Nga Çim Peka
Para disa vitesh, ambasadori Amerikan i akredituar në një vend të Europës lindore bëri një prononcim për mediat ku kritikoi qeverinë në luftën ndaj drogës.
Të nesërmen u detyrua të kërkojë ndjesë. Nuk ndodhi më.
Njoh me dhjetëra e dhjetëra shqiptarë që në pamundësi për të gjetur zgjidhje halleve të tyre reale dhe të perceptuar, u drejtohen me letra së pari Ambasadës Amerikane, por edhe përfaqësive të tjera, aty ku kanë besim. Jam i sigurtë që janë me mijëra.
Imazhi që kanë krijuar shqiptarët për përfaqësuesit e vendeve perëndimore mike, është në kufijtë e hyjnores. I shohin si shpëtimtarët e vetëm, si ndreqës të paudhësive të qeverive tona, si mbrujtës të të drejtave të qytetareve. Pa cene. Pa interesa. Qe i duan të mirën Shqipërisë më shumë se vetë shqiptaret (ironikisht deri diku e saktë).
Por, nuk e kuptojnë se ata janë këtu si përfaqësues të qeverive dhe interesave të vendeve të tyre. Mitizimi i ndërkombëtarëve shkon edhe më tutje. Tek zyrtarët e ministrive të Jashtme, organizatat ndërkombëtare, parlamentare e euro-parlamentare, mediave ndërkombëtare.
Në këto rrethana, këto krijesa ‘qelibare’ gjejnë hapësirë e fusin hundët vend e pa vend. Shqiptaret janë të vendosur më shumë se çdo komb tjetër në rrugëtimin drejt Bashkimit Europian.
Një rrugëtim i gjatë, me 1001 kushte të cilat duhen plotësuar derisa të jemi gati për anëtarësim. Kërkesat e BE-s, dhe të zyrtarëve të saj ndaj Shqipërisë për plotësimin e këtyre kushteve janë krejt legjitime.
Në Samitin e Selanikut në vitin 2003, Bashkimi Europian hartoi një platformë e cila siguronte vullnetin e Unionit për të pranuar anëtarë të rinj nga Ballkani Perëndimor, kur secili prej tyre të plotësonte kushtet, rast pas rasti.
Por Samiti i Selanikut tashmë është shumë larg. Rajoni ka ecur shumë ngadalë, Unioni ka ndryshuar. Ajo çka dihet me siguri është që së paku deri në 2025 nuk do ketë anëtarësime të reja.
Problemet e brendshme të BE-s janë jetike. Askush nuk e di si do jetë Unioni pas zgjedhjeve për Parlamentin Europian në Maj të këtij viti. Oreksi për të pranuar anëtarë të rinj, zero. Në këto kushte, ajo që quhet ‘soft power’, ose aftësia për ti mbajtur popujt e Ballkanit të lidhur pas vetes, e kombinuar me zhgënjimin ndaj korrupsionit qeveritar, dhe mungesa e vullnetit nga ana e BE-së për të mbajtur një qëndrim më të balancuar nga qeverive të korruptuara dhe autoritare, ka humbur atë magjinë e vet, dhe si rrjedhoje edhe influencën e këtyre institucioneve.
Kjo, pa përmendur profilin e zyrtarëve që merren me vendet specifike, të tillë si zyrtarët përgjegjës për zgjerimin, raporterët në Parlamentin Europian, zyrat e BE-së në vendet specifike, apo grupe të ndryshme euro-parlamentare, si këta që po vizitojnë sot Tiranën.
Në përgjithësi, njerëz që në vendin e tyre janë askushi.
Një vëzhgim i shpejtë në profilet e tyre në FB apo Twitter është zhgënjyes. Pashë sot profilin e këtij Fleckenstain. Dëshpërues! Megjithëse vjen nga një vend i madh si Gjermania, apo përfaqëson një qytet si Hamburgu në Parlamentin Europian, numri i ndjekësve të tij ësjhtë vetëm një fraksion i atyre që ndjekin ‘Kaubojsin’ tone
Pa paragjykuar axhendën e tij personale, apo të anëtarëve të tjerë të delegacionit, qëndrimet e tyre sot ishin si të dikujt qe vjen nga hëna. Është mëse e natyrshme që kushdo interlokutor i huaj të mbajë anën e qeverisë. Kështu ka ndodhur gjithmonë, kështu ndodh, e kështu do të ndodhë!
Fundja, me qeverinë kanë punë, e kryejnë punë. Por, kjo ndodh kur qeveria është një aset për ta dhe për popullin. Jo kur ajo kthehet në barrë. Është aksiomë në diplomaci që ndërkombëtarët bëhen me më të fortin. Por, jo kur balancat e forcës ndryshon apo është në peshore. Aq më tepër, kur forca ka zbritur në sheshe! T’u kërkosh shqiptarëve të merren vesh mes vetit, të bëjnë reforma, të vendosin shtetin e së drejtës në binarë, të mos ngadalësojnë rrugën drejt BE-së, është më se normale.
Këshillë mes miqve.
Por ama, tu thuash qytetarëve ikni nga sheshet se qeveria është e mirë, të na tregojnë se kush është e mirë e kush e keqe ndër ne, këtë e bën ose një idiot, ose dikush që prioritet parësor ka dietat e shpërblimet e veta (sipër dhe poshtë tavolinës). Po të isha në vend të Lulzim Bashës apo Monika Kryemadhit, delegacionin e sotshëm të Parlamentit Europian as nuk do ti kisha pritur fare, por kjo është puna e tyre.
Kur pritshmëritë janë të medha, edhe zhgënjimet janë të mëdha. Miqtë kanë vlerë si parandalues të krizave. Më vonë është tepër vonë. Vendi është në krizë, dhe do thellohet edhe më shumë. Këta që flasin në emër të stabilitetit duke ndjellur destabilitet, këta qofshin.
Kushdo e di që Shqipëria nuk do e marrë hapjen e negociatave këtë verë. Por aspirata e shqiptarëve për t’ju bashkuar Unionit duhet të mbetet e fortë. Është opsioni më i mirë, dhe i vetmi.
Frika është tjetërkund.
Me sjellje të tillë, këto institucione, dhe këta përfaqësues do të bëhen irrelevantë. Falë tyre, rruga tatpjetë është e shtruar. Do vijë një ditë kur askush nuk do ti marrë më seriozisht, përveç një kategorie njerëzish që ëndrrën e jetës e kanë ti japin dorën Elisa Spiropalit, për shembull.
Paraqitja e tyre sot në Tiranë nuk jep asnjë shpresë.
Dhe kjo nuk është e mirë as për Shqipërinë, e as për BE!