“Sigurisht, është një situatë e vështirë, sepse zgjedhjet e ardhshme janë në vitin 2021. Kjo nuk do të thotë që Parlamenti ose Presidenti të mos hapin rrugën për të krijuar kushtet e duhura për të vazhduar rrugën e reformave. Sepse unë mendoj se reformat kanë ngecur në vend për shkak të situatës së vështirë në të cilën ndodhet vendi. Dhe kjo nuk e ndihmon situatën”.
Cilat janë programet e dy partive kryesore gjermane për zgjerimin e BE? Në intervistë me DW, Katrin Staffler, raportuese për Shqipërinë në Bundestag thotë se parimisht e shohim Shqipërinë në BE, nëse i plotëson kushtet.
Dy partitë e mëdha gjermane kanë bërë të njohur programet e tyre zgjedhore. Sa i përket Ballkanit Perëndimor që të dyja partitë janë të mendimit se ai e ka vendin në BE, kur t’i ketë plotësuar kushtet e duhura. Por ato kanë qëndrime të ndryshme, sa i përket shpejtësisë së integrimit:
Socialdemokratët, të cilët kanë zgjedhur si kandidatë kryesorë ministren aktuale të drejtësisë, Katarina Barley, dhe deputetin e Parlamentit Europian, Udo Bullmann, mendojnë se zgjerimi është një hap i nevojshëm për të ruajtur paqen, qendrueshmërinë dhe bashkëpunimin në rajon. Ata thonë se reformimi i brendshëm i Bashkimit Evropian, pra, konsolidimi, duhet të ndodhë paralelisht me zgjerimin. Dhe sa i përket Ballkanit Perëndimor konkretisht, ata vënë theksin te shteti i së drejtës dhe zhvillimi i demokracisë.
Konsolidimi para zgjerimit
Konservatorët, pra CDU/CSU, që si kandidat kryesor kanë kristiansocialin, Manfred Weber, e kanë formuluar pak më ndryshe paragrafin e zgjerimit: aty thuhet se thellimi vjen para zgjerimit, prandaj për pesëvjeçarin e ardhshëm dera e BE-së do të duhet të jetë e mbyllur për vende të reja. Ballkani Perëndimor shihet me perspektivë të qartë në BE, ndryshe nga Turqia, me të cilën konservatorët duan të lidhin vetëm një partneritet strategjik.
Konservatorët kërkojnë edhe rezultate më pozitive në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Këtu nuk do të bëjmë lëshime, thuhet në programin e tyre. Pra, anëtarësimi sipas tyre duhet të jetë i merituar, e jo thjesht si argument për të ruajtur paqen.
Katrin Staffler, CSU, raportuesja e re për Shqiprinë
Një nga personat që do ta shoqërojë afrimin e Shqipërisë në BE këtej e tutje do të jetë Katrin Staffler, deputete e CSU-së. e cila prej fillimvitit është raportuesja e re e CDU/CSU-së në Komisionin e BE-së së Bundestagut. Politikania kristiansociale (CSU) e mori këtë post në dorëzim nga Thorten Frei (CDU), i cili pas kongresit të CDU-së në dhjetor të vitit të shkuar, u bë nënkryetar i grupit parlamentar CDU/CSU. Ky është grupi më i madh parlamentar në Bundestag. Staffler do ta bëjë vizitën e saj në Shqipëri në gjashtëmujorin e ardhshëm. Në intervistë me DW-në, ajo thotë se Gjermania nuk duhet të ndërhyjë në politikën e brendshme të Shqipërisë, çdo dialog duhet të kalojë nga BE. *)
DW: Shqipëria është në protestë. Si i shikoni ju këto protesta?
Staffler: Fillimisht duhet thënë se qytetarët janë të pakënaqur dhe këtë e artikulojmë me anë të protestave. Ky është kuptimi që ka demokracia.
DW: Por protestuesit duan të rrëzojnë qeverinë. Partitë opozitare kanë dorëzuar mandatet, pra nuk kemi të bëjmë me një protestë të thjeshtë. Presidenti tha javën e kaluar se ishte i gatshëm të vetësakrifikohej.
Staffler: Sigurisht, është një situatë e vështirë, sepse zgjedhjet e ardhshme janë në vitin 2021. Kjo nuk do të thotë që Parlamenti ose Presidenti të mos hapin rrugën për të krijuar kushtet e duhura për të vazhduar rrugën e reformave. Sepse unë mendoj se reformat kanë ngecur në vend për shkak të situatës së vështirë në të cilën ndodhet vendi. Dhe kjo nuk e ndihmon situatën.
DW: Qeveria gjermane deri tani ka qenë zyrtarisht në krahun e kryeministrit Rama dhe kundër dorëzimit të mandateve. Edhe kolegu juaj nga CSU, Florian Hahn, është shprehur ngjashëm, pa mirëkuptim për djegien e mandateve. Shumë qytetarë shqiptarë e ndjejnë veten të pakuptuar nga ndërkombëtarët dhe mënyra si e shohin këta krizën aktuale në Shqipëri. Cili është opinioni juaj?
Staffler: Mendoj se qeveria gjermane nuk ka pse të ndërhyjë në konflikt si e tillë. Ne jemi të përfshirë në BE dhe mendoj se çdo dialog duhet bërë në radhë të parë nëpërmjet Bashkimit Evropian.
DW: Por pikërisht partia juaj ka qenë ajo që, pavarësisht qendrimit të BE-së ka përpiluar dy herë (në vitin 2016 dhe 2018) kushte shtesë, enkas për Shqipërinë.
Staffler: Ne fillimisht duhet të presim raportin e ri të Komisionit të BE-së për Shqipërinë, para se të bëjmë deklarata të parakohshsme. Natyrisht, e shohim me vëmendje situatën në vend dhe e marrim me mend se në cilin drejtim do të shkojë raporti. Por vendimet do t’i marrim pas raportit.
DW: Vitin e kaluar Shqipëria e mori një si gati premtim për çeljen e negociatave. Mendoni se për shkak të krizës Shqipëria ka shënuar një hap prapa në krahasim me vitin e kaluar?
Staffler: Ju thatë që ishte pothuaj një premtim. Unë besoj se kjo nuk duhet parë kështu. Ne duhet ta dimë se përse është fjala. BE-ja nuk është vetëm një treg i përbashkët ose një hapësirë e përbashkët ekonomike. Në radhë të parë ajo është një bashkësi vlerash bazë. Këto janë: shteti i së drejtës, lufta kundër korrupsionit, disa të drejta themelore që ua garantojmë njerëzve. Dhe unë mendoj se për sa kohë që nuk shohim përparime në këto drejtime, bëjmë mirë të mos flasim për afate kohore, të mos bëjmë asnjë premtim, por të shohim se cilat janë pikat që duhen përmbushur.
DW: Po a nuk ishte kështu vitin e kaluar? Komisioni tha se janë plotësuar kushtet, le të hapim negociatat.
Staffler: Po, por njëkohësisht, tha se ka edhe shumë gjëra të tjera që duhen rregulluar.
DW: Për shembull?
Reforma e drejtësisë është një pikë shumë e rëndësishme. Vërtet që vetingu ka shënuar një hap përpara, por duhet pritur derisa të përmbyllen të gjitha verifikimet. Sepse vendet vakante duhen zënë me personel. Unë shpresoj që aty të punësohen njerëz kompetentë.
DW: Çfarë do t’i këshillonit qeverisë shqiptare për të dalë nga kriza?
Staffler: Unë nuk besoj se jemi në atë gjendje sa t’i themi qeverisë shqiptare se çfarë duhet të bëjë. Ajo çfarë mund të bëjmë ne është që t’i themi qeverisë shqiptare se çfarë duhet të bëjë për të nisur negociatat me BE-në. Dhe kur ato pika të jenë përmbushur, atëherë mund të vazhdojmë më tej.
DW: Jemi në prag të zgjedhjeve për Parlamentin Europian. Çfarë qëndrimi ka partia juaj konkretisht ndaj zgjerimit të BE-së.
Staffler: Nuk flas dot për të gjithë në parti. Por nga diskutimet del në pah se parimisht ne e shohim Shqipërinë në BE, nëse ajo i plotëson kushtet.
DW: Por kjo temë sikur nuk përmendet shumë nga partia juaj tani në prag të zgjedhjeve.
Staffler: Pyetja është se kur do të dalë progres-raporti dhe pastaj mund të flasim më tej. Nëse kjo ndodh para zgjedhjeve, në rregull. Vendimtare nuk është data e zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, por data e progres-raportit të Komisionit.
*) Kjo intervistë u transmetua për herë të parë gjatë lidhjes direkte të Deutsche Welles me Top Channel TV (Tiranë) në datën 27.03.2019.