Në ditën e arrestimit, Elvis Rroshi, kreu i Bashkisë së Kavajës, ka firmosur me shpejtësi një tender. Bëhet fjalë për mbikëqyrjen e punimeve për ndërtimin e një rruge në Kavajë të quajtur Përroi i Leshniqes, me një gjatësi prej 2.9 kilometrash. Kjo rrugë, do ti kushtojë xhepave të shqiptarëve 3 milionë USD.
Boldneës.al publikoi më 26 prill dokumentet e këtij tenderi, ku na bëri çudi vlera e lartë e investimit. Një kilometër rrugë do të ndërtohet me një çmim stratosferik, ndërsa akoma më e dyshimtë mbetet ngutja e kreut të Bashkisë së Kavajës për ta bërë këtë vepër, pasi pretendonte se “Në Përroin e Leshniqes u bë beteja e Durrachium…”.
Boldneës.al ka siguruar të tjera dokumente për këtë rrugë, ku Rroshit nuk i ka mjaftuar bërja e tenderit të madh, por ka dërguar në Agjencinë e Prokurimit Publik një kërkesë për ofertë. Sipas një vëzhgimi të thjeshtë, më 15 qershor, Bashkia e Kavajës ka dërguar në APP prokurimin për “mbikëqyrje e punimeve me objekt Rehabilitimi Përroit Leshniqe Kavajë”. Në këtë datë, Rroshi ka qenë në burg, ndërsa ende nuk ka të dhëna nëse këto dokumente i ka firmosur në qeli, apo më parë.
Sipas këtij tenderi, Rroshi ka akorduar plot 21 milionë lekë të vjetra për firmën që do të fitojë të drejtën për të mbikëqyrur këtë rrugë, e cila, nga vëzhgimet e Boldneës.al nuk është bërë ende. Kohëzgjatja e kontratës ose afati kohor për ekzekutimin do të jetë 7 muaj, ku firma që do fitojë këtë tender do të fitojë paratë vetëm duke parë.
Më 26 prill të këtij viti, Boldneës.al publikoi dokumentet e këtij tenderi, ku Bashkia e Kavajës akordoi 375.000.000 lekë që kanë si burim financimi buxhetin e shtetit. Afati për realizimin e punimeve do të jetë 7 muaj, ndërsa afati për dorëzimin e dokumenteve në Agjencinë e Prokurimit Publik është 13 maji i këtij viti.
Sipas projekt-zbatimit, rruga do të jetë nga Qerreti (bregu i detit) deri në autostradë dhe i gjithë segmenti është 2.9 kilometra. Duket se rruga po bëhet edhe për qeveritarët, apo zyrtarët e Bashkisë së Kavajës, që kanë resorte turistike në këtë zonë bregdetare. Në ato dokumente, Rroshi ka shkuar tek qëllimi i projektit. Sipas tij, Leshniqe dhe Darçi janë dy përrenj që kanë kushtëzuar themelimin e qytetit të Kavajës, sepse mbijetesa e një qyteti varet nga prania e vijave ujore. Të përvitshme janë përmbytjet në qytetet kryesore të Shqipërisë perëndimore si Vlora, Tirana dhe sidomos në Durrës e Shkodër. “Ndryshe Kavaja, ku në dy përrenjtë ndodh i gjithë drenazhimi i qytetit. Dhe pikërisht nga ky fakt fiziko-gjeografik në vitet e para të shtetit shqiptar Kavaja radhitej si një nga pretendentet për Kryeqytetin e Vendit, në mos Kryeqytetin Brilant të Shqipërisë. Pozita qendrore, afërsia me detin, kushtet klimatike ideale dhe drenazhimi i përrojve të tij, janë vlera të pakundërshtueshme dhe të evidentuara historikisht” thuhej në ato dokumente.
Imagjinata e shfrenuar e punonjësve të Bashkisë së Kavajës e ka lidhur këtë rrugë edhe nga këndvështrimi turistiko – kulturoro – histrorike. “Në këto territore kemi të bëjmë me disa fakte historike të një rëndësie të veçantë botërore. Beteja e Durrachium, ku kulmin e saj e ka pikërisht në afërsi të Përroit. Rrallë herë në historinë e botës, gjigande të ndodhen njëkohësisht në të njëjtin vend për disa muaj. Gaio Jul Qezari, Pompeu i madh, Mark Antonio etj, këtu në Kavajë për të ndarë fatet e botës” thuhej në relacionin teknik.