Nga Ilir Kalemaj
Për herë të parë në histori, regjistrohen më tepër pleq se fëmijë. Sipas OKB-së, për 2019-ën arrihet një përmbysje historike, e pandodhur më parë, ku numri i mbi 65 vjeçarëve është më i lartë se numri i atyre nën 5 vjeç, ku kategoria e parë është rreth 15 milionë më tepër në nivel botëror. Gjithashtu sot lindin një mesatare prej 2.4 fëmijë për familje ndryshe nga dekada më parë kur lindjet në nivel botëror ishin 2-3 fish më të larta. Për mos të folur për shpërndarjen ku rajone të caktuara si Afrika Nënsahariane kanë një lindshmëri mjaft të lartë dhe moshë mesatare mjaft të ulët, cka e kombinuar me pasojat e ngrohjes globale dhe ndryshimeve klimaterike, krahas konflikteve etj., kanë çuar në një numër gjithnjë e më të lartë refugjatësh apo emigrantësh ekonomikë në vendet e BE-së, çka në vetvete sjell mjaft debate sociale, ekonomike, kulturore, demografike dhe vencarisht politike.
Lajmi që na vjen nga vendi ynë, paralelisht, është se numri i pensionistëve në Shqipëri u zgjerua me 14 mijë në 2018, duke arritur gjithashtu në shifrat rekord të 635,700. Gjithashtu, statistikat shqetësuese na tregojnë se kemi një përgjysmim të numrit të punonjësve që paguajnë sigurimet shoqërore krahasuar me 1990n. Kjo situatë kritike, e cila reflektohet me rreth 7.5 përqind të prodhimit të përgjithshëm bruto që shkon për pensionet sikundër flasin shifrat e INSTAT dhe ISKSH-së, kërkon marrjen e masave adekuate në kohë dhe politika të reja publike që kërkojnë parandalimin e gropave fiskale dhe thellim deficiti buxhetor në të ardhmen.
Sot pensionet janë tërësisht qesharake, duke pasur më të ultin jo vetëm krahasuar me vendet e BE-së por edhe me rajonin. Pensioni mesatar i Shqipërisë është vetëm 86 euro, krahasuar kjo me Bosnje-Herzegovinën që e ka sot 178 euro, ndërsa Mal i Zi plot 323 euro. Mesatarja e Ballkanit Perëndimor ishte 240 euro qysh në 2012, pra plot 2.5 herë më e lartë se e Shqipërisë. Së fundmi, deklarata e Bashës se nëse vjen në pushtet, pensioni minimal i shtetasve të Shqipërisë do të jetë 25 mijë lekë (të reja), është hapi i duhur i së pasurit të paktën një pension dinjitoz për të përballuar shpenzimet më emergjente, si ato të ilaçeve apo faturat e energjisë elektrike dhe ujit që po kthehen përditë dhe më të kripura dhe papërballueshme për të paktën një të katërtën e popullsisë që janë pensionistët.
Por cilido plan natyrisht lipset të vijë me një faturë të qartë, me politika të reja dhe jo vetëm reformë fiskale, për të pasur një qëndrueshmëri financiare, rritje të të ardhurave në buxhet, uljen graduale dhe të përshpejtuar me borxhin (premtim ky deri tani i pambajtur nga ana e socialistëve që premtuan ulje deri në 60 përqind të PBB-së deri në fund të mandatit të parë në 2013). Premtimet e tjera futuristike të mazhorancës aktuale me sistem fiskal që do përfitonte 97 përqind të shqiptarëve përmes taksës progresive, rritjen e PBB-së për arsimin në 5 përqind, rritjen e pagave dhe pensioneve etj., përfunduan në mënyrë qesharake as me indeksimin adekuat të këtyre të fundit, me shtrenjtësim jashtëzakonisht të kostos së jetesës vencarisht në Tiranë dhe qytetet e mëdha, me një emigracion masiv prej 330 mijë shqiptarësh të arratisur nga sytë këmbët njëlloj si në eksodet e 1991-92shit, me një sistem arsimor që sot ka gjysmën e numrit të nxënësve dhe studentëve në krahasim me një dekadë më pare dhe dhe më një shëndetësi që renditet e fundit në Europë. Gjithashtu dhe me përkeqësim të korrupsionit politik dhe sistemit duke na renditur në vend të 99-të në botë dhe të fundit në Ballkanin Perëndimor, rekord edhe ky i paarritur më parë.