Nga Sabina Veizaj
Viti 2019-të nuk perceptohet optimist për prodhimin botëror, po ashtu edhe për atë europian.
Edhe Shqipëria ka nisur të ngadalësojë ritmin e rritjes. Por a do të jetë ky dhe viti pasardhës një dimër për ekonominë tonë?
A duhet të trembemi për një recesion të mundshëm të prodhimit? Si duhet ti lexojmë treguesit ekonomikë dhe financiarë që prodhojnë institucionet tona dhe raportet ndërkombëtare?
Banka Botërore deklaroi dy ditë më parë gjatë prezantimit të raportit ekonomik për vendet e Ballkanit Perëndimor se Shqipëria ka pasur një rritje të fortë ekonomike për 2018-ën (mbi 4%), por pa gjeneruar punësim. Gjithashtu, projeksioni i BB-së për 2 vitet e ardhshme në lidhje me rritjen e prodhimit në Shqipëri është nën 3,6%.
Linda Van Gelder, Drejtoreshë Rajonale e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor është shprehur se se “Politikëbërësit në rajon duhet të zbatojnë reforma që të arrihet një rritje e qëndrueshme dhe përshpejtohet krijimi i vendeve të reja të punës”.
Ndërsa menaxherja e zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri, Maryam Salim u shpreh se “Pavarësisht kësaj rritjeje më të fortë (në 2018-ën), në rajon po krijohen më pak vende të reja pune, që pasqyron një dinamizëm të kufizuar në sektorin privat. Në vitin 2018, në Ballkanin Perëndimor janë krijuar vetëm 96.000 vende të reja pune, kryesisht në industri dhe shërbime, në krahasim me 171.200 vende të reja pune në vitin 2017.
Kurse FMN ka kritikuar qeverinë shqiptare pak ditë më parë për politikat fiskale të cilat kanë dëmtuar biznesin dhe nuk kanë rritur të ardhurat në arkën e shtetit. FMN ka deklaruar në raportin e saj se “se ulja e pragut të TVSH-së për bizneset solli rritjen e kostos për bizneset e vogla, shtoi ngarkesën për tatimet, por nuk solli të ardhura”.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se gjatë gjysmës së dytë të vitit 2018 prodhimi ka shënuar rënie. Në tremujroin e katërt 2018 krahasimisht me një tremujor paraardhës, rritja ekonomike ka shënuar 0,57% . Prodhimi i Brendshëm Bruto në tremujorin e tretë ka rezultuar 1,09 % dhe tremujorin e dytë është vlerësuar me një rritje prej 1,34 %.
Bujqësia, industria dhe shërbimet kanë regjistruar më pak punësime të reja, sipas të dhënave.
Në tremujorin e katërt 2018, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri është 12,3 %. Në terma vjetorë, shkalla zyrtare e papunësisë u ul me 1,1 pikë përqindje. Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, shkalla zyrtare e papunësisë u rrit me 0,1 pikë përqindje.
Sipas të dhënave, të rinjtë janë ata që pësojnë peshën më të madhe të papunësisë me një shkallë zyrtare 22,3 %. Në terma vjetorë shkalla e papunësisë së të rinjve shfaq tendencë në rënie, megjithatë mbetet e lartë.
Eksportet janë një tregues tjetër i rëndësishëm që vlerësojnë rritjen ekonomike. Por tabloja e këtij treguesi nuk është optimiste. Në muajin shkurt eksportet kanë shënuar rënie për të dytin muaj radhazi krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Për shkurtin rënia është regjistruar 5,4%. Kurse importet kanë shënuar rritje 8,1 %.
Kjo ka ardhur për pasojë të zhvlerësimit të monedhës euro dhe mosrimbursimit nga ana e qeverisë të biznesëve. Faktor që edhe sipas bizneseve, por edhe sipas Bankës Botërore do të ketë efekt negativ në ekonomi, sepse bizneset do ta kenë të pamundur të vijojnë pa likuiditet e jo më të investojnë e të çelin vende të reja pune.
Po ashtu edhe konsumi i popullatës ka rezultuar me rënie në dy tremujorët e fundit të 2018-ës.
Konsumi final i popullatës u rrit vetëm me 0,78 % në tremujorin e katërt të 2018-ës me krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2018.
INSTAT thotë se Komponenti i Formimit bruto të kapitalit fiks shënoi një rënie me 0,19 %.
Po ashtu edhe eksportet e mallrave dhe shërbimeve u ulën me 1,05 % ndërsa Importet e mallrave dhe shërbimeve u ulën me 0,69 %.
Nëse do të hedhim një vështirim tek vendet Perëndimore; ekonomia e Italisë që është partneri ynë kryesor përsa i përket eksporteve, ka kaluar në recession teknik. Për herë të pare që nga viti 2013, prodhimi i brendshëm bruto në Itali është tkurrur për dy tremujorë rresht.
Parashikohet që edhe Gjermania të hyjë në recession në tremujorin e fundit të 2019-ës.
Teksa nuk dihet ende se si do të shkojnë marrëdhëniet tregtare mes SHBA-ve dhe Kinës, e SHBA-ve dhe vendeve të BE-së.
Ekspertët mendojnë se si strukturë ekonomia italiane dhe ajo shqiptare janë të ngjashme. Dhe efektet si positive, ashtu edhe ato negative prej partnerit tonë tregtar mbërrijnë në vendin tonë 6-12 muaj distancë kohore.
Zef Preçi mendon se “është shqetësuese përpjekja e përbashkët e qeverisë, INSTAT, disa institucioneve ndërkombëtare që asistojnë reformat e tjera për të krijuar një imazh progresi, zhvillimi, arritjesh, etj., që në fakt nuk i përgjigjet realitetit… Kapja pas treguesve të veçantë nuk të lejon “të shohësh pyllin prapa drurëve…”. Dmth të dhënat e pasakta/gabuara të çojnë në vendimmarrje të gabuara… Aq më tepër që fokusimi në manovra fiskale po maskon mungesën e politikave pro zhvillimit që lidhen me rritjen reale të investimeve publike e private, me zgjerimin e punësimit, prodhimit vendas dhe eksportit…”
Eksperti Zef Preçi nuk e shikon si ngjarje të beftë ngadalësimin e rritjes ekonomike në vend. Për të kjo ngjarje është paralajmëruar që përpara dy vjetësh, për shkak të strukturës së investimeve të huaja direkte, TAP dhe Devoll. “Ngadalëismi i rritjes lidhet me përfudnimin e këtyre dy projekteve strategjike që pompuan para në ekonomi, por pa ndikim tek zgjerimi i punësimit.”- thotë ai duke sqaruar se “Ngadalësimi është edhe për faktorë që nuk thuhen siç është pakësimi i numrit të konsumatorëve; zvogëlimi relativ i popullsisë kryesisht asaj në moshë të rë që ka reduktuar bukrimet e rritjes dhe konsumin në të njëjtën kohë. Ka më pak kontribues në sigurime edhe në punësim dhe njëkohësisht ka më pak konsumatorë, 10% në një dekadë ka tkurrur në mënyrë të natyrshme konsumimin.”
Në këtë kontekst, Preçi gjykon se është e vështirë për të gjykuar me ato pak instrumente që kemi sot në duar nëse Shqipëria mund të bjerë në recession apo jo.
Ajo që mund të thuhet, mendon Preçi, është se trendi i ngadalësimit do të vazhdojë duke marrë parasysh edhe ndikimin e situatës politike.
Të njëjtën gjë mendon edhe Banka Botërore. “Pasiguria politike është një nga faktorët që ky raport përmend me mundësi ndikimi në klimën e biznesit, megjithatë sugjerimi që bën ky raport lidhet me faktin që këto protesta që vihen re në vendet e Ballkanit lidhen me ngadalësimin e reformave strukturore. Kur lidhen me vështirësinë ekonomike dhe kushte të vështira ekonomike dhe një pasiguri për të ardhmen , vendet përkatëse duhet të marrin masa për përshpejtimin e reformave strukturore. Duke lehtësuar punësimin, përmirësimin e lklimës së biznesit dhe sigurimin e, kushteve të barabarta për të gjithë. Pasiguria ndikon.”- thotë BB.
Por Preçi gjykon se Shqipëria momentalisht nuk ndodhet përballë recesionit, sepse sipas tij, goditjet që ndodhin në ekonominë Perëndimore, (sikur e gjithë BE të hyjë në recession), efektet tek ne mbërrijnë me vonesë. 6 – 12 muaj. që efekti tgë bartet në ekonoinë tonë.
Rritjen ekonomike pa punësim, Preçi e shpjegon me me nivelin e rritjes.
“Është e provuar shkencërisht, nëse rritja ekonomike është nën 6 %, nuk ka punësim. Një strukturë ekonomie e mbështetur në tuba, në investime të menjëhershme tekonologjike, këtë risk e ka edhe më të madh që të mos gjenerojë vende pune.”- thotë ai.
Eksperti shqiptar i Moody’s Ilir Hysa mendon se recession ose jo, Shqipëria prej kohësh është në krizë. Rritjen mbi 4% ai e shikon si një rritje jo për të gjithë shqiptarët, por për një grusht njerëzish që janë oligarkët.
“Shqipëria nuk ka shumë kontroll për ti shpëtuar një recesioni të mundshëm në ekonomitë europiane. Madje faktorët e pafavorshëm vetëm mund të përshpejtojnë atë. Kam parasysh faktin se rritja ekonomike e raportuar përfaqëson një ekonomi përjashtuese, jo gjithëpërfshirëse, e cila mund ti përballonte më mirë kohët e vështira. Më fjalë të tjera, ekonomia shqiptare varet pothuajse terësisht nga aktiviteti ekonomik i 5%-10% të qytetarëve të shoqërisë shqiptare, kryesisht korporatat e mëdha, dhe në kushte të vështira ekonomike në rajon edhe këta aktorë do të përjetonin ulje të ndjeshme të kërkesës për produktet e tyre.”- shpjegon Hysa duke shtuar se “kjo përfshin kërkesën për burime natyrore, të cilat momentalisht ndihmojnë dukshëm rritjen ekonomike dhe kontrollohen nga një grusht personash. Kjo do të thotë që nëse rreth 4% rritje ekonomike i takon një pakice të qytetarëve dhe po të njejtët individë vjelin frutet e asaj rritjeje, kjo tregon se pjesa më e madhe e qytetarëve shqiptarë janë duke përjetuar një krizë të thellë prej kohësh, pavarësisht nëse teknikisht ajo krizë plotëson kushtet e një recesioni apo jo.”
Për më tepër, mendon eksperti Hysa, ka një mijë arsye të besojmë se problemi më i madh për Shqipërinë do të ishte dalja nga recesioni, nëse ai kaplon Europën.
Njëri nga faktorët më vendimtarë për të nxjerrë një ekonomi nga një recession, sipas Hysës, është kthimi i besimit dhe stimulimi i shpenzimeve private.
“Por si mund të bëhet fjalë për konsumatorë me konfidencë në kohë të vështira kur kriza e besimit i bën ata të largohen nga vendi në kohë që presupozohen të mira, d.m.th. kur ekonomia rritet 3%-4%?!”- pyet ai.
Për Hysën, nuk duhet harruar as fakti që ekonomia shqiptare predominohet nga importet dhe rritja e kërkesës në rajon nuk do të ndihmonte mjaftueshëm daljen nga bataku pasi Shqipëria prodhon e eksporton shumë pak. Vende të tjera, mendon ai, do ishin në pozita më të shëndosha.
“Një avantazh që ka ekonomia shqiptare, nëse ajo përfshihet nga një krizë globale, do të ishte fakti se qytetarët e vendit tonë janë mësuar të përjetojnë vështirësi dhe kanë krijuar imunitet ndaj vështirësive, por kjo nuk e ndryshon faktin se ekonomia do të kalonte vështirësi të mëdha dhe mund të krijonte një valë të re largimesh nga Shqipëria. As programet sociale nuk do ta ndalonin një eksod të tillë. Kjo do të përkeqësonte më tej cilësinë e fuqisë punëtore dhe të prospektin e ekonomisë shqiptare.”- shpjegon Hysa.
Ekonomia globale, përfshirë ekonominë europiane, po rritet me ritme më pak optimiste këtë vit sesa në 2018, ndërkohë që cikli i biznesit po maturon dhe punëdhënësit po ndeshen me kosto më të larta të inputeve, përfshirë atë të fuqisë punëtore, dhe në disa raste edhe mungesë të punëtorëve të kualifikuar. “Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht, megjithatë, se recesioni po afron.”- gjykon eksperti Hysa.
Por konfuziteti në rritjen e prodhimit perëndimor ndodh në një kohë kur në Shqipëri po përfundojnë dy projektet strategjike TAP dhe Devoll e në të njëjtën kohë në një vit zgjedhor kur nga eksperiencat precedente, biznesi tutet të investojë sepse prêt situata më të qeta, e për të njëjtën arsye edhe konsumatorët nuk shpenzojnë, por priren të kursejnë edhe kur kanë likuiditet.
Shqipëria, në recession ose jo, prêt të përballet me pasojat e krizës politike në ekonominë si një e tërë, në sektorin e turizmit, bujqëisë, kushtet klimaterike që do të ndikojnë në prodhimin e energjisë elektirke, papunësinë dhe si rrjedhojë emigracionin dhe uljen e konsumit. /Gazetasi.