Intervistoi Basir Çollaku
Lufta me krimin. Droga dhe politika, lidhjet e saj me pushtetin mbështetja që merrnin të inkriminuarit. Përplasjet me ministrat, për trafiqet dhe implikimet e tyre. Ngjarja e trafikut të drogës me avionë. Linjat e heroinës dhe kokainës, si përfshihej Tirana në këtë skemë të madhe. Bandat dhe krimi nëpër qarqe të ndryshme të vendit. Lazarati, sjellja e të huajve mbështetja e tyre. Sekuestrimi i 200 mjeteve të trafikantëve. Deputetë që mbronin trafikantët dhe trafikantë që ndërronin parti sipas pushtetit, lobimi i tyre në qeveri për të më larguar nga detyra, lidhjet me politikën dhe implikimi i oficerëve të policisë…
Fillimet e punës tuaj në Policinë e Shtetit?
Pasi kam mbaruar shkollën e Ministrisë së Brendshme ne vitin 1991, në nëntor të 1991 kam nisur punë si specialist në Dibër, dhe pas disa vitesh, konkretisht në vitin 1998, kam punuar në Komisariatin e Policisë nr 1 në Tiranë, si specialist i policisë kriminale, në sektorin që merrej me vrasjet. Në vitin 2000, kam qenë Shef i Policisë Kriminale në Komisariatin e Policisë nr 3. Tiranë. Pas pak muajsh jam emëruar Shef i Sektorit Kundër drogës në Drejtorinë e Policisë Tiranë deri në vitin 2004, për tu rikthyer në komisariatin nr 2 si Shef i Krimeve e më pas në komisariatin nr 1. Nga dhjetor 2005 deri në qershor te vitin 2007, Shef i Komisariatit te Policisë në Drejtorinë e policisë në Shkodër, dhe me pas deri në gusht 2008 Drejtor i Policisë së Elbasanit, për të vazhduar me detyrën e drejtorit të Policisë së Gjirokastrës deri ne fund te vitit 2009. Kam qenë në detyra të ndryshme në Drejtorinë e përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe në vitin 2013, jam emëruar Zëvendës Drejtor për Rendin ne Drejtorin e Policisë në qarkun Dibër ku kam qëndruar rreth një muaj.
Sërish transferime?
Në atë periudhë doli sërish një urdhër tjetër emërimi, për Zëvendës Drejtor të Rendit e Sigurisë, në Drejtorinë e Policisë Tiranë, urdhër që mu njoftua zyrtarisht, por që çuditërisht, nuk u mundësua asnjëherë , ndonëse unë u thirra për tu prezantuar në këtë detyrë,
Përse?
Ka pasur presione, më saktë ndërhyrje nga eksponentë të Politikes, që unë të mos emërohesha në atë detyrë, të cilët ia imponuan edhe ministrit që unë të mos filloja. Drejtori i Përgjithshëm më mori dhe më tha që anulohet urdhri
Arsyeja?
U mor vesh, ishte tërësisht politike, e palidhur me punën dhe profesionin tim.
Çfarë bëtë?
Unë isha në pritje dhe pas disa ditësh më merr Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Hysni Burgaj, dhe më thotë se duhet të takosh menjëherë ministrin e brendshëm z. Saimir Tahiri.
E takuat?
Po sigurisht. Ishte i paqartë për arsyen e anulimit të urdhrit për punën time, justifikohej turbull pa ditur mirë se cilën arsye ligjore apo profesionale të më jepte. Më tha se do të më gjenin një vend që më takon, ndonëse ishte edhe problemi i gradës, sepse në detyrën ku isha emëruar si Zv Drejtor ne Drejtorin e Policisë ne Tirane, isha zëvendësuar me dikë që kishte gradë më të ulët se imja, dhe kjo kërkonte një emërim që të kishte përputhshmëri grada që unë mbaja. Tahiri më tha që duhet ti besoja se do me rregullonte ai. Unë i përgjigjem se ju nuk e keni problem të më hiqni dhe fare nga puna. Më kërkoi të hiqja dorë nga grada që të më mundësonte një pozicion pune në Ministri në sektorin civil, në drejtorinë e inspektimit
Pranuat?
I them se jam oficer karriere dhe kjo është puna që kam bërë ndër vite. Ministri Saimir Tahiri më premtoi se do të rregullohej puna. Madje une kisha bërë edhe një strategji për vendin e ri të punës që u emërova, dhe ministri më kërkoi ta bëja prezent. Ia dhashë dhe ai atë material e ka prezantuar në një takim para oficerëve të policisë së qarkullimit, sepse një pjesë e punës kishte këtë target.
Nisët punë?
Po nisa punë, ndonëse me kosto financiare dhe profesionale. Pas një muaj, më emërojnë Zv Drejtor Policie në Berat. Aty kam punuar 6-7 muaj dhe patëm tregues të mire në punë duke zbardhur edhe dy vrasje të vjetra të vitit 97-të dhe ndaluar 4 autorë për këto ngjarje, duke ndërtuar bashkë me kolegët një punë shumë të mire, u godit një grup për vjedhje nafte në puset e naftës ne Kuçovë etj. Gjatë kohës që unë kam qenë me detyrën e Zv Drejtorit të Policisë në Drejtorinë e Policisë Qarkut Berat, në nëntor të vitit 2013, mbase mendoj për herë të parë jo vetëm në Berat po në gjithë Policinë e Shteti nga strukturat e kësaj Policie është marrë një informacion ku thuhej:
“Në Lushnjë është bllokuar rruga nga dy anët nga dy fouristrada me ngjyrë të zezë me ngarkesa të dyshimta..etj, Në rrugë është ulur një avion i vogël, dhe me shpejtësi në të janë ngarkuar disa çanta me ngjyrë të zezë e ai është larguar gjithashtu dhe personat janë larguar.”
Me marrjen e këtij informacioni nga ana e Drejtorit te Policisë është njoftuar menjëherë Drejtori i Policisë së Shtetit, dhe informacioni është dërguar edhe në rrugë zyrtare. Nga ana jonë nuk mund të bëheshin veprime të mëtejshme për të ndjekur informacionin se ishte jashtë juridiksionit tonë. Sa kam mësuar më vonë ky informacion ka rezultuar i vërtetë pasi për verifikimin e tij janë angazhuar edhe strukturat e tjera ligjzbatuse e SHISH i Fierit ka konfirmuar vërtetësinë e informacionit të marre nga strukturat e Policisë Berat.
Por sërish një tjetër urdhër?
Po. Një ditë në shkurt të vitit 2014, më merr Drejtori i Personelit dhe më thotë nesër duhet të paraqitesh tek Drejtori i Përgjithshëm z. Didi.
U paraqitët
Sigurisht. takova Drejtorin. Ishte hera e parë që e takoja nuk e njihja e as nuk e kisha takuar më parë. Ai më thotë se kam firmosur urdhrin për të të dërguar në Korçë, nuk të mora mendim më tha se po të dërgoj për mirë, sepse aty kemi probleme, kryesisht me efektivat, por aty kemi edhe një drejtor i cili nuk ka shumë përvojë, ndaj mendoj të të dërgojmë ty.
Si reaguat?
I them drejtorit se unë nuk jam i SHKB, që të merrem me efektivat. Jo më thotë, por di që keni punuar mirë dhe keni pasur rezultate. Dakord. Pranova dhe kërkova që të kisha mbështetje nga drejtori, të cilën ma premtoi. Sepse e dija, ndërhyrjet e mundshme të pushtetit dhe politikës nuk të linin të bëjë punën, për të pasur rezultate.
Sa qëndruat në Korçë?
Qëndrova afro një vit.
Në detyrën tuaj problematika e drogës, kur jeni hasur me të?
Thuajse gjithnjë. Kur vajta në Drejtorinë e Tiranës rreth viteve 2000, në detyrën e shefit të antidrogës, Zyra kishte pesë punonjës bashkë me shefin. Problematikat ishin të rënda, nga trafiku, shpërndarja, transporti, konsumatorët, ishte një gjendje e rëndë
Cilët droga trafikoheshin kryesisht?
Heroina dhe kokaina, por kryesisht heroina, me të cilën ne patëm më tepër raste goditëse. Unë duke parë situatën tepër të rëndë, kërkova që të shtohej numri oficerëve dhe agjentëve duke argumentuar nevojën e domosdoshme që detyronte situata ku gjendej kjo Zyrë, dhe organika u rrit nga 5 në 25 dhe në një muaj arritëm të bëjmë rreth 30 goditje, me gjithë vështirësitë e infrastrukturës, pasi punonim aso kohe jo me teknologji por me bashkëpunëtor,burime kofidenciale dhe agjentë.
U shtua numri rasteve të zbuluara dhe goditura?
Po sigurisht. Madje më shumë se sa sot, në sasira të konsiderushme deri në 20 kile heroinë, e kujtoni rastin e ngarkesës së drogës heroinë, kapur në një nga autobuzët e linjës së Greqisë të subjektit Joy Travel ku u arrestuan personat dhe shoqërua mjeti. Pronarët kërkonin lirimin e mjetit . Kishim mbështetjen e drejtorit, z Pjerin Ndreu. Ministër ishte Igli Toska.
Krijoi probleme ky operacion?
Po. Një tregtar që punonte në Tiranë, ishte lidhje e ministrit Igli Toska. Për të kishte informacion se merrej me trafik droge me Turqinë, në Doganën e Tiranes nga ana jonë janë ushtruar kontrolle në kamionët që vinin nga Turqia. Ai u ankua se shefi i LKD ne Drejtorinë e Policisë Tiranë një dibran më shqetëson dhe ministri ishte përgjigjur, ende nuk është hequr nga puna ai..Sepse ishin të mërzitur nga rezultati i punës tonë edhe me rastin e sekuestrimit të 17 kilogramëve heroinë
Të mërzitur?
Sigurisht po. Pastaj më lëvizën më dërguan te komisariati nr 2 ku patëm sërish rezultate të shume të mira, por edhe aty më hoqën.
Përse?
Ne kishim një kontingjent të një grupi kriminal të cilit i kishim bllokuar makinën, sepse lidhej me ngjarjen dhe mjeti u gjend në vendngjarje. Të nesërmen pasi kisha qenë gjithë natën në shërbim vjen më kërkon një qytetar për të më takuar dhe i them të më presë pak minuta dhe pastaj e takova. Kolegët më thanë se është babai i ministrit
Çfarë ju tha?
Më tha që mjetin që kishim bllokuar t’ ia kthenim pronarit. Më tha edhe se kush ishte. I përgjigjem se do të kryhen veprimet ligjore dhe nëse nuk ka probleme atëherë do ta marrë. Bëje për mua më tha se jam babai i ministrit. i thashë jo dhe ai iku i revoltuar.
Ç’ndodhi më pas?
Të nesërmen vinë në komisariat një grup prej 5-6 vetësh të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, për të parë shkeljet që gjoja mund të kisha bërë unë dhe nuk lanë gjë pa kontrolluar në sekretari, sallën operative, kartotekë, kudo, ndonëse mua nuk më takuan asnjëherë. Pas disa ditësh takova një oficer të SHKB, dhe më thotë çfarë ke bërë, mos ke cenuar ndonjë të madh se kanë dashur të të çojnë në burg. Më dërguan në komisariatin nr 1, kujtoj sërish një ngjarje në një qendër votimi në vitin 2005, të shkolla Mihail Grameno, me të shtëna armësh. Drejtori i asaj kohë Albert Dervishi, për mua një drejtues policie pa integritet, me një të kaluar të hershme jo fort të mirë në raport me Sigurimin e Shtetit, të mos e regjistronim si ngjarje e të mos kryenim veprime, por unë nuk pranova, e regjistrova dhe kryem veprimet, duke ndaluar autorin, me sa më kujtohet ishte punonjës në Gardë.
Shef komisariati në Shkodër, një qytet me probleme sa i përket kriminalitetit?
Po kishte probleme. Kryesisht vrasjet, armëmbajtjet pa leje, të cilat lidheshin dhe me një krim tjetër, siç ishin trafiqet e ndryshme. Ne u fokusuam të zbardhja e ngjarjeve të vjetra të pazbardhura dhe parandalimi i krimit, në vitin 2006 janë rifilluar hetimet dhe janë dokumentuar me prova ligjore 12 vrasje te vjetra, janë arrestuar e ndaluar për këto vrasje 17 autorë janë shpallur në kërkim disa të tjerë përveç këtyre vrasjeve, po gjatë këtij viti janë zbuluar edhe disa ngjarje tjera të rënda si plagosje të rënda, vrasje të mbetura në tentative etj. (për këto që them ka statistika që gjenden në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë dhe në Drejtorinë e Policisë Shkodër), që solli rezultate konkrete duke ulur numrin e vrasjeve në gjysmën e shifrave të mëparshme viti 2006 ishte viti me numrin më të vogël të vrasjeve nga viti 1991, viti 2006 kishim 7 vrasje krahasuar me një vit më parë viti 2005 kishte 15 vrasje. Gjithashtu janë goditur shumë grupe kriminale të trafikut të drogës, mjeteve motorike, të gjitha këto rezultate kanë ardhur si rezultat i punës së shkëlqyer e me profesionalizëm i gjithë kolegëve të mi, duke filluar nga polici më i thjeshtë deri tek funksioni më i lartë mbështetjes e bashkëpunimit të shkëlqyer që kishim me Drejtorin e Policisë së Qarkut Shkodër, z. Ahmet Prençi .
Keni shkuar më pas në Elbasan, një qytet që ende ka telashe serioze me krimin?
Po është e vërtetë kur mora detyrën, kishte 12 vrasje, ku pjesa me e madhe e tyre, lidheshin me një krim tjetër, përplasje mes bandash për trafik femrash, dhe droge. Vrasjet u minimizuan si pasojë e parandalimit të krimit. Janë goditur disa grupe kriminale për trafik droge dhe është sekuestruar një sasi e konsiderushme kryesisht heroine, grupe kriminale për trafik femrash, janë rifilluar hetimet për disa ngjarje të vjetra kryesisht vrasje dhe për disa prej tyre është proceduar me ndalimin e autorëve, kujtoj Bandën e Cërrikut që në vitin famëkeq 97 vrau gardistët në Cërrik, autoret u zbuluan u ndaluan e me sa di sot po vuajnë dënimin për këtë krim. Në atë kohë territorin e qarkut e kontrollonte policia dhe jo bandat, kemi qenë tërësisht të fokusuar në luftën ndaj krimit. Unë edhe në Elbasan e kam mbajtur policinë larg politikes duke mbajtur një kosto jo të vogël për karrierën time.
Keni qenë drejtor policie dhe në Gjirokastër, ku kemi “Lazaratin” legjendën e hashashit?
Po kam vajtur në fundin e muajt gusht të vitin 2008. Atëherë Drejtori i përgjithshëm Ahmet Prençi, ka shkarkuar të gjithë drejtuesit, për problemet e krijuara nga trafiku i drogës.
Lazarati si e gjetët gjendjen dhe veprimet që ndërmorët?
Kur unë kam shkuar Drejtor në këtë qark, situata ishte shumë problematike. Zona e kultivuar në fshat me hashash, furnizohej me ujë nga fshati dhe policia ishte pothuajse inekzistente.
Sa kultivohej atëherë?
Në bazë të informacioneve të policisë flitej për rreth 500 mijë rrënjë të kultivuara. Nëse bllokohej uji, plehu, lëndët që shërbenin për kultivimin, atëherë ashtu sicc ndodhi sasia reduktohej dhe ajo ra deri në 100-150 mijë rrënjë, jo më tepër.
Tjetër çfarë bëtë?
Puna e parë që bëra, përveç këtij lloj izolimi, ishte motivimi i punonjësve të policisë, sepse drejtuesit e mëparshëm flirtonin me kultivuesit dhe drejtuesit e pushtetit të zonës.
Ishin pjesë e një skeme korruptimi?
Në një rast që unë e kam bërë pjesë të diskutimit me policinë në një takim pune kishte ndodhur që eksponentë të krimit të Lazaratit, grupit të gatshëm të komisariatit i merrnin çelësat e makinave dhe policët rrinin në lokal.
A kishin lidhje me pushtetin dhe politikën?
Po. Sigurisht po. Kishin lidhje me pushtetarë dhe politikanë të të gjitha partive, deri edhe në deputetë të cilët i shfrytëzonin këto lidhje në fushata zgjedhore. Kishte eksponentë të trafikut të cilët ndërronin parti, sipas rezultatit të zgjedhjeve. Kishte deputetë të cilët më telefononin të toleroja trafikantë droge që ndërronin parti dhe pronarë.
Kishte ndikim te ju politika?
Në atë periudhë që kam qëndruar unë në Gjirokastër, nuk ka pasur asnjë ndikim në polici nga politika, me gjithë përpjekjet e tyre deri në lobimin për të më larguar nga puna
Si lobim?
Ka letër që Kryetari i Partisë Demokratike në Qarkun Gjirokastër i ka dërguar Kryeministrit Sali Berisha, ku i kërkonte largimin tim nga Drejtues Policie në Gjirokastër, sepse po godet njerëzit tanë, ka futur në burg kreun e PD në Lazarat, Gjobiten drejtorët e njerëzit tonë në qytet etj.
Cili ishte reagimi?
Kur kam vajtur në Gjirokastër me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm Ahmet Prençi kam shkuar për të luftuar krimin me ka thirrur ish-ministri i brendshëm në atë kohë z Bujar Nishani, pas tre ditëve punë dhe i kam shpjeguar situatën e rëndë. Me ka kërkuar të bëjë maksimumin për luftën kundër trafikut të drogës sidomos për Lazaratin. Më ka theksuar se nuk do të kesh asnjë ndërhyrje nga politika por vetëm mbështetje.
Reagimi i KM Berisha?
KM kërkoi informacion për letrën nëpërmjet drejtorit të përgjithshëm Ahmet Prençi dhe pas kësaj më është ofruar vetëm mbështetje në punën time në këtë qark. Kemi pasur përgëzime dhe nga OSCE, zyra e saj në këtë qark si askund tjetër, vlerësonte maksimalisht punën e policisë, duke e reflektuar këtë në raportet ndërkombëtare.
Si e pakësuat kultivimin?
Kishim numër të pakët forcash polici
Po si vepruat?
Bllokimi i ujit ishte mënyra që ndikonte ndjeshëm, se ishte vetëm një mundësi furnizimi dhe kjo e pakësonte kultivimin në masën 80 përqind më pak. Erdhën dhe forcat speciale RENEA se në atë kohë ishte vetëm një rrugë si mundësi për të lëvizur brenda fshtatit nga ku do bëhej furnizimi me ujë, ishte vetëm një mundësi. Ne bashkë me RENEA –ne e bllokuam ujin. Patëm dhe përplasje me trafikantët, janë arrestuar mbi 10 persona të cilët kundërshtonin policinë dhe janë dënuar me burg.
Reaguan trafikantët?
Fillimisht ishte një reagim i ashpër duke qëlluar me armë në ajër dhe kjo krijonte probleme për komunitetin, për fshatin Dervican dhe Lagjen Zinxhiras në qytet e zona të tjera. Pastaj duke marrë informacionet se kush qëllonte me armë në Lazarat, këto persona kur dilnin nga fshati ne i arrestonim kjo uli intensitetin e të qëlluarit me armë dhe pas disa muajsh nuk kishte më asnjë të shtënë arme, janë konfiskua në atë periudhë mbi 200 mjete që ishin pa dokumenta, me targa false që përdornin trafikantët për transport dhe shkëmbime të tjera. E vetmja mundësi vaditja u bllokua. Dhe i thonin njëri tjetrit se na morën në qafë falimentuam
Po viti tjetër?
Viti tjetër duhet të kemi parasysh se ishte dhe vit zgjedhor, 2009, ndaj bëhej dhe presioni që ata shkruanin letra, se vazhdoja ti mbaja të bllokuara. Kishte një rast që një mjet ngarkuar me pleh e ruanin forcat e policisë prej dy javësh derisa e ndaluam dhe e sekuestruam. Kjo solli minimizim në shifra më pak se 150 mijë rrënjë të kultivuara, nga 500 dhe 600 mijë që ishin më parë. Me duhet te them se në një vit nga shatori i vitit 2008 në shtatorin e vitit 2009 patëm rezultate të shkëlqyera edhe në goditjen e trafikut të hashashit, heroinës po dhe kokainës në këtë periudhë janë kapur e sekuestruar mbi 4 ton hashash, 50 kg heroine dhe rreth 2 kg kokainë për këto sasi të kapura janë arrestuar e ndaluar mbi 50 autorë që vepronin në disa grupe kriminale.
Patët dhe bashkëpunim me forcat speciale?
Po sigurisht, por më tepër me forcat e drejtorisë së qarkut, djem të shkëlqyer trima e kurajoz, në atë periudhë për ata nuk kishte të paprekshëm.
Por prapë ju larguan?
Po më larguan ndonëse largimi ishte krejt i pamotivuar dhe unë kisha rezultate shumë te mira, konkrete.//shijaktv.al