Skafisti i Klement Balilit, Petro Dalanaj një intervistë ekskluzive për gazetarin e Report Tv, Artan Hoxha zbulon emrin e personit, që sipas tij porositi sasinë e kanabisit, që trafikoi drejt Greqisë. Petro Dalanaj thotë se ai është Spiro Gira, biznesmen nga qyteti i Fierit.
Intervista e plotë e Petro Dalanajt për gazetarin e Report Tv, Artan Hoxha
Jeni liruar nga burgu në Greqi.
Po.
Saktësisht, në çfarë burgu keni qenë? Për çfarë jeni arrestuar dhe kur jeni liruar?
Unë jam arrestuar në datën 8 maj të vitit 2016, për një ngarkesë me hashash, nga Shqipëria për në Greqi, për në Zaqitho të Greqisë. Jam liruar në datën 4 mars 2019. Mbarova dënimin tim, u lirova dhe erdha pranë familjes.
Me sa kujtoni, si u përfshitë në këtë histori?
Në këtë histori, unë jam përfshirë spontanisht sepse kisha disa probleme ekonomike, kisha një kredi bankare. Dhe një peshkatar (sepse edhe unë jam peshkatar në pension) më tha që një i njohuri i tij donte të bënte një punë për në Greqi. Më tha që lekët i paguante kesh. I thashë që do të mendohesha. Pastaj, meqë kisha probleme, mendova që ta bëja atë punë dhe bisedova me zotërinë. Më tha që donte të dërgonte një ngarkesë nga Saranda për në Zaqitho. Unë i thashë që lekët i doja paradhënie sepse kisha halle. Më premtoi që do të m’i jepte, por ditën kur do të bëhej puna.
Pas rreth një muaji, më tha që duhej të takoja një person në Patra dhe ai personi do të më tregonte për punën që do të bëja. I thashë që nuk kisha lekë për të shkuar atje. Më dha rreth 400 euro. Shkova në Patra. Takova një grek, më dha numrin e telefonit. Mbiemrin e kishte Alipandi. Shkuam në Zaqitho. Më dha edhe një GPS me vete. Caktuam vendin se ku do të shkarkohej malli dhe u ktheva prapë në Shqipëri.
Me çfarë shkuat në Patra?
Me autobus.
Nga cila doganë keni kaluar?
Nga Kakavija.
Keni hyrë zyrtarisht?
Po, po, me pasaportë.
Nga Patra në Zaqitho, rrugën e keni bërë me skaf?
Me makinën e Alipandiut, e Jorgo Alipandiut.
Dhe shkuat në Zaqitho, ku patë vendin ku do të shkarkonit mallin?
Po.
Aty ju dhanë ndonjë hartë, ndonjë GPS?
Më dhanë një GPS që caktova pikën se ku do të shkarkohej dhe GPS e mora me vete se duhej që ta kisha unë, për të bërë punën.
Atë ditë u kthyet prapë në Shqipëri, apo u kthyet me skaf?
Po, në darkë jam kthyer me autobusët që vijnë nga Athina, në orën 12, kalojnë në Patra. Dhe jam kthyer në Sarandë.
Kufirin e keni kaluar nga dogana apo nga kufiri i gjelbër?
Po, nga dogana, nga Kakavija.
Pas sa ditësh keni shkuar për të marrë skafin?
Pas rreth një muaji. Në telefon më tha që do të shkoja në Greqi, atje ku kisha qenë dhe do të takoja po të njëjtin person dhe ai personi do të më thoshte se çfarë do të bëja. Duhej që të merrja edhe një njeri tjetër me vete, si ndihmës. Bisedova me një djalë që e njoh dhe që është nga fshati Borsh. Është peshkatar. I thashë që do të bënim bashkë një punë dhe do të fitonim ca lekë, por i thashë që do të punonim me cigare. Nuk i tregova që do të punonim me drogë. Edhe ai djali më njihte sepse unë shkoj çdo verë atje për të gjuajtur peshk. Kishte besim tek unë dhe prandaj erdhi me mua.
Sa ishte shuma që ju kishin premtuar për punën që do të bënit?
5 mijë euro.
Kur shkuat që të merrnit skafin në Patra, kalimin e bëtë prapë me autobus, zyrtarisht?
Kalimin e kemi bërë të rregullt me autobus, kemi kaluar pasdite, rreth orës 8 në darkë, a diçka e tillë. Shkuam në Patra, kemi fjetur atë natë atje në një hotel. Të nesërmen në mëngjes ka ardhur Alipandiu dhe më ka çuar te vendi ku ishte skafi. Të nesërmen e hodhën skafin në ujë, ishte furnizuar dhe u nisa për në Shqipëri.
Bashkë me Kleanthin?
Bashkë me Kleanthin.
E kishit bërë herë tjetër rrugën?
Jo.
Për sa orë e bëtë nga Patra deri në Sarandë?
Kam ardhur të nesërmen. D.m.th. kam udhëtuar rreth 5-6 orë. Ishte kohë shumë e keqe dhe jam strehuar në Zaqitho, në një ishull, që është përpara. Të nesërmen, kur u qetësua pak koha, pasdite kam qenë në Sarandë, rreth orës 7-8 të darkës.
Gjatë rrugës, nuk ju ndaloi njeri?
Jo. Asnjë ndalesë nuk pata.
Në momentin kur e keni sjellë skafin në bregdetin e Sarandës, personi që ju kishte kontaktuar nga Saranda, e kishte bërë gati ngarkesën, apo ju do të prisnit derisa ajo të bëhej gati?
Ai ngarkesën e kishte bërë gati sepse unë e mora në telefon dhe i thashë që kishte det e nuk shkoja dot atë ditë, por të nesërmen. Gjatë asaj kohe ai e kishte bërë gati ngarkesën.
Ngarkesa është bërë natën?
Në orën 10 të darkës.
Ju keni konstatuar ndonjë lëvizje të policisë në atë kohë, në tokë ose në det?
Jo, jo, nuk kam pasur asnjë problem.
Me sa kujtoni, ku është bërë zbarkimi?
Në zonën e bregdetit.
Në krahun kur shkon për në Lukovë?
Po, në zonën e bregdetit.
Ngarkesën kush e ka bërë?
Unë nuk i njoh njerëzit. Ishte errësirë dhe nuk i njihja.
Meqë ishte sasi e madhe, e bënë vetë ata?
Po, po. Unë nuk mund të zbrisja në tokë. Rrija në mjet. Një nga ata që ishin në tokë hipi lart, kurse dy të tjerët hidhnin ngarkesën në mjet.
Pasi u bë ngarkesa, u nisët direkt për në Greqi?
Po. Pasi u ngarkua skafi, për rreth 15-20 minuta, më dhanë benzinë me vete, nuk e mbaj mend mirë, por duhej të ishin mbi 500 litra benzinë. U nisa për të shkuar atje ku ishte caktuar zbarkimi.
Mjeti ishte i mirë, e përballonte?
Mjeti ishte shumë i mirë.
Ju thatë që ata ju pajisën me një GPS. E kishit të përcaktuar se në ç’drejtim?
Ajo ishte përcaktuar në atë vend ku më thanë ata. Atje duhej të shkoja patjetër.
Kur u shkëputët nga Saranda, natën e datës 5 apo 6 maj?
Rreth datës 6 kam dalë nga Saranda.
Dhe kur e zbarkuat ngarkesën në Zaqitho?
Në datën 7.
Në datën 7 duke u gdhirë data 8 maj?
Po. Në datën 7 kam shkuar në Zaqitho.
Kur u nisët nga Saranda, pagesën jua bënë parapagim?
Po.
Apo do t’ia bënin një njeriut tuaj?
Jo. Nuk mund të bëja punën unë pa marrë lekët.
I morët me vete?
Jo, i lashë në shtëpi.
Atëherë, gjatë kohës që keni udhëtuar nga Saranda për në Zaqitho, keni komunikuar me telefon?
Po.
Me cilin person?
Me Spiro Girën.
Spiro Gira ishte personi që kishte ngarkesën?
Po. Ai që më dha pagesën. Pagesën ma ka dhënë përpara se të bëhej puna.
Ju thanë sesa ishte ngarkesa?
Jo. Nuk e dija.
Autoritetet greke kanë regjistruar një peshë prej 679 kg kanabis. Gjatë kohës kur hytë në ujërat greke, keni komunikuar me personat që do t’ju prisnin atje?
Unë kam komunikuar me Spiro Girën gjatë kohës që lundroja, dhe me Jorgos Alipandis, gjatë kohës që do të arrija atje, që të përgatiteshin ata që do të merrnin ngarkesën. Me këta të dy kam komunikuar.
Nëse e kujtoni, kur e keni bërë zbarkimin në Zaqitho?
Ka qenë data 8 maj 2016. Ka qenë ora 4-5 e mëngjesit.
E kujtoni se ku e keni zbarkuar?
Po, në Zaqitho, në pjesën përballë Qefalonjasë, jo nga pas, por nga pjesa përballë. Janë dy ishuj përballë njëri-tjetrit. Në atë pjesë e kam shkarkuar.
E kishin mjetin afër ata, që të merrnin ngarkesën?
Ata kishin një makinë rreth 50 metra larg nga bregu, diçka e tillë sepse nuk vinte rruga deri në breg. Ishte vend i thyer.
Gjatë kohës që keni bërë shkarkimin e kanabisit, keni vënë re që ishit në gjurmim?
Jo, nuk kishte asnjë zhurmë, asnjë shenjë, asnjë dritë. Nuk kishte asgjë shqetësuese.
Po vendi i zbarkimit, ka qenë i përcaktuar fiks aty, apo patët ndonjë problem gjatë rrugës?
Po. Unë kisha një problem në fillim me GPS. Pastaj e përcaktuam tamam. Unë e kisha GPS me bateri. Bateria kishte rënë dhe GPS nuk punonte mirë.
Keni humbur kontaktet?
Jo kontaktet. Duhet të shkosh fiks atje ku duan ata, nuk mund të shkosh 100 metra apo 500 metra më tutje, apo 1 kilometër më tutje. Duhet të shkosh aty ku duhet.
Pasi latë ngarkesën, çfarë lëvizjeje keni bërë pastaj?
Pasi lashë ngarkesën, kam ndenjur rreth 1 orë atje në breg, sa zbardhi dita që të mos ikja me errësirë sepse nuk i dihej, nuk kisha garanci. Komunikova me Spiro Girën dhe ai më tha që mjetin ta çoja atje ku e kisha marrë, në Patra. Rreth orës 7 e gjysmë të mëngjesit, kam qenë në Patra. Mjetin e parkova atje ku e mora. Është një liman, ku njerëzit parkojnë shumë mjete. E parkova dhe ika. Bashkë me Kleanthin.
Ku shkuat pastaj?
Kisha lënë çantën me rroba te magazina ku morëm skafin. Shkuam atje dhe ndërruam rrobat. Morëm një taksi dhe shkuam të hanim.
Ku ju kanë ndaluar?
Kur po hanim, erdhën dy persona, na shtynë, na hodhën në shesh dhe na vunë prangat.
Ishin civilë apo me uniformë?
Civilë
Rreth çfarë ore ndodhi kjo?
Ka qenë ora 12 ose 12 e gjysmë.
E 8 majit?
Po. Rreth orës 11 e gjysmë deri në 12 e gjysmë, diçka e tillë.
Pastaj ku ju çuan?
Na ndaluan. Donin që të nxirrnim mjetin nga uji. Na kanë mbajtur deri rreth orës 8-9 të darkës atje. Pastaj u nisëm për në Athinë. Na çuan në policinë e Athinës.
Në momentin kur shkuat në Athinë, ju morën në pyetje?
Po. Gjatë rrugës, para se të shkonim te zyrat, një nga ata policët që na kishin ndaluar, më tha që do të më çonte në një zyrë, por që nuk do të flisja fare. Unë nuk i ktheva përgjigje. Nuk dija se çfarë bëhej.
Më vonë, kur ka filluar hetuesia, për çfarë ju pyetën? Ju thanë se për çfarë akuzoheshit?
Atje më thanë që një shef i madh do të më pyeste në veçanti. Nuk e kisha fare idenë se çfarë bëhej atje sepse nuk kisha qenë ndonjëherë. Ai më pyeti se nga isha. I thashë që isha nga Saranda. Aty ishte edhe një person tjetër te porta, por që unë nuk e shikoja. Dhe ky shefi më pyeti dy herë se nga isha. I tha atij tjetrit që a e dëgjonte se çfarë po thosha unë. Më pyeti nëse e njihja një person me mbiemrin Balili. Unë i thashë qe nuk e kisha idenë se për kë po fliste. Më pyeti përsëri nëse e njihja dikë që quhej Klement Balili. I thashë që nuk e dija se kush ishte sepse nuk e njihja. Shefi më tha se Klement Balili ishte i zoti i mallit dhe se unë duhej ta njihja. Unë i thashë që nuk dija gjë dhe që nuk mund të flisja për diçka që nuk e dija. I thashë që njihja Spiro Girën, që ai m’i kishte dhënë lekët për të bërë atë punë. Më kërcënoi se do të dënohesha me burgim të përjetshëm, prandaj duhej të thosha të vërtetën. I thashë që e vërteta ime ishte ajo që unë njihja Spiro Girën dhe jo Klement Balilin. Ai këmbëngulte që unë të thosha se e njihja Klement Balilin. I kërkova që të më thoshte arsyen, përse unë duhej të thosha patjetër se e njihja. Më tha që malli ishte i Klement Balilit. I thashë që ai mund të thoshte çfarë të donte, por unë nuk e dija fare se i kujt ishte malli.
Ju treguan ndonjë fotografi të Klement Balilit, për të verifikuar nëse e njihnit apo jo?
Jo.
Gjatë kohës që ju morën në pyetje, kishit avokat?
Jo.
Përkthyes keni pasur?
Jo. Kërkova përkthyes, por nuk më sollën, meqë unë e di pak greqishten. Nuk më sollën përkthyes as në polici, as në gjykatë, as në gjyq.
Nga e dini greqishten?
E di greqishten sepse kam 58 vite që jetoj në Sarandë, kam një jetë këtu, nga televizori, nga shoqëria.
Keni qenë emigrant?
Kam qenë emigrant në Patra, në vitet 1991-1993. Pastaj u ktheva në Shqipëri dhe nuk kam shkuar më në Greqi.
Gjatë kohës që u morët në pyetje, për kë kanë këmbëngulur autoritetet greke? Të kanë nxjerrë përgjime që ju keni komunikuar me personat që kishin porositur ngarkesën?
Jo, as edhe një lloj përgjimi nuk më kanë sjellë, asnjë gjë vërteton që unë kam diskutuar apo kam biseduar. Asnjë gjë nga këto. Thjesht më kanë pyetur. Në polici kanë insistuar për Klement Balilin, kurse në hetuesi thjesht më kanë pyetur se çfarë kisha bërë dhe si e kisha bërë punën dhe me kë e kisha bërë. Ndërsa në polici insistuan shumë për Klement Balilin, më kanë bërë presion. Më kërcënuan se do të dënohesha shumë, nëse nuk tregoja për Klement Balilin.
Përse kanë këmbëngulur te Klement Balili?
Nuk e di.
Sipas tyre, ata thoshin që ai ishte pronari i kanabisit, i skafit?
Nuk e di.
Ku këmbëngulnin ata?
Nuk e di. Nuk mund të them një gjë që nuk e di.
Gjatë kohës që ju morën në hetim, bashkë me ju u kap edhe djali nga Borshi, Kleanthi.
Po.
Për Kleanthin, çfarë thatë. Përse ishte me ju?
Kleanthin unë e mora thjesht si një ndihmës, t’i hidhte benzinë skafit, të më ndihmonte meqë edhe ai ishte peshkatar, kur unë duhej të pushoja pak, sepse nuk është rrugë që mund të ndalosh. Deti është i rrezikshëm.
Çfarë u the për Kleanthin, që dinte gjë për ngarkesën?
Unë nuk i thashë Kleanthit që do të merrnim hashash, i kisha thënë që do të punonim me cigare të paligjshme, do të bënim transport.
Në momentin kur ju arrestuan në Patra, kishit telefon me vete?
Po.
Një telefon apo më shumë?
Kam pasur një telefon.
Ka qenë me numër grek apo shqiptar?
Një telefon me numër grek. Numrin që vura në telefon, edhe aparatin e telefonit, ma ka dhënë Spiro Gira.
Sa kohë e keni përdorur atë telefon?
Vetëm ato 2-3 ditë.
E mbani mend numrin?
Jo, nuk e mbaj mend.
Autoritetet greke thonë që ju keni komunikuar, me atë telefon, me Jorgo Alifandiun.
Po.
Thonë po ashtu që keni komunikuar edhe me Klemend Balilin.
Në momentin që unë e njoh zërin e Spiro Girës, kur e njoh zërin, kur kam komunikuar në telefon që në Sarandë, me Klement Balilin është e pamundur.
Me sa kujtoni, me kë keni komunikuar me atë telefon?
Vetëm me Spiro Girën, dhe me Alipandiun. Me këta të dy e kisha punën unë. D.m.th. me Spiron nga Saranda, që më thoshte: “ec avash-avash … ik … të presin … çfarë problemi që të kesh do të të respektojë Jorgo kur të shkosh atje … vetëm se duhet ta çosh atje … mos u mërzit”, gjëra të tilla.
U arrestua nga policia atëherë Spiro Gira?
Nuk e di. Me ne nuk ka qenë sepse ai ishte në Shqipëri.
Është i lirë? Dini gjë se ku është?
Nuk di gjë.
E keni takuar më?
Jo.
Është interesuar për ju?
Jo, asnjë lidhje.
Sigurisht që në momentin e parë, autoritetet greke, përveç ngarkesës që kishin kapur, janë interesuar që të zbulojnë se kush kanë qenë drejtuesit e këtij grupi. Juve si ju kanë thënë, për cilin person shqiptar apo grek këmbëngulnin ata që ishte drejtuesi i organizatës?
Sipas fjalëve të ashpra që më thoshin mua, më thoshin që duhej të firmosja për Klement Balilin sepse sipas tyre, ai ishte organizatori i asaj. Unë i kam kundërshtuar sepse nuk e njihja atë person. Nuk e njoh. Nuk e di që të jetë ai. Nuk e kam parë ndonjëherë. Unë kam biseduar vetëm me Spiron për këtë çështje.
Sa kohë keni jetuar në Sarandë?
Babai im ka qenë ushtarak. Sot kam 58 vite që jetoj në Sarandë. Dhe e njoh qytetin e Sarandës dhe banorët shumë mirë.
Çfarë familjeje keni? Keni fëmijë?
Kam dy djem.
Klement Balilin, e njihni personalisht? E keni takuar? Keni dëgjuar?
Për Klementin di që është zyrtar, atje ku nxirren patentat. Nuk e di se si quhet ajo ndërmarrja.
Drejtoria e transportit.
Por që të merret me këto gjëra, është …
Ju vetë, personalisht, e keni kontaktuar më përpara?
Jo, jo.
Keni njohje me të afërm të tij, me vëllezërit?
Jo, jo. Nuk kam. Me sa di unë, ai nuk është sarandjot. Di që ka qenë në një institucion, zyrtar, dhe e njoh si fytyrë, si njeri nga larg.
Autoritetet greke, në dosjen e hetimit që kanë, deklarojnë se ju keni përdorur numrin grek të celularit: 6971713667. E kujtoni ta keni pasur këtë numër?
Nuk e mbaj mend.
Dhe me këtë numër, ju keni komunikuar me një numër shumë të ngjashëm në fakt, duket që janë numra në seri, 6971713683, numër të cilin, autoritetet greke pretendojnë se e përdorte, deri në mbrëmjen e datës 7 maj, Klement Balili.
Nuk e di. Nuk e mbaj mend numrin.
Gjatë kohës që ju kanë marrë në pyetje, në Greqi, sigurisht edhe gjatë kohës që gjyqit, ju keni kontaktuar edhe me persona të tjerë që janë arrestuar në lidhje me këtë çështje.
Po.
Çfarë ju kanë thënë? E njihnin ata Klement Balilin? Cili ishte qëndrimi që kishin ata?
Kur shkuam në gjyq, ata thjesht e përmendën si emër.
Kush e ka përmendur?
Gjyqtari. Prokurori dhe gjyqtari.
Nëse ju kujtohet, sa të pandehur keni qenë në gjyq?
Kemi qenë 21 veta.
21 veta?
Po, 2 shqiptarë dhe 19 grekë.
Gjatë dëshmive, nuk është përmendur?
Jo. Nga neve që ishim atje të akuzuar, asnjëri nuk e njihte. Unë ata të tjerët nuk i njihja, nuk kisha asnjë lidhje me ata. Nuk i njihja fare. Unë njihja vetëm Spiro Girën dhe Jorgo Alipandiun. Vetëm ata të dy. Vetëm me Alipandiun më prezantoi Spiro Giroja.
Sa kohë ka zgjatur gjyqi në Greqi?
Janë bërë rreth 13 seanca, rreth një muaj.
Në çfarë viti u zhvillua gjyqi?
Ne jemi arrestuar në maj të vitit 2016 dhe në nëntor të vitit 2017, sepse neve na mbaronte afati, është bërë gjyqi.
Gjyqi u zhvillua në Athinë apo në Patra?
Në Athinë.
Gjatë gjykimit, çfarë vendimi u dha për ju?
Unë jam dënuar me 13 vite.
Me çfarë akuze?
Transport i paligjshëm dhe organizatë kriminale.
Po Kleanthi?
Edhe Kleanthi të njëjtën akuzë kishte.
Dhe sa u dënua?
Kleanthi u dënua me 3 vite.
Dhe sa vite burg bëri?
Bëri 1 vit e gjysmë, d.m.th. të nesërmen doli nga burgu.
Po ju, sa burg bëtë?
Unë, kam bërë burg 2 vite e 10 muaj dhe 2 vite e 6 muaj i kam bërë punë, që konvertohet me burg.
Pra e gjithsej 5 vite e 4 muaj.
Po.
Me sa kujtoni, personat e tjerë që kanë qenë në gjyq, çfarë dënimi kanë marrë?
3 grekë janë dënuar me nga 19 vite, unë Petro jam dënuar 13 vite, Kleanthi 3 vite dhe doli të nesërmen pas gjyqit, 16 të tjerë janë dënuar me detyrim paraqitjeje. D.m.th. kanë dalë nga gjyqi, disa ishin brenda dhe u liruan që të gjithë.
Gjatë procesit, është dhënë vendim për Klement Balilin?
Nuk mbaj mend që të jetë dhënë vendim për të.
Kur është lexuar vendimi nga gjykata, dhe besoj se aty janë përmendur emrat një e nga një, ka pasur vendim për Balilin?
Jo.
E kanë dënuar në mungesë?
Jo, as për Balilin, as për Aleksandër Potin, që ishte i akuzuar edhe ai.
Edhe Aleksandër Poti ka qenë i akuzuar?
Po.
Për çfarë ka qenë i akuzuar Aleksandër Poti?
Për të njëjtën çështje.
Ai është kapur në Greqi, ka qenë me juve në burg?
Jo. Ai ka qenë në Greqi dhe ka ikur. Ka ardhur në aeroport ditën që na kanë arrestuar ne, dhe ka ikur.
Gjatë kohës që jeni marrë në hetim, ju është premtuar nga autoritetet greke që, nëse ju tregonit të vërtetën, tregonit se kush ishte pronari i vërtetë i ngarkesës, që e gjitha ajo ishte e organizuar nga Klement Balili, a ju është ofruar ndonjë favor, d.m.th. liri, nëse ju tregonit që ai person ishte njeriu që ishte përfshirë në këtë çështje?
Po. Në polici, po. Nuk më kanë detyruar, por më kanë folur ashpër, më kanë thënë që të flisja për Klement Balilin. Kurse unë u kam thënë që atë person nuk e njihja. Unë njihja Spiro Girën. Atë njihja, që më kishte paguar. Nuk më kanë detyruar, por më kanë thënë që do të dënohesha shumë.
Gjatë procesit në gjyq, prokurori ka nxjerrë prova, dëshmitarët kanë folur për përfshirjen e Klement Balilit?
Asnjë. Asnjë dëshmi. Në 13 seanca gjyqi që janë zhvilluar, asnjë dëshmi nuk ka pasur për Klement Balilin. Asnjë fakt.
Kur është lexuar vendimi, nuk e mbani mend që të jetë shprehur edhe dënimi për Klement Balilin?
Jo, jo. Nuk është dënuar.
Gjatë kohës që keni qenë në burg, sigurisht që keni kontaktuar me shqiptarë e grekë.
Po, patjetër.
Ke marrë vesh se kush është ky person?
Po, nga televizioni kam dëgjuar shumë gjëra. Edhe kur flisja në telefon me familjen, më kanë thënë që ishte folur në parlament për mua, për Klement Balilin. I kam pyetur se kush i bënte këto dhe më thanë që i bënin partitë në funksion.
Ju kanë bërë presion, ose ju kanë kërcënuar juve apo familjen tuaj që, nëse ju tregoni ose përmendi Klement Balilin, mund të kishit pasoja?
Jo, jo. Asnjë problem. As me familjen, as me të afërmit, as me fëmijët, asnjë problem nuk kemi pasur.
Gjatë hetimit të bërë nga autoritetet greke, një pjesë e dosjes tashmë ka ardhur në prokurorinë shqiptare, paraqiten disa përgjime, dhe ato tashmë janë si prova të një procesi, ku këmbëngulet që ju keni komunikuar me Klement Balilin, kryesisht për mënyrën sesi do ta merrnit ngarkesën në Sarandë rreth datës 5 maj 2016, dhe pastaj për mënyrën sesi do të bëhej zbarkimi në Zaqitho. Personi që përdor numrin me 683 në fund, kush është?
Personi që më ka marrë mua në telefon, ka qenë Spiro Gira.
Jeni i sigurt, për këtë?
Po, po.
Pse?
Sepse ia njoh zërin. Unë numrin nuk e mbaj mend sepse numrin ma dha kur do të hipja në mjet. Kur ika më dhanë një numër telefoni, një kartë me numër telefoni. E vura në telefon dhe flisja.
Jorgo Alepandi, e njihte Spiro Girën?
Po.
Po Jorgo, ka folur ndonjëherë për Klement Balilin?
S’e kam dëgjuar ndonjëherë.
Nga momenti që dolët, pra që u liruat, si u kthyet në Shqipëri? Ju nuk kishit dokumente identifikimi.
Autoritetet e burgut më dhanë një certifikatë lirimi, emrin tim të saktë, dhe me atë u ktheva. Është si dokument zyrtar.
Si u kthyet?
I hipa autobusit, erdha në Gumenicë. Nga Gumenica prapë me autobus deri në kufi. Pastaj kalova, në Qafë-Botë.
Keni kaluar nëpërmjet pikës doganore, apo në kufirin e gjelbër?
Kalova nga pika doganore e grekut sepse nuk kisha pasaportë. Pasaportën kur ma morën, nuk ma kthyen më. Pastaj kalova nga pika doganore, por jo nga dogana shqiptare.
Pra te dogana greke e ke regjistruar me emër që po del nga territori grek?
Po.
Te dogana shqiptare je regjistruar me emër që po hyn në Shqipëri?
Jo. Nuk jam regjistruar sepse do të kisha probleme nga televizionet, nga çështja, nga të gjitha ato që kisha dëgjuar.
Para se të bënit këtë rrugën me skaf për në Zaqitho, keni bërë më përpara tentativa të tjera?
Jo. Nuk e kam bërë ndonjëherë. Nuk e kisha tentuar. Unë atë e bëra thjesht sepse kisha një kredi që më rëndonte.
Për çfarë e kishit marrë kredinë?
Kisha bërë një dyqan dhe kisha marrë një kredi në bankë. Dyqani nuk po ecte mirë dhe kredinë isha i detyruar që ta shlyeja. Kjo është historia.
Ju thatë që në datën 4 keni dalë nga burgu në Greqi. Në çfarë date jeni kthyer në Shqipëri?
Në datën 6. Në datën 5 kam qëndruar në Patra. Në datën 6 në drekë kam ardhur në Sarandë.
Tani çfarë do të bëni?
Tani do të vazhdoj jetën e përditshme. Kam varkën e peshkimit.
Në Greqi do ta apeloni vendimin që është dhënë nga autoritetet greke?
Patjetër. Kur të dalë, sepse vonon shumë Apeli në Greqi, gjyqi i dytë.
Gjatë kohës që ishit në burg atje, kishte shqiptarë të tjerë, të dënuar për trafik të narkotikëve?
Po. Shumë.
Si ishte trajtimi në burg?
Normal, pa asnjë problem.
Gjatë kohës që keni qenë në burg, keni thënë që jeni marrë edhe me punë. Konkretisht çfarë keni bërë?
Kam punuar rrobaqepës.
Sa kohë?
2 vite e 4 muaj.
Kërkuat vetë apo jua ofruan?
Në momentin që më çuan në burgun e Patrës, procedura është që të bëjnë analizat se mos ke ndonjë sëmundje, dhe pas 2-3 muajve aplikon për punë, duke shkruar se çfarë profesioni ke. Fati im që kam punuar rrobaqepës shumë vite më parë dhe meqë atje kishte organikë, u futa në rrobaqepësi.
Dhe çfarë qepnit?
Rregulloja rrobat e të burgosurve.
Policia e burgut ndërkohë nuk të krijonte probleme?
Jo, jo, asnjë problem.
Kjo punë paguhej?
Jo. Puna nuk paguhej, por çdo ditë që shkoja në punë, më shtohej një ditë nga burgu.
Gjatë kohës që ju ishit në burg, sigurisht që familja juaj ka pasur probleme.
Po, serioze.
Nëse do t’ju jepej një mundësi tjetër, do ta provonit prapë?
Jo. Është vetëvrasje. Është shumë e vështirë.
Pasi jeni kthyer në Sarandë, sigurisht që jeni njohur me atë se çfarë ka ndodhur në Shqipëri. Çështja për të cilën ju jeni dënuar në Greqi, është duke u gjykuar në Shqipëri.
Po, kam dëgjuar nga televizori, kur isha në Greqi, për Klement Balilin që është vetëdorëzuar. Kaq di, nuk di gjë tjetër. Kam pyetur shokët e miqtë që kam, dhe kaq di.
Nga momenti që keni ardhur në Shqipëri, ju ka ardhur dikush nga autoritetet shqiptare?
Jo, deri më sot, jo. Unë faktikisht mendoja se do të vinte ndonjë njeri, ose edhe mund të vijë, që të më bëjë ndonjë pyetje. Nuk e di. Unë nuk kam asnjë problem. Letrat janë se çfarë kam thënë.
Deri tani nuk ka ardhur njeri?
Deri tani jo.
Faleminderit!
Ju lutem! Faleminderit edhe juve!