Në vitin 2017, Gramoz Kazanxhiu, baba i tre fëmijëve, përfitoi nga rikonstruktimi i banesës së tij të rrënuar në fshatin Baltëz të Fierit. Familja e tij është një nga 19 që përfituan nga projekti për “Përmirësimin e Kushteve të Jetesës së Komunitetit Rom dhe Egjiptian” i zbatuar në Bashkinë e Fierit.
“Kur erdhën na bënë matjet, na thanë se do ta përfundojnë shtëpinë, por e lanë përgjysmë. Ka kaluar një vit, dy vite dhe nuk po shohim asnjë ndryshim”, thotë Gramoz Kazanxhiu.
Eduart Koci, aktivist i komunitetit Rom dhe Egjiptian në Fier, tregon se është dashur ndërhyrja e tyre për të nxitur Bashkinë e Fierit të aplikojë në këtë projekt.
“Projekti kishte vite që vazhdonte, por bashkia Fier nuk interesohej për të aplikuar. Ne jemi bërë shtysë kryesore për bashkinë për t’i zgjuar që të bëjnë projektin gati dhe për të aplikuar”.
Por edhe pse ky projekt u arrit të ndërmerrej në vitin 2017, shumë nga shtëpitë janë lënë përgjysmë.
Shtëpia e Gramoz Kazanxhiut është pa pllaka në pjesën më të madhe, një nga dhomat është e pa suvatuar dhe i mungojnë dyert dhe dritaret.
“Ça insektesh ka jashtë hyjnë dhe brenda, fëmijët e mi flenë me pambuk në veshë, i kam çuar shpesh herë në spitale vetëm prej insekteve”, thotë Flutura, bashkëshortja e Gramozit.
Të dy të papunë, ata shprehen se nuk kanë asnjë mundësi për të ushqyer familjen dhe për të përfunduar vetë shtëpinë: “Me kanace, bidona dhe hekurishte është e vështirë edhe të ushqehemi, nuk jam vetëm unë, ne zihemi atje për koshat se kush t’i mbledhë më parë”.
Foto: Punimet e lëna pergjysmë në shtëpinë e familjes Kazanxhiu
Citizens Channel kontaktoi me Bashkinë e Fierit për të marrë informacion mbi projektin e zbatuar në vitin 2017.
Në Relacionin Teknik të përgatitur nga Drejtoria e Projekteve të Infrastrukturës në Bashkinë Fier për shtëpinë e Gramozit, evidentohen probleme serioze në standardet normale të banimit duke përfshirë gjendje të amortizuar të suvatimeve të brendshme dhe të jashtme, mungesën e dyerve dhe dysheme të pashtruar me pllaka. Të njëjtat çështje propozohen edhe në zgjidhjen teknike që është pjesë e relacionit.
Por këto probleme nuk u zgjidhën plotësisht dhe Gramozi thotë se është i zhgënjyer nga institucionet dhe kompania që ka marrë përsipër punimet për banesën e tij: “Kur erdhën për të bërë punimet thanë do bëjmë vetëm lyerje dhe jo suvatim; Si mund të lyhet shtëpia pa suvatuar?”
Citizens Channel zbuloi se edhe pse problemet nuk janë zgjidhur, për shtëpinë e Gramozit janë shpenzuar 4 milion e gjysmë lekë të vjetra.
Bashkia e Fierit refuzoi të vinte në dispozicion preventivat e këtij projekti, pas një kërkese zyrtare për informacion. Edhe pas ndërhyrjes së Komisionerit për të Drejtën e Informimit (KMD), Bashkia e Fierit vuri në dispozicion një informacion të paplotë, me preventiva ku mungonin çmimet, duke shkelur në mënyrë të përsëritur ligjin. Vetëm pas një tjetër ankese drejtuar KMD u arritën të siguroheshin të dhënat e plota.
Citizens Channel i vuri në dispozicion familjes Kazanxhiu preventivin e detajuar të punimeve: “Unë sot e njoha buxhetin, se sa para kam pasur për shtëpinë time, nuk e di ku të ankohem për të gjetur zgjidhje”, tha Flutura Kazanxhiu. Por, edhe nëse këto para janë shpenzuar sikundër pretendojnë familjarët, ato kanë qenë të pamjaftueshme për rikonstruksionin e shtëpisë. Bashkia e Fierit nuk ka kërkuar më shumë para, edhe pse ka pasur mundësi ta bëjë.
Paratë për zbatimin e këtij projekti janë dhënë në formë granti nga ish -Ministria e Zhvillimit Urban (MZHU), e cila shqyrton kërkesat e Bashkive që janë përgjegjëse për hartimin e projekteve, prokurimin dhe mbikëqyrjen e punimeve. Në pikën 3 të udhëzimit të MZHU, publikuar në vitin 2015, sqarohet se bashkitë mund të kërkojnë deri në 6.5 milionë lekë të vjetra për rikonstruktimin e çdo banese.
Sipas familjarëve banesa e tyre është lënë përgjysmë për shkak të keq menaxhimit të fondeve. Fakti është se katër nga tetë zgjidhjet teknike të parashikuara në relacion: “Suvatimet e brendshme dhe të jashtme; Shtrimi me pllaka, Dyert dhe dritaret; Lyerja me bojë” nuk janë realizuar ose janë realizuar vetëm pjesërisht.
“Familjet në nevojë emergjente të përjashtuara nga projekti”
Nëse në familjen Kazanxhiu është rikonstruktuar gjysma e shtëpisë, Floresha Meçani, e cila jeton me babain, dy fëmijët dhe bashkëshortin në një shtëpi të ndërtuar me kallama dhe baltë, është përjashtuar nga projekti.
“Erdhi Bashkia këtu, mati shtëpinë dhe ikën, unë e kisha emrin e para në listë dhe prisja që të fillonin punimet, por më pas më thanë që banesa juaj është me baltë dhe nuk mund te përfitosh”, tha Floresha për Citizens Channel.
Familja e saj nuk është e vetmja që u përjashtua nga projekti: “Janë hequr 4 banesa të tjera që janë me baltë, ne jetojnë shumë keq, kemi frikë se do na shembet mbi kokë”, vazhdon më tej ajo.
Vakumi ligjor pas shtëpive të baltës
Shtëpitë e baltës përjashtohen nga projekti i rikonstruktimit, pasi nuk kanë themele për të mbajtur çatinë dhe mure për tu suvatuar. Ligji për legalizimet nuk e klasifikon fare këtë objekt si banesë, duke e njehësuar të njëjtë me një barakë. Edhe pse pronarët mund të kenë jetur prej vitesh në një shtëpi balte apo barrakë, ata nuk kanë asnjë të drejtë pronësie dhe nuk mund të ngrenë pretendime për legalizimin e këtyre objekteve.
Veç kushteve tejet të vështira ekonomike, familja Meçani jeton çdo ditë me frikën e reshjeve apo përmbytjeve që mund ta dëmtojnë banesën në mënyrë të pakthyeshme, duke i zënë brenda. Shtëpia e tyre gjendet përpara një kanali që gjatë periudhës së reshjeve të dimrit tejmbushet dhe rrezikon ta shkrijë shtëpinë e baltës ku ata banojnë.
Video: Familja Meçani jeton në shtëpinë e baltës që rrezikon të shkrijë e të shembet
Në gërmën b. të pikës 3 të udhëzimit të publikuar nga MZHU, parashikohet se bashkitë mund të aplikojnë për ndërtimin e banesave të reja me vlerë jo më shumë se 12 milionë lekë të vjetra.
Por Floresha Meçani tregon se i ka humbur shpresat tek institucionet për t’i siguruar familjes së saj kushte të denja jetese: “Na mashtruan që do rregullonin shtëpinë, i kam humbur shpresat, vetëm na thonë që do bëhet, do bëhet por, gjendja jonë është kritike. Fëmijët mezi i dërgojmë në shkollë, njëherë me bukë e njëherë pa bukë. Në shtëpi kam dhe babain të sëmurë, a jetohet këtu?”
Sa kushton “përmirësimi i lënë përgjysmë”?
Pas nxitjes dhe kërkesave dërguar nga aktivistët, Bashkia e Fierit aplikoi pranë Ministrisë së Zhvillimit Urban në vitin 2017.
Në maj të vitit 2017, u dërgua njoftimi i tenderit pranë Agjencisë së Prokurimeve Publike, me një fond limit prej 9, 166,678 lekë të reja.
Në portalin Open Procurement Albania, kjo procedurë prokurimi është klasifikuar si “Red Flag” (flamur i kuq), çka tregon një rrezik të mundshëm për sjellje të papajtueshme me ligjin ose jo-etike të biznesit. Kjo sepse, nga tre kompanitë që aplikuan, “Shendelli” shpk ishte e vetmja që nuk u përjashtua nga gara duke fituar kështu tenderin me një ofertë prej 7,747,682 lekësh.
“Shendelli Shpk” shpenzoi 9,297,220 lekë për rikonstruktimin e 19 banesave, me një mesatare prej rreth 4.8 milion lekësh të vjetra për banesë. Një shqyrtim i preventivave për shtëpinë e familjes Kazanxhiu tregon se firma private nuk i është përmbajtur preventivit të punimeve.
Preventivi i Punimeve për banesën e Gramoz Kazanxhiut
Në tabelë mungojnë disa nga vlerat që në të vërtetë janë vendosur në shtëpi dhe ka shtesa të tjera për vlera që nuk janë realizuar.
Vëzhgimi i Citizens Channel dhe dëshmia e Gramozit tregon se 30 m2 pllaka mungojnë dhe nuk janë vendosur në këtë banesë. Ndërkohë është vendosur një derë e jashtme alumini, që mungon në tabelën e preventivit.
“Na gënjyen na mashtruan, unë nuk i pash kurrë faturat”, përfundon Gramoz Kazanxhiu.
Banorët shprehen të pakënaqur edhe për mënyrën se si janë përzgjedhur familjet që do të përfitonin nga projekti për rikonstruktimin.
“Një pjesë e personave që u futën në listë për t’ju rregulluar shtëpitë nuk banojnë fare këtu, kanë ikur në Greqi, kanë vite dhe nuk do kthehen”, thotë bashkëshortja e Gramozit, “më mirë i kanë bërë për ata që jetojnë jashtë shtetit, se sa për ne këtu”, përfundon ajo./CitizensChannel