Këshilltari për Ekonominë i CDU-së, Martin Henze, ka komentuar situatën e vështirë politike në të cilën ndodhet Shqipëria.
Në një intervistë, Henze është shprehur i qartë se e vetmja zgjidhje për krizën politike në Shqipëri, janë zgjedhjet e parakohshme.
Sa i përket djegies së mandateve, ai e cilësi një vendim historik dhe kurajoz atë të partisë Demokratike. Sipas Heinze Shqipëria duhet të jetë krenare që ekziston Partia Demokratike.
Intervista e plotë:
Pyetje: Ministrja e financave ka deklaruar që investitorët e huaj po stepen për shkak të protestave të opozitës. Mendoni se ka një ndikim?
Përgjigje: Më e rëndësishmja për mendimin tim është se investitorët e huaj, që të vijnë, kanë nevojë për garancira ligjore. Dhe në Shqipëri për momentin nuk funksionon Gjykata Kushtetuese dhe nuk funksionon Gjykata e Lartë. Kështuqë këto garanci nuk mund t’u jepen investitorëve të huaj. Shtoj këtu se edhe korrupsioni është në nivelet më të larta. Për mendimin tonë, kjo i pamundëson investitorët e huaj që të vijnë në Shqipëria dhe ta shohin Shqipërinë si atraktive.
Pyetje: Zoti Henze, opozita prej disa javësh ka djegur mandatet dhe është kritikuar nga të gjithë partnerët ndërkombëtarë, edhe nga Gjermania, edhe ministria e jashtme ditën e djeshme ka lëshuar një deklaratë, edhe nga CDU-ja zoti Hahn e ka kritikuar vendimin e opozitës për djegien e mandateve. Ju si e shikoni këtë akt të opozitës, e dëmton procesin e integrimit të Shqipërisë?
Përgjigje: Për mendimin tim, është shumë e rëndësishme që Shqipëria dhe Evropa duhet të jenë krenarë që ekziston Partia Demokratike, një parti demokratike në Shqipëri, e cila merr me kurajo vendime demokratike. Çdo i zgjedhur në Partinë Demokratike dhe në parlament mund të zgjedhë vetë si të vendosë, meqë jemi në një republikë demokratike, se çdo të bëjë me mandatet e veta. Dua të kujtoj se në Evropë ka mendime kontradiktore për vendimin e Partisë Demokratike, pra jo gjithçka keni transmetuar në Shqipëri, sikur Evropa kritikon djegien e mandateve, reflekton të vërtetën, sepse këtu tek ju mbërrijnë informacione shumë të selektuara dhe të filtruara. Ka mendime të ndryshme për këtë pikë. Pastaj, unë e shoh si një gjë shumë të rëndësishme që Partisë Demokratike në parlament i është mohuar e drejta parlamentare. Në këto momente në Shqipëri mungon Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë dhe fiks në këtë kohë PD i janë mohuar të drejtat parlamentare, çka do të thotë se PD dhe opozita nuk kanë asnjë të drejtë a mundësi për të kontrolluar parlamentin apo për të apeluar vendimet e parlamentit, sepse siç edhe ju e dini, çdo vendim i parlamentit mund të çohet në Gjykatën Kushtetuese për apelim, nëse opozita e vlerëson si të arsyeshëm këtë hap. Në Shqipëri kjo gjykatë mungon dhe për këtë arsye mungon edhe e drejta parlamentare. Prandaj edhe zgjedhja për t’u larguar nga parlamenti e Partisë Demokratike mund edhe të kuptohet. Më lejoni të them edhe diçka tjetër. Do të krahasoj Shqipërinë me një shembull shumë të thjeshtë. Nëqoftëse një pacient i sëmurë në spital bëhet gati për operacion, grupi i mjekëve përgatitet për operacion pasi pacienti ka një gjak të infektuar dhe duhet të ndërrohet gjaku, nëqoftëse grupi i mjekëve i heq të tërë gjakun, pa i injektuar gjakun e ri, çfarë ndodh: pacienti vdes. Pak a shumë e njëjta gjë ka ndodhur me reformën në drejtësi në Shqipëri. Gjykata Kushtetuese nuk ekziston dhe për momentin asnjë gjyqtar nuk është zëvendësuar. Them se do të kishte qenë mirë që të kishte ndodhur një zëvendësim provizor i gjykatësve të Kushtetueses, pra qeveria ose klasa politike mund të kishte propozuar një grup gjykatësish provizorë nga gjykata ndërkombëtare të BE-së, që të merrte provizorisht funksionet e Gjykatës Kushtetuese. Në këtë mënyrë, edhe e drejta parlamentare e opozitës do të ishte atje. Por po rikujtoj se në këto momente, kur Gjykata Kushtetuese është inegzistente, e drejta parlamentare po ashtu mungon. Opozita nuk ka të drejtat bazë demokratike për të kontrolluar parlamentin dhe mbarëvajtjen e parlamentit.
Pyetje: Kryetari i Misionit të OSBE-së në Tiranë deklaroi se deputetët e rinj që po marrin mandatet në parlament, ligjërisht mund të votojnë reformën zgjedhore, si diçka që e kanë kërkuar edhe ndërkombëtarët. Ekziston një dyshim nëse mund të quhen që këta deputetë të rinj përfaqësojnë me të vërtetë opozitën apo jo. Cili është mendimi juaj për këta deputetë që po marrin mandatet dhe po krijojnë një shumicë cilësore për të kaluar reformën zgjedhore?
Përgjigje: Çështja është akoma më komplekse, nuk është kaq e thjeshtë. Duke qenë se këta deputetë vijnë nga një listë partiake, pra është votuar partia, nuk është votuar kandidati, kjo lë mundësi për dyshime. Përsëri detyrohemi të kthehemi tek Gjykata Kushtetuese. Këtë gjë mund ta interpretonte vetëm Gjykata Kushtetuese. Në Shqipëri siç e thashë disa herë, Gjykata Kushtetuese nuk është aktive dhe kjo gjë lë shteg që dyshimet të mbeten. Nuk është e qartë nëse është e drejtë apo jo, prandaj unë mendoj se OSBE-ja nuk mund të thotë është legjitime apo jo për sa kohë që Gjykata Kushtetuese nuk mund të shprehet dhe nuk mund të apelohet atje një vendim i tillë. Ne e dimë se ai trup kushtetues është organi më i lartë që shqyrton këto lloj çështjesh.
Pyetje: Në eksperiencën tuaj politike, si mund të zgjidhet kjo krizë që ka kapur Shqipërinë, duke qenë se asnjë nga palët nuk po bën hapa prapa për t’u tërhequr? Keni ju një propozim si mund të zgjidhet kriza politike?
Përgjigje: Duke qenë se jemi në një republikë parlamentare dhe republikë demokratike, ai që vendos në fund të fundit është populli, sepse populli ka zgjedhur edhe deputetët, pra parlamentin. Populli është ai që duhet të vendosë se si të ecë përpara. Partitë politike janë të detyruara të dëgjojnë popullin. Duke qenë se jemi në një republikë parlamentare, unë mendoj se një zgjidhje është që partitë të bëjnë hapa përpara, duke i ardhur përballë njëra-tjetrës, dhe padyshim përfundimi do të jetë zgjedhje të reja, sepse në fund të fundit është populli ai që do ta vendosë. Kemi partitë opozitare që kanë marrë një vendim demokratik nga forumet e tyre, për t’u larguar nga parlamenti. Ata janë të zgjedhur nga populli dhe përfaqësojnë një pjesë të popullit, kështuqë për mendimin tim, duhet që të dy palët të tregojnë përgjegjësi dhe të arrijnë në një përfundim që mund të jenë edhe zgjedhjet. Ne si investitorë gjermanë duam të vijmë me kënaqësi të investojmë në Shqipëri, por kemi nevojë për garanci, garanci politike, garanci ekonomike dhe që të luftohet korrupsiono, sepse kemi dëgjuar që korrupsioni është shumë i lartë. Nëqoftëse këto pengesa arrihen të sheshohen, atëhere ne do të jemi të kënaqur të vijmë të investojmë në Shqipëri.
Pyetje: Zoti Henze, në vendin tuaj a është demokratike përdorimi i dhunës në protesta, pasi në dy prej tubimeve të opozitës nuk kanë munguar incidentet, nuk ka munguar as dhuna, nga ana e qytetarëve, të udhëhequr në këtë protestë nga opozita.
Përgjigje: Protestat në radhë të parë janë një e drejtë legjitime e çdo partie dhe e çdo qytetari, në çdo vend demokratik. Në protesta zbatohen disa rregulla, por më lejoni të kujtoj se këto gjëra nuk ndodhin vetëm në Shqipëri, protestat ndodhin në të tërë botën. Unë kujtoj këtu protesta të forta që kanë ndodhur në Gjermani, të cilat mund të kenë qenë pak më emocionale sesa duhet. Në çdo grupim njerëzish ka njerëz që janë më emocionalë, më të prekur. Për mendimin tim kjo s’cënon të drejtën demokratike të protestës, por padyshim protesta duhet të zhvillohet në bazë të rregullave.