Mund të paguajnë më shumë siguracione se më parë, por ende akoma shumë pak për jetën dhe shëndetin e tyre. Kjo është situata që po e karakterizon tregun e sigurimeve në Shqipëri edhe gjatë këtij viti. Dhe duke vijuar kështu trendin në vazhdimësi të krijuar ndër vite, se shqiptarët para se të sigurojnë jetën apo shëndetin, mendojnë më parë për makinën. Konkretisht, sipas të dhënave zyrtare të Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare, në dy muajt e parë të këtij viti, siguracionet për jetën kanë qenë shumë të pakta, vetëm 0.16 milionë lekë, kundrejt 2,369 milionëve që janë paguar në total prej shqiptarëve për të gjitha llojet e të siguruarit.
Kjo, edhe pse ato u rritën +1.43% më shumë, krahasuar me një vit më parë. “Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës. Ato sollën 93.08% të vëllimit të përgjithshëm të pagesave”, sqarojnë ekspertët e AMF-së, lidhur me këtë dukuri. Duke shtuar se sigurimet e Jetës mbetën edhe këtë vit në një nivel modest të tyre, vetëm në 6.76% të totalit.
Më tej, AMF thekson se pagesat për sigurime të makinave përveçse një vlere të lartë financiare të tyre, gjatë dy muajve të parë të këtij viti kanë shënuar edhe një rritje të dukshme të tyre. “Pagesat e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë periudhës janar-shkurt 2019 arritën rreth 1.52 milionë lekë, ose 5.56% më shumë se në periudhën janar-shkurt 2018”, saktësojnë ekspertët. Shifra të tilla të larta, që ndoshta shpjegohen edhe me faktin e thjeshtë se ky mbetet një lloj sigurimi i detyrueshëm, e kësisoj, qytetarët janë “të dënuar” për ta paguar patjetër. Ndryshe nga një siguracion për jetën apo shëndetin, për të cilin duket se “mendohen dy herë”. Dhe duke qëndruar tek sigurimet e makinave, AMF sqaron se vetëm për Kartonin Jeshil, në muajt janar-shkurt të këtij viti pati një rritje të numrit të kontratave të lidhura prej qytetarëve, mbi nivelin prej c.
6.76% të totalit të tregut të sigurimeve në Shqipëri zotërohet aktualisht nga pagesat për Jetën, ndërsa ato për Jo-Jetën zotërojnë pjesën më të madhe të totalit, deri në 93.08% të pagesave të përgjithshme
52% u rrit sivjet numri i kontratave që lidhën qytetarët me kompanitë e sigurimeve vetëm për produktin e Kartonit Jeshil dhe 5% më shumë për sigurimin e detyrueshëm të makinave
Po paguhen më pak dëme, por edhe kur paguhen kryesisht për makinat
Një tjetër dukuri që bie në sy nga raporti i fundit i Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare është se gjatë këtij viti, kompanitë e sigurimeve në tërësinë e tyre kanë paguar më pak dëme ndaj klientëve të tyre se vjet. Por nga ana tjetër, duhet thënë se edhe kur e kanë bërë një gjë të tillë, kjo është bërë sërish për t’u “shërbyer” makinave . Për ta nxjerrë sërish sigurimin e makinave si të tillë, ndër zërat më të rëndësishëm në tregun e sigurimeve që ekziston aktualisht në Shqipëri. “Pagesat e dëmeve gjatë periudhës janar-shkurt 2019 u ulën me nivelin prej -6.78% krahasuar me një vit më parë”, sqarojnë ekspertët e AMF-së. Duke shtuar se pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket pikërisht sigurimit të makinave. “Dëmet e sigurimit motorik ishin rreth 0.53 milionë lekë, apo 63.30 % të totalit të dëmeve të paguara bruto”, shtojnë ata.
Sigurimi vullnetar? Edhe ai që bëhej, po vjen në ulje
Sigurimi vullnetar i shqiptarëve? Sa vjen dhe po ulet. Këtë e tregojnë edhe të dhënat më të fundit statistikore rreth tij, sipas të cilave, shifrat e tij përveçse mjaft të vogla, po vijnë dhe në rënie. E duke folur kështu sërish për një kulturë ende të ulët qytetare të shqiptarëve për t’u siguruar në tërësi. E cila reflektohet jo vetëm në një nivel të ulët të sigurimit për jetën, por edhe në atë që bëhet në mënyrë vullnetare. “Pagesat e sigurimit vullnetar, gjatë periudhës janar-shkurt 2019 arritën rreth 0.85 milionë lekë, 5.35% më pak se një vit më parë”, pohon AMF-ja. Duke shtuar edhe se numri i kontratave të këtij lloj sigurimi, sivjet u pakësua me -1.33%.