Kongresi i ditës së djeshme, tregoi edhe njëherë se partisë Socialiste i ka mbetur vetëm emri, pasi kjo forcë politike është uzurpuar nga ‘Rilindasit’ e Edi Ramës.
Që Kongresi nuk është i PS-së, këtë e tregoi edhe njëherë mosprania e Fatos Nanos, i cili refuzoi sërish të bëhet pjesë e spektaklit të Edi Ramës, edhe pse gjatë gjithë javës u përfol se ish-kreu socialist do të ishte në Kongres këtë Radhë.
Por nuk ishte vetëm Fatos Nano ai që mungoi, por edhe kongresmenë të vjetër të PS nuk ishin të pranishëm, si ish-kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika, apo Arben Duka.
Pas Kongresit, Duka i kushtoi dhe një poezi mikut të tij Gjika, për mungesën në Kongres ku i shkruante:
“Ka disa lexues
Po pyesin përdita
Përse ka ndryshuar
gazeta jonë Dita?
O motra, o vëllezër
Këtu ka rënë flama
S’ka ndryshuar Dita
Ka ndryshuar Rama.
Ka ndryshuar Rama
Ose i tillë ishte
Dhe ka ndenjur fshehur
Si në kallamishte.
S’dua të përmend
emra të urryer,
Po sot socialistët
Janë gjith’ të gënjyer.”
Pas kësaj ka reaguar edhe Shpëtim Gjika, i cili i ka kthyer përgjigje po me anë të vargjeve, ku sulmon Rilindjen, që sipas tij nuk është PArtia e socialistëve të vërtetë.
“Shpresoj o miku im
Në se jemi gjallë
Në Kongresin tjetër
Të jemi në ballë
Tani s’kemi nge për llafe
Kemi një fushatë
Socialistët punë
Rilindasit gallatë”, – shkruan Shpëtim Gjika.
Shpëtim Gjika është nipi i bejtexhiut të famshëm të Tërbaçit, Xhebro Gjika, e kësisoj bejten e ka traditë, por nuk e kishte treguar deri më sot, ku i shtyrë nga Kongresi i PS-së, zbuloi talentin e tij.
Poezia e plotë e Arben Dukës:
Ka disa lexues
Po pyesin përdita
Përse ka ndryshuar
gazeta jonë Dita?
O motra, o vëllezër
Këtu ka rënë flama
S’ka ndryshuar Dita
Ka ndryshuar Rama.
Ka ndryshuar Rama
Ose i tillë ishte
Dhe ka ndenjur fshehur
Si në kallamishte.
S’dua të përmend
emra të urryer,
Po sot socialistët
Janë gjith’ të gënjyer.
S’i gënjyem ne,
të gazetës “Dita”,
i gënjeu Rama,
me nja dhjetë petrita!.
Ne njerzit e thjeshtë,
s’i gënjyem kurrë,
Për ta dot të keqes,
S’i bëhemi urë!
Ne për fukarenjtë,
Dyert i mbajmë hapur,
ata ligësia,
në grykë i ka kapur!
Ne jemi këtu,
për njerzit e thjeshtë!
Si ditën e parë,
kur dolëm në vjeshtë.
Ne jemi sërish,
po aty ku ishëm,
Po Rama-Bashkimin,
po ndan me Berishën!
“Shajnë” njeri-tjetrin,
sa vendi gjëmon,
po gjuha e lekut,
fshehtas i bashkon!
Ridvani në Bankë,
sot po tund zinxhirin,
Nëpër poste janë
Dreqi me të birin.
Erdhi Edi Rama,
që “nuk bëka dhunë”,
po prapë socialistët,
mbetën të papunë!
Të thjeshtve që ndenjën,
ballë çdo furtune,
u thoshte Edvini:
“S’jemi zyrë pune!”
Për Janarin donim
Pakëz drejtësi
Na thoshte Edvini
“S’jam prokurori”.
Edhe pse gënjeu,
katër vjet Ai,
socialistët votën,
ja dhanë përsëri!
Socialistët votën,
ja dhanë përsëri,
tani i ka Rama,
timon e tepsi!.
Ulaj i Saliut,
s’ha si milingona,
sepse timonieri,
po i jep miliona!
Miliona po merr,
bosi i Tropojës,
kur shqiptarët vuajnë,
për bukën e gojës!
Mona me Lulushin,
kot nuk ulëret,
se para e madhe,
qarkullon në shtet!
Nuk duan t’ia dinë,
hiç për fatin ton’,
po e njohin vjedhjen,
se si funksionon!
Të gjithë janë njësoj
Vendin bën’ varrezë,
dhe nuk ju vjen turp,
për faqen e zezë!
Veç me poshtërsira,
sa shum’ kanë lënduar,
Por tani dhe “tanët”
Rëndë kanë tradhtuar!
Nuk janë vetëm vjedhjet
Pse këta s’janë “tanët”
Edvini aspak,
S’i do partizanët.
Sepse po t’i donte,
ndryshe do vepronte,
dhe kryeballistin,
s’rehabilitonte!.
Edvini së fundi,
ndryshoi qeverinë,
Po ne që votojmë,
as emrin s’u dimë!
Këta që ministra,
janë katapultuar,
s’dimë në Socialisten,
vetë e kanë votuar?
Thonë që filan zonjë
Paska shumë para,
po me Socialistën,
kjo çfarë lidhje ka?!
Po edhe për Gentin,
dhe Sandrin e dimë,
që asnjë lloj lidhje,
nuk kanë me partinë.
Nuk ka më dilemë,
por është e vërtetë,
se sot Socialistja,
Nuk është në pushtet!
Tani kë të duan,
Le të shkruajnë në lista,
po vetëm mos thonë
“Jemi socialista!”
Këto që po them,
s’i di vetëm unë,
E zullumet janë,
njëqind herë më shumë!
Postimi i plotë i Shpëtim Gjikës:
Arben Dukës miqësisht me vargjet e mia modeste !
Tung o Arben Duka
Më bëre të llois
Se aq mirë sa ty
Fjalët s’i radhis
Tani pas Kongresit
Ndonjë llaf ta themi
Se ne veteranët
Vetëm fjalën kemi
Për ne veteranët
Mbase mirë do ishte
Jo në presidium
Të paktën një karrige
Pa shumë pretendime
Nuk donim kolltuk
Vetëm të dëgjonim
Se jemi të urtë
Nuk bëhej qameti
Vetëm për një ftesë
Që dhe veteranët
Të ishin në Kongres
Të ishin si fasadë
O ti Arben Duk’
Jo për të llafosur
Thjesht sa për fejsbuk’
Shpresoj o miku im
Në se jemi gjallë
Në Kongresin tjetër
Të jemi në ballë
Tani s’kemi nge për llafe
Kemi një fushatë
Socialistët punë
Rilindasit gallatë
Puna do vazhdojë
Të rinj e veteranë
Të fitojmë zgjedhjet
Nga Vlora në Tiranë
Dhe pasi të fitojmë
Me punë ditë e natë
Të dyve do na thonë
Keni grirë sallatë
Sh.Gjika Vlorë, më 24 Mars 2019!