Rreth dy vite më parë modelja shqiptare që po bën karrierë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Adrola Dushi konfirmoi ndarjen nga bashkëshorti i saj, Adis.
Gjatë intervistës televizive me Ermal Mamaqin, modelja tregoi se pavarësisht ndarjes me ish-partnerin e saj vazhdojnë të ruajnë marrëdhënie të mira, pasi në mes është djali i tyre, Troi. Faktin se ata ruajnë një marrëdhënie miqësore e vërtetoi me komentin poshtë fotos së ish-burrit, ku ai kishte bërë tatuazh veten dhe të birin duke e mbajtur në krahë. “Zot, sa e bukur!”, shkruante Adrola e impresionuar nga tatuazhi i ish-burrit të saj.
Edhe pse nuk e thanë hapur arsyen e divorcit, u fol se distanca fizike u bë shkak nisur nga fakti se Adrola u vendos në Amerikë për karrierën, ndërsa partneri vazhdonte të jetonte në Tiranë. Por pas ndarjes, ndjekësit u bënë kureshtarë në lidhje me statusin e Adrolës tani që s’është më e martuar. Në ndonjë deklaratë të shkurtër ajo pohonte se ishte single, pasi gjatë kësaj periudhe nuk e kishte ngacmuar asnjë mashkull. Por duket se gjërat kanë ndryshuar shpejt.
Vetëm pak ditë më parë ajo ka postuar në rrjetet sociale një foto shumë komprometuese që dëshmon faktin se Adrola nuk është më single. Ajo pozon e dorëzuar në krahët e një supermashkulli aktor dhe model, të quajtur Pavllo Zengo.
Të njëjtën foto, ku ajo llastohet në krahët e tij e ka postuar edhe djali zeshkan me sytë blu, i cili është një shqiptar i përfshirë në botën e aktrimit dhe modës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai po ashtu ka postuar të njëjtën foto me statusin “Merre, ose lëre”, duke iu referuar Adrolës.
Nuk kanë munguar komentet e miqve, të cilët i sugjerojnë që ta marrë Adrolën pas asnjë mëdyshje, pasi, sipas tyre “është një nga vajzat më të bukura mbi tokë”. Poshtë fotos nuk i mungojnë komentet me zemra të Adrolës, jo vetëm poshtë kësaj fotoje çift, po edhe të një tjetre që Pavllo ka postuar në “Instagram”-in e tij, në shoqërinë edhe një tjetër mikeshe.
Pavllo Zengo është i njohur si aktor për rolet e tij në “The Org” (në 2017-n) dhe CSI (Cyber) në 2015-n.
ADROLA DUSHI DHE RRËFIMI PËR ISH-BURRIN: U MARTOVA SHUMË E RE
Adrola Dushi foli për herë të parë për ndarjen nga bashkëshorti një vit më parë. Në emisionin “Xing” me Ermal Mamaqin, ajo rrëfeu për herë të parë se lajmet për ndarjen nga bashkëshorti kanë qenë të vërteta, ndërsa e quajti gabim faktin se u martua shumë e re. “Martesa nuk ishte gabim, por unë dhe Adisi ishim shumë të rinj. Nuk mendoj se është as faji im, as faji i Adisit për ndarjen tonë. Është thjesht faji i situatës, Troi erdhi shumë herët në jetën tonë.
Pse nuk funksionoi, do të ngelet mes meje dhe Adisit”, ka thënë ndër të tjerash Adrola. Ndërsa në pyetjen provokuese se mos zgjodhi karrierën përpara ish-bashkëshortit, modelja u përgjigj: “Jo absolutisht, gjëja që do zgjedh gjithmonë në jetën time është ndjesia e mirë, jo karriera.
Karriera nuk të përmbush. Kishim arsyet tona që na sollën në këtë pikë!” Ish-çifti janë prindër të një djali, të quajtur Troi, e që sipas modeles është arsyeja pse ata ruajnë ende raporte të mira shoqërore. “Marrëdhënia jonë është shumë e mirë tani, aq sa na takon.
Flasim me njëri-tjetrin, kur bëhet fjalë për Troin jemi gjithmonë bashkë. Nuk jemi ndarë me sherr e shamatë, kjo është gjë e mirë. Troi vdes për babin, për gjyshërit, takohen shpesh. Troit nuk i mungon as mami, as babi, as gjyshërit. Troi është ajo qershia mbi tortë në familjet tona”, ka përfunduar Adrola. Më vonë, ajo foli dhe për bërjen realitet të ëndrrës amerikane.
“Kur erdha në Amerikë kisha ide të ndryshme në kokë e tani që shoh pas çuditem edhe vetë se sa shumë kam arritur”, tha ajo për “Who”. “Edhe pse pa përkrahjen e askujt, pa njohur askënd, tani kam kontratat e mia të punës si imazh kompanish të mëdha, fushatat publicitare për firma kozmetike e të tjera.
Janë punë që më kanë siguruar të ardhura të mira dhe më mundësojnë jetën që dua të bëj edhe pse natyrisht gjithçka është realizuar duke i hyrë në hak kohës që duhet të kaloj me familjen e sidomos me djalin tim, Troin”.
Ajo tregoi se në kohën e pikut të punëve, kur i duhet të udhëtojë e të jetë e angazhuar me kohë të plotë, Troin e sjell në Tiranë tek i ati. Familja e Adrolës jeton gjithashtu në SHBA, por ata janë larg dhe të gjithë të angazhuar me punë.
Për këtë arsye, më mirë se me dado, modelja e famshme e ka parë të arsyeshme ta sjellë në Tiranë Troin e vogël, në familjen e të atit, aty ku të gjithë e duan. Ndërsa kur është e lirë udhëton sërish për ta marrë djalin e saj me vete.
“Si çdo njeri kam pendesat e mia për momente apo vendime të caktuara që kam marrë në jetë. Do të kisha dashur që shumë gjëra të ishin ndryshe”, thotë ajo. “Ndonjëherë mendoj se nëse Troi do të kishte lindur më vonë, të dy do ta kishim shijuar më shumë njëri-tjetrin.
Tani më duhet të qëndroj shpesh larg tij, të merrem me angazhimet profesionale dhe kjo sigurisht është e vështirë. Por unë do të bëj më të mirën për jetën tonë”, citohet të jetë shprehur ajo. Në lidhje me jetën si modele ajo thotë se është aq e zënë se “për këtë arsye, kur njerëzit më pyesin se ku jetoj, shpesh u përgjigjem në avion”, përfundon Adrola./Panorama