Në seancën e 26 gjyqësore janë rrëfyer të akuzuarit për vrasjen e Hermes Beqirajt, ngjarje e ndodhur në datë 4 dhjetor të vitit 2017. Përmes avokatëve mbrojtës të akuzuarit Elvis Hoxhaj dhe Ditmir Harifi kanë dhënë dëshmi kryesisht të ndryshme nga njeri tjetri ndonëse akuzohen për bashkëpunim. Avokati i autorit të dyshuar Elvis Hoxhaj, Kreshnik Kolndreaj deklaroi para trupit gjykues se nuk ishte i mbrojturi i tij autori i vrasjes. Ai tha se Hoxhaj para grupit hetimor në momentin e arrestimit ka pranuar vrasjen duke treguar një fabul, pasi ishte nën presion psikologjik. Sipas avokatit atij i ishte bërë presion për të pranuar një krim që nuk e ka bërë, por janë provat që hedhin poshtë akuzat.
“Në momentin e arrestimit autorit nuk i janë gjetur as në duar as fytyrë shenja baruti, arma e gjetur nuk provon se krimi është bërë përmes saj, ndërsa celula e telefonit është prova më e fortë ku mbështetet mbrojtja pasi kompanitë e telefonit provojnë se kur ka ndodhur vrasja Elvis Hoxha ka qenë 15 km larg vendngjarjes” -tha avokati. Ai kërkoi lirimin nga akuza e vrasjes me paramendim dhe kërkoi shpalljen i pafajshëm për akuzën vrasje me paramendim dhe vetëm dënimin për armëmbajtje pa leje për Elvis Hoxhën. Por dëshmia e dhënë nga i pandehuri tjetër Ditmir Harifi e përcjellë nga avokatet Fatbardh Kadria dhe Anton Kosteri kanë fundosur të dyshuarin Elvis Hoxhaj.
Ai ka dhënë dëshmi të detajuar rreth ngjarjes për të cilin kërkoi disa herë falje dhe mëshirë duke mohuar kategorikisht se ka pasur qëllim vrasjen e Hermes Beqirit me të cilin ishin shokë. Fillimisht fjalën e ka marrë avokati Fatbardh Kadrija i cili përshkroi dëshminë e plotë të Ditmir Harifit. “Me Hermes Beqirin ishim shokë po ashtu dhe me Elvis Hoxhën. Paraditen e datës 2 nëntor kam qenë se bashku tek daja i Elvisit në Gruemirë të Malësisë së Madhe me motocikletë. Pasdite jemi nisur për kafe në lagjen Kiras ku na priste Hermesi me shokë të tjerë.
Ai kishte blerë motor sportiv dhe i kërkova të ma linte për ta provuar. Bëra një xhiro i vetëm, më pas me Hermesin dhe pastaj serish vetëm. Herën e fundit e mbusha me karburant me lekët e mia dhe për këtë kam dëshmitar. Kur u ktheva tek lokali Hermesi i kishte marrë kapelën Elvisit dhe ky i fundit i kërkonte t’ia kthente. Debatuan ashpër me njëri tjetrin, në fund Hermesi ia ktheu por e fyeu me fjalë dhe e goditi me shkelm ne ije. Në këto momente Elvisi me kërkon të ikim në shtëpi të merrnim lekë për të paguar kafet pasi nuk kishte të holla mjaftueshëm me vete. E marr dhe nisemi, më kërkon të ndalem pranë një kanali ku mesa kuptoj tani kishte fshehur një armë të cilën unë nuk e pashë pasi e kishte futur nën xhaketë dhe me kërkon te kthehemi serish tek lokali pasi kishte për ti thënë diçka djemve.
Sapo kemi mbërritur është ulur nga motori dhe ka qëlluar në drejtim të Hermesit duke e lënë të plagosur rënde e me pas ka ndërruar jetë në spital. Menjëherë pasi ka qëlluar mbi Hermesin është drejtuar nga unë me armë në dorë dhe me ka thënë ec, ec. Nga frika dhe paniku për cfarë kishte ndodhur kam ecur deri në Rus dhe aty jemi ndarë. Unë nuk kam paramenduar vrasjen dhe nuk kam pasur asnjë qellim apo përfitim nga ngjarja. Kam bërë gabim trashanik me pasoja katastrofike për familjen e Hermes Beqirit. I kërkoj falje dhe mëshirë” ishte kjo deklarata e Ditmir Harifit e lexuar nga avokati i tij Fatbardh Kadrija.
Avokati Anton Kosteri kujtoi se duhet ndryshuar akuza për të pandehurit pasi është vrasje me dashje por jo me paramendim, pasi vrasja me paramendim kërkon organizim, bashkëpunim, metoda dhe kohë, ndërsa ngjarja ka ndodhur brenda 15 m maksimumi. Ai tha se Ditmir Harifi ka qenë i mitur në kohën kur ka ndodhur vrasja dhe nuk ka qenë në dijeni të krimit që do kryhej mbi shokun e tij. Kujtoi që ai nuk ka pasur precedent penal, ka qenë sportist me rekorde kombëtare ne hipizëm dhe një sjellje model në komunitet. Ndaj avokati kërkoi dënim minimal për të me bindjen se ishte penduar thellësisht. Ne fjalën e fundit dhënë për të pandehurit ka shpërthyer Elvis Hoxha i cili tha se “Unë një shok që e kam nuk e çoj më për me e vra, kërkoj drejtësi”.
Por fundi i seancës gjyqësore është shoqëruar me akuza dhe tension. Familjarët e autorit të dyshuar kanë akuzuar trupin gjykues. Tonet e larta dhe skenat kanë detyruar të ndërhyjnë gardianët e burgut të Shën Kollit të cilët kanë sinjalizuar policinë vendore të Shkodrës. Familjaret janë shoqëruar në polici ndërsa kanë shprehur pendesë për çfarë atë që ka ndodhur duke e konsideruar reagim instiktiv dhe emocional pasi i biri sipas tyre po akuzohet, sipas tyre padrejtësisht për vrasjen e shokut te tij. Data 26 shkurt pritet te jetë edhe seanca e fundit për këtë çështje ku pritet te jepet edhe vendimi.