Kryetari i PD-së, Lulzim Basha i ka kërkuar Prokurorisë ‘të mos ndalet me koka turku por të hetojë urdhëruesin e përgjimit të paligjshëm’. Në një deklaratë për mediat pas pezullimit të kryepolicit Çako dhe 2 zyrtarëve të tjerë Basha kërkoi largimin e menjë hershëm të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
“Në qeverisjen e njëmijë e një skandaleve ka një skandal që del mbi gjithë të tjerët dhe ky është skandali i përgjimeve, i cili përveç të qenit një krim i madh dhe monstruoz është edhe një cenim i qartë dhe shkelje flagrante e sigurisë kombëtare të Republikës së Shqipërisë dhe çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë”, tha Basha.
Ai u shpreh se” ky skandal që është denoncuar nga opozita prej disa muajsh dhe për të cilin kemi kërkuar në mënyrë të vazhdueshme hetim dhe transparencë për hetimin, sot ka dalë në dritë’.
“Gjykata ka dhënë masë sigurie për ish-drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako përmes pezullimit dhe ka urdhëruar arrestimin e drejtorit të Operacionales dhe Përgjimeve.
Hapa padyshim që unë i inkurajoj, që tregojnë integritet nga ana e Prokurorisë, por që nuk janë të mjaftueshëm. Kryeprokurori i vendit, prokurorët e çështjes, duhet ta dinë qartë qëndrimin tonë. Ne nuk pranojmë dhe nuk do të pranojmë koka turku në këtë proces kaq të rëndësishëm për interesin esencial të vendit, sigurinë kombëtare. Ne nuk do të pranojmë që njeriu në krye të këtij operacioni të pistë të vazhdojë të mbetet në detyrë”, deklaroi kreu i opozitës.
Ai tha se prokuroria duhet të bëjë një hetim të plotë. “Ndaj inkurajojmë me forcë hetimin e shtrirë dhe të plotë të të gjithë personave përgjegjës që kulmojnë në zinxhirin urdhërdhënës me Saimir Tahirin.
Në çdo vend me standardin minimal demokratik një Ministër i Brendshëm që kapet duke futur në mënyrë të paligjshme një pajisje të paligjshme përgjimi do të kishte ikur, do të ishte larguar, do të ishte në dispozicion të drejtësisë. Në shtetin e Edi Ramës që betohet dhe përbetohet për një drejtësi të reformuar, Ministri i tij i Brendshëm i kapur në flagrancë, i kapur nga skandali në skandale, jo vetëm nuk ikën por i bën presion Prokurorisë, saboton hetimin”.
Sipas tij, Rama i është shmangur përgjegjësisë duke e akuzuar si urdhërues të kësaj afere. “Ndaj ne kërkuam përmes seancës dëgjimore në Komisionin e Sigurisë Kombëtare dhe kërkojmë transparencë. Por Edi Rama i është shmangur deri më sot përgjegjësisë direkte politike që ka për të pezulluar dhe larguar ministrin e Brendshëm, që është politikisht përgjegjës për skandalin e përgjimit, që është -dhe faktet nuk kanë si të mos tregojnë në qoftë se hetohet me paanësi – vetë urdhëruesi i kësaj afere”, tha Basha.
Ai ka pyetur kryeministrin se përse e mbron Tahirin. “Pse e mban me thonj Saimir Tahirin, Edi Rama edhe pse hetimi ka nisur? Maja e policisë në përgjegjësinë direkte të Saimir Tahirit është pezulluar, kjo mund të nënkuptojë vetëm diçka, implikimin e drejtpërdrejtë të Kryeministrit në këtë aferë.
Nëse është kështu, dorëheqja e tij nuk mjafton, largimi i Kryeministrit një orë e më parë është domosdoshmëri”, tha kreu i PD.
Basha tha se hapi i parë është dhe duhet të jetë firmosja nga Edi Rama e pezullimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, largimi i tij nga detyra. “Hapi i dytë, largimi i Ministrit të Brendshëm dhe hapi i tretë, deklarimi para shqiptarëve, se nuk ka asgjë për të fshehur dhe se është gati që këtë çështje t’ia nënshtrojë plotësisht drejtësisë dhe prokurorisë pa pengesa politike, pa presion ndaj hetimit”, vijoi Basha.
Por Basha shtoi se si çdo shqiptar, pavarësisht bindjeve politike, “edhe unë kam dyshime të mëdha se Edi Rama do ta bëjë këtë. Edi Rama i trembet një hetimi të pavarur dhe përgjegjësive politike që do të nxjerrë në raport me skandalin e përgjimit”.
“Ndaj, edhe dje, edhe sot, ngurron të japë konsensusin e tij për një projekt drejtësie të pavarur dhe të pakapur politikisht. Ndaj pengon çdo reformë që do të mundësonte që në skandale të tilla drejtësia të vepronte paanësisht dhe pa pengesë. Një drejtësi e tillë, sigurisht është problematike.
Një hetim që nis dhe nuk pengohet nga kryeministri, një krim shtetëror që ndodh dhe dorëzimi i autorit nuk pengohet nga kryeministri, është pa dyshim një realitet me të cilin Edi Rama nuk mund të përballet. Këtë ne e dimë dhe kjo nxjerr qartë mentalitetin e tij se pse do drejtësinë nën kontrollin e tij, nën vartësinë politike”, deklaroi Basha.
“Por sot dilema e tij për një drejtësi të kapur politikisht ekspozohet fuqimisht përballë këtij skandali, ku duket qartë se operacioni i paligjshëm, antikushtetues dhe i anti-sigurisë kombëtare të Tahirit, ka vënë në përgjim drejtues të lartë të shtetit, të partive politike, trupit diplomatik, medias, biznesit dhe bankave. Ka ekspozuar shtetin brenda shtetit, një bandë mbi ligjin dhe shtetin, me rregullat e veta mafioze dhe interesat e veta kriminale. Ndaj sot kërkojmë me forcë largimin e menjëhershëm të Saimir Tahirit nga detyra, si parakusht për largimin e çdo pengese që i është vënë përpara prokurorisë në hetimin dhe zbardhjen e plotë të këtij krimi”, tha ai.
Kjo, sipas Bashës nuk është një kërkesë për një kundërshtar politik të kapur në krim por një kërkesë e ligjshme për të siguruar kushtet për drejtësi të besueshme dhe objektive, të pa influencuar dhe të aftë për të zbardhur këtë skandal të paprecedentë.
“I kërkoj Prokurorit të Përgjithshëm dhe prokurorëve të çështjes të bëjnë gjithçka sipas ligjit dhe brenda ligjit dhe të mos ndalen me koka turku. Hetimi i plotë i Saimir Tahirit, hetimi i plotë i përgjegjësive të tij për këtë skandal, është ajo çfarë presin shqiptarët, është ajo çfarë pret opozita, institucionet e pakapura të shtetit dhe faktori ndërkombëtar. I bëj thirrje Edi Ramës të largojë Saimir Tahirin nga detyra një orë e më parë”, përfundoi ai.