Dhuna ndaj gruas vazhdon të mbetet problem i mprehtë i shoqërisë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, e vende të tjera në rajon. Në këtë përfundim arrin një anketë me gra e vajza nga mosha 18-74 vjeç e zhvilluar nga Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë në Shqipëri, Bosnje-Hercegovinë, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbi, Moldavi dhe Ukrainë. Ndër pjesëmarrëset e anketuara kishte edhe gra nga Kosova.
Në Shqipëri 48% e grave të anketuara besojnë se dhuna në familje është një temë private dhe duhet zgjidhur brenda familjes, gjë që ushqen kulturën e mosraportimit të këtyre rasteve. Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Moldavia dhe Kosova kanë përqindjen më të lartë në përgjigje të pyetjes për ta trajtuar dhunën në familje si një çështje familjare.
Në Shqipëri 17% e të anketuarave besojnë se marrëdhëniet seksuale pa pëlqimin e gruas janë të justifikueshme nëse bëhet fjalë për marrëdhënie me bashkëshortin ose të dashurin. Në Kosovë kjo shifër arrin në 25%.
Në Shqipëri 15% e grave të anketuara besojnë se marrëdhënie seksuale pa pëlqimin e gruas janë të justifikuara nëse gruaja apo vajza ka veshur rroba “provokuese”. Në Kosovë kjo shifër arrin në 19%.
Nga gratë e vajzat e anketuara në Shqipëri, 17% përgjigjen se kanë qenë viktima të dhunës fizike ose/dhe të dhunës seksuale që nga mosha 15 vjeç. Në Kosovë, 8% e të anketuarave përgjigjen të kenë përjetuar fenomene të tilla.
Ndër gratë e vajzat e anketuara në Shqipëri, 28% përgjigjen se nuk janë të mirëinformuara për format dhe mënyrat për të raportuar aktet e dhunës. Në Kosovë kjo shifër është 34%. Po ashtu, 32% e të anketuarave në Shqipëri dhe 49% në Kosovë përgjigjen se nuk janë në dieni të ndonjë organizate joqeveritare që mbështet gratë në rastet kur bëhen viktima të dhunës.
Anketa tregon se në Shqipëri, aktet e dhunës nga një partner intim janë thuajse tre herë më të shpeshta se aktet e dhunës nga një person tjetër në familje ose i panjohur.
Në Shqipëri, 15-28% e të anketuarave përgjigjen se kanë vuajtur probleme psikologjike nga aktet e dhunës fizike apo seksuale, përfshirë ankth, frikë, probleme në marrëdhëniet intime, apo probleme gjumi e përqëndrimi.
Raporti i OSBE-së vëren se gratë në vendet e përfshira në anketë kanë përfaqësim të ulët në organet legjislative. Në Shqipëri, për shembull gratë përfaqësohen në masën 28% në parlament, ndërkohë që në nivel lokal përfaqësimi është edhe më i ulët. Për shembull vetëm 15% e bashkive në Shqipëri janë nën drejtimin e grave; në Maqedoninë e Veriut kjo shifër regjistrohet në 6%. Po ashtu gratë kanë përfaqësim të ulët në strukturat e zbatimit të ligjit, që duhet të reagojnë ndaj njoftimeve për dhunë ndaj grave. E ulët mbetet edhe pjesëmarrja e gruas në aktivitetin ekonomik të këtyre vendeve, por situata është edhe më problematike në role drejtuese të korporatave e bizneseve.
Anketa e OSBE-së, e zhvilluar gjatë periudhës pranverë-verë në 2018, nxjerr në pah se 70% e grave në vendet e përfshira në anketë kanë përjetuar ngacmim, ndjekje, kërcënim, dhunë nga një partner në marrëdhënie intime, apo një person tjetër që nga mosha 15 vjeç. Ndër të anketuarat 45% e grave kanë përjetuar ngacmim seksual, përfshirë ngacmime përmes internetit. Sipas anketës 23% e grave kanë përjetuar dhunë fizike ose seksuale nga një partner intim. 18% e grave të anketuara u shprehën se kanë përjetuar dhunë fizike dhe/ose seksuale nga një person që nuk ishte partneri intim.
Anketa arrin në përfundimin se këto probleme shoqërohen me një mentalitet për nënshtrimin e gruas, respektimin e vendimit të bashkëshortit ose partnerit intim, heshtjen në rastet e keqtrajtimeve që ende ekziston në vendet ku u zhvillua anketa. /VOA/