Nga Boldnews.al
Ministrja e Drejtësisë në Bullgari, Tsetska Tsacheva dha dorëheqjen në fundjavë, pasi media lokale zbuloi se ajo kishte blerë një apartament luksoz me çmim nën kosto. Pavarësisht se ministrja mohoi që kjo ngjarje kishte lidhje me korrupsionin, gjithësesi ajo dorëzoi portofolin e saj qeveritar tek kryeministri Boyko Borisov, i cili pranoi dorëheqjen e Tsacheva-s.
Rasti bullgar ka ngjashmëri thuajse identike me çështjen e drejtuese së Prokurorisë për Krime të Rënda në Shqipëri, Donika Prela.
“Boldnews.al” më së shumti, por edhe media të tjera, publikuan të dhëna të dokumentuara se si Donika Prela kishte blerë jo një, por tre pasuri në periudha të ndryshme, me vlera nën kosto ose në çmimet e referencës të përcaktuara nga Qeveria.
Natyrisht, Donika Prela nuk dha dorëheqjen. Por, edhe Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) dhe vëzhguesi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM), Teo Jacobs, nuk konstatuan asnjë problematikë në këto raste dhe shefja e Krimeve të Rënda u konfirmua në detyrë nga shkalla e parë e Vetingut.
Siç ka raportuar edhe më parë “Boldnews.al”, Donika Prela dhe bashkëshorti i saj kanë marrë në pronësi dy apartamente dhe një sipërfaqe toke, me vlerë disa-fish më të ulët se sa çmimet minimale.
– Në vitin 2013, Donika Prela dhe bashkëshorti i saj blejnë një sipërfaqe toke 1000 m2 në Petrelë të Tiranës, me vlerë totale 350 mijë lekë të reja. Kjo vlerë është anomalisht e ulët.
Çmimi i referencës për shitjen e tokave në këtë zonë, bazuar në Vendimin e Këshillit të Ministrave të vitit 2013, është 3560 lekë/m2, pra, 10 herë më e lartë se sa çmimi që ka shpenzuar familja Prela për blerjen e tij. ILDKPKI e ka konsideruar problem këtë blerje, ndërsa Komisioni i Vetingut u shpreh me “gjysëm zëri” se blerja është e rregullt
– Në Shkurt të vitit 2014, familja Prela blejnë një apartament në Plazh, Durrës, me vlerë 1.4 milionë lekë, rreth 3 herë më lirë se sa çmimi që kanë paguar banorët e tjerë, të cilët kanë blerë në të një njëjtën periudhë dhe në të njëjtën godinë me Donika Prelën.
Rreth 10 muaj më pas, në Dhjetor 2014, familja Prela e shet këtë apartament, me vlerë 4 milionë lekë. Pra, duke fituar brenda 10 muajve një shumë prej 2.6 milionë lekë të reja
“Boldnews.al” publikoi të paktën 6 kontrata shit-blerje të tjera, në të njëjtën godinë, ku shtetas të ndryshëm e kishin blerë apartamentin e tyre me vlerë 3 herë më shtrenjtë se kryeprokurorja e Krimeve të Rënda.
Donika Prela e justifikoi këtë transaksion para Komisionit të Vetingut me faktin që bashkëshorti i saj kishte punuar si inxhinjer tek kompania ndërtuese e godinës. Administratori i kompanisë i kishte bërë “favor”, duke i shitur apartamentin me çmim të ulët, madje nën koston e ndërtimit. Ajo nuk dhënë shpjegime se përse biznesmeni ishte treguar aq bujar me Vangjel Prelën, sa të dilte me humbje nga ky transaksion.
– Në vitin 2018, familja Prela blejnë një apartament me sipërfaqe 135 m/2, me vlerë 110 mijë euro (840 euro/m2) në rr. Tefta Tashko, në Tiranë. Çmimi i blerjes është anomalisht i ulët. Çmimet në atë zonë, madje në të njëjtin pallat, variojnë 1200-1400 euro/m2. Pra, Donika Prela ka blerë apartamentin me vlerë 50.000-70.000 euro më lirë se banorët e tjerë.
Të tre rastet e mësipërme janë thuajse identikë me atë të ministres bullgare të Drejtësisë. Si zonja Tsacheva në Bullgari, ashtu edhe zonja Prela në Shqipëri, kanë blerë pasuri të paluajtshme me vlera nën kosto.
Por, diferenca ndërmjet dy zonjave është e madhe- Tsacheva bullgare dha dorëheqjen, ndërsa Prela në Shqipëri jo vetëm që u konfirmua në detyrë, por aktualisht është një kandidaturat kryesore për drejtimin e Strukturës së Posaçme Hetimore, SPAK.
Rasti i ministres bullgare ndoshta mund t’u shërbejë edhe vëzhguesve ndërkombëtarë të Vetingut, e sidomos drejtueses së misionit, Genoveva Ruiz Calavera, e cila është e bindur se procesi i Vetingut në Shqipëri po ecën në shinat e drejtësisë.
Ndërsa vëzhguesi i çështjes “Prela”, Teo Jacobs, është në pritje të zbardhjes së vendimit, për të parë nëse dokumentat e publikuara në media për Donika Prelën janë identikisht të ngjashme me rastin e ministres së Drejtësisë së Bullgarisë, Tsetska Tsacheva.