtë të ish-drejtorit të Zyrës së Punës në Kavajë, që u konfliktua me kreun e FRPD në këtë qytet.
Kaso shtoi gjithashtu se Rama do ta paguajë shtrenjtë këtë faturë.
Deklaratë e Sekretarit për Zgjedhjet, Ivi Kaso
Edi Rama nuk ka ndërmend të largohet nga vëllazëria e krimit, përkundrazi po e thellon lidhjen me ta, duke i siguruar Rroshit daljen nga qelia, dhe duke u dhënë zemër banditëve të tij të shtijnë me armë në mes të qytetit ndaj qytetarëve dhe kundërshtarëve politikë.
Ndërsa kjo ngjarje e rëndë ndodh, dhe autori është nënkryetari i tij i partisë në Kavajë, i cili ikën nga skena e krimit me ndihmën e kryetarit të partisë së tij në Kavajë, Edi Rama jo vetëm nuk thotë një gjysëm fjale, jo vetëm nuk distancohet, por u jep gajret, mbështetje e përkrahje, dhe vendos policine në dispozicion të tyre.
Kjo është një shkelje syri që Edi Rama u bën gjithë banditëve nën armë që ka në gjithë vendin, duke u treguar se është me ta, duke u treguar se ata gëzojnë plotësisht mbështetjen e tij.
Duke u treguar se vëllazëria e krimit është në fuqi.
Edhe pse i dënuar në Itali për përdhunim në grup, edhe pse ka përdorur 5 emra për krimet e tij të ndryshme në Europë, edhe pse DEA amerikane e ka kërkuar për trafik droge e pastrim parash, Edi Rama vazhdon ta mbrojë me fanatizëm Rroshin e tij.
Ende, Edi Rama nuk ka lëshuar një firmë për shkarkimin e Rroshit, kur faktet e të kaluarës së tij kriminale i di sot çdo shqiptar.
Ai ka ende kryetar partie në Kavajë një të dënuar për drogë, dhe ka edhe sot që flasim nënkryetar partie në Kavajë autorin e plagosjes së trefishtë, dy ditë më parë.
Njerëzit presin një reagim, socialistë, të majtë e të djathtë janë të neveritur e të revoltuar, dhe Edi Rama thotë se Arrigo Saki me ka nisur një mesazh.
Ky poshtërim që po u bën Edi Rama qytetarëve me bandat e tij të armatosura po kthehet në kosto shumë të lartë, dhe shefi i rilindjes duhet të përgaditet ta paguajë shtrenjtë këtë faturë.