Skënderbeu nuk arriti dot të mbajë ritmin e fitoreve në kampionat. Një dukuri që e ndjek prej kohësh këtë sezon.
Natyrisht që pas fitores me Kukësin reagimi dhe vazhdimësia pritej në kampin bardhekuq, por në Gjirokastër ndodhi e kundërta. Në të tilla situata, analiza duket se shkundi kampin bardhekuq. Për mesfushorin ganez Kuasi Sibo, ekipi ka hequr nga duart një mundësi të mirë për t’iu bashkuar ekipeve që luftojnë për zonën e Europës dhe në të tilla kushte, reflektimi është gjëja që i duhet Skënderbeut.
“Jemi në një moment kur duhet të kishim vijimësi, por një gjë të tillë nuk e bëmë dot. Ekipi po e vuan këtë mundësi të humbur dhe mendoj se shumë shpejt do të reflektojmë. Nuk jemi më në kushtet kur humbjet nuk na bënin përshtypje, por kemi treguar se shumë mirë dimë të marrim përsipër gjithçka që na takon. E them këtë, pasi jam i bindur se ky ekip ka të gjitha mundësitë të dalë me sukses në ndeshjen e radhës dhe në këtë mënyrë hyjmë plotësisht në garë për vendet e Europës”, theksoi mesfushori i Skënderbeut që humbi përballjen e fundit për shkak të një problemi muskulor.
E ardhmja
I ngacmuar rreth së ardhmes si bardhekuq, Sibo iu shmang në mënyrën më të mirë të mundshme duke thënë se për sezonin aktual do të bëjë gjithçka çfarë të jetë e mundur për ekipin, ndërsa më pas i takon klubeve të flasin: “Që në momentin që kam ardhur në Korçë kam menduar vetëm që t’i shërbej ekipit në çdo moment që më kërkohet. Kam përshtypjen se kam bërë mirë gjithçka që më është kërkuar. Me të vërtetë që në futboll nuk ka asnjëherë perfeksion, prandaj përpiqem të përmirësohem nga java në javë. Për sa i përket së ardhmes, nuk më takon mua të flas. Janë dy klubet që duhet të bisedojnë fillimisht dhe më pas do të jem unë ai që vendos. Unë po them se në Korçë ndihem mirë dhe do të bëj maksimumin për këtë ekip sa herë të jetë e nevojshme”.
Partizani dhe Europa
Objektivi minimal i Skënderbeut duket se është një vend në Europë dhe për Sibon, një objektiv i tillë është më se i arritshëm. Në ndeshjen e radhës lojtari kërkon maksimumin dhe sigurisht që e quan obligim arritjen në tri vendet e para.
“Ne jemi të vetëdijshëm se Europa është objektivi ynë minimal dhe me çdo kusht duhet të jemi atje. Kemi dy rrugë, nga kampionati dhe Kupa, por duhet të shohim më shumë kampionatin për të pasur garancinë. Nëse shohim cilësinë e ekipit, i kemi të gjitha mundësitë për të qenë në tri vendet e para. Mjafton që të gjithë të jemi të vetëdijshëm për çfarë duhet të bëjmë në fushë. Është ajo që kemi diskutuar edhe me trajnerin. Duhet mentaliteti i duhur”, mbylli prononcimin e tij mesfushori Kuasi Sibo./PanoramaSport