Një intervistë e pazakontë ka dhënë imami i vetëshpallur i xhamisë së Mzezit, Bujar Hysa lidhur me prokurorinë e Krimeve të Rënda e cila ka apeluar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda për 8 nga 9 myslimanët e ashtuquajtur “Grupi i xhihadistëve”, të cilët akuzohen për rekrutim dhe dërgim të besimtarëve myslimanë shqiptarë në Siri.
Intervista e dhënë në “Gazetën Shqiptare” tregon se imami Hysa, i dënuar nga Gjykata me 18 vite burg pasi prokuroria i kishte kërkuar 20 vite, thotë se prokuroria është shumë e zezë, e zezë në shpirt. Më tej ai i bën thirrje të gjithë vëllezërve mysliman që të kenë durim pasi bërthama e tyre po fillon të çelet, të rritet dhe të piqet.
Gjykata vendosi për 9 të pandehurit dënimin me 126 vite burg; ku 17 vjet burg dha për Genci Abdurrahim Ballën, imamin e vetëshpallur në xhaminë e Unazës së Re, duke i ulur 3 vjet nga pretenca e prokurorisë, 17 vjet burg për Gert Pashjen, duke i ulur 3 vite nga pretenca e prokurorisë, 18 vjet heqje lirie për Bujar Hysën, imam i vetëshpallur në xhaminë së Mzezit, duke i ulur dy vite nga ajo që kërkoi prokuroria. Verdi Morava është dënuar me 13 vjet heqje lirie, duke i zbritur 2 vite nga pretenca e prokurorisë. Gjykata vendosi që të dënojë me 16 vjet heqje lirie Zeqir Imerin, duke i zbritur vetëm një vit nga pretenca e prokurorisë, Orion Reçi u dënua me 13 vjet burg, duke i zbritur 2 vjet nga pretenca e prokurorisë,
Fadil Myslimani është dënuar me 12 vjet burg, duke iu zbritur 3 vite nga çfarë kërkoi prokuroria, Astrit Tola u dënua me 7 vjet burg, duke iu zbritur 8 vite nga pretenca e prokurorisë, dhe Edmond Balla u dënua me 13 vjet burg, duke iu zbritur dy vjet nga pretenca e prokurorisë.
Dënimi më i ulët është dhënë për Astrit Tolën, pasi për të nuk është provuar akuza e rekrutimit, por vetëm ajo e nxitjes së urrejtjes. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, imami i vetëshpallur i xhamisë së Mzezit deklaroi se ai dhe shokët e tij nuk po gjykohen në bazë të fakteve, por në bazë të urrejtjes.
Z.Hysa, jeni në dijeni se prokuroria ka apeluar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë në lidhje me dënimin tuaj?
Po, jam në dijeni, sigurisht që jam, pasi pardje më erdhi kërkesa ku thuhej se prokuroria nuk është e kënaqur me vendimin e gjykatës. I janë dukur pak 18 vite që më dha gjykata. Ndër të tjera në dosje thuhej se nuk jam dakord për vendimin që ka dhënë gjykata për të pandehurin Bujar Hysa dhe unë dua që ai të dënohet me 20 vite.
Prokuroria nuk ka apeluar vendimin vetëm për Zeqir Imerin; pse mendoni se nuk apeloi për të, keni ndonjë koment?
Dënimi më i madh që dha ajo ishte 20 vite. Ajo ka qenë e pakënaqur me vendimin e gjykatës, se pothuajse të gjithëve na ka ulur nga 2 vite nga çfarë kërkoi prokuroria, dhe gjykata për Zeqir Imerin uli vetëm një vit, kështu mendoj unë. Me këtë apelim të saj, duket qartë se ajo nuk është e kënaqur me vendimin e gjykatës. Nuk e di se çfarë është gjithë kjo luftë, nuk e di se çfarë është gjithë kjo urrejtje ndaj nesh, por na mjafton Zoti që është lart.
Ju mendoni se kjo që po ju bëhet është urrejtje?
Po sigurisht që është urrejtje kjo, dhe për shkak të besimit tonë. Unë u habita edhe me zbardhjen e vendimit të gjykatës, dhe gjykata ka manipuluar shumë prova. Kjo është e qartë që është urrejtje, një urrejtje që ata kanë përbrenda ndaj nesh. Unë personalisht nuk kisha dëgjuar që për një ndryshim prej dy vitesh prokurorja nuk është e kënaqur. Ne kemi dëgjuar këtu që gjykata ka ulur me nga 5 apo dhe 10 vjet dhe prokurori nuk ka apeluar.
Z.Hysa, gjykata ju dënoi duke marrë parasysh të gjitha provat që u paraqitën nga organi i akuzës; mos e thoni nga irritimi këtë?
Jo, e them me bindje se arsyeja e vetme është se prokurorja është shumë e zezë, e zezë në shpirt. Ajo kishte prova, të paktën për mua, se unë kam bërë thirrje për xhihad në rrugë të Allahut, unë kam thirrur që njerëzit të ndihmohen, kishte plot prova që ajo të më dënonte mua sipas bindjeve të mia, por përveç këtyre provave, ajo edhe ka shtuar dhe ka manipuluar.
Disa nga 9 të pandehurit që akuzohen për rekrutim dhe dërgim të besimtarëve myslimanë shqiptarë në Siri kanë apeluar vendimin; mendoni se kjo gjykatë do marrë parasysh kërkesat?
Po, e kanë apeluar 4 vetë vendimin. Nuk e di se çfarë të them, por unë jam shumë i pakënaqur me dënimin që më kanë dhënë. Dua të them se këta nuk kanë të ngopur, ne nuk po na gjykojnë në bazë të fakteve, por po na gjykojnë në bazë të urrejtjes që kanë.
Së fundmi, keni ndonjë mesazh dhe për kë?
Kam një thirrje për vëllezërit e mi myslimanë. U them që ata duhet të bëjnë durim, ne jemi në çeljen e bërthamës, dhe kjo bërthamë duhet të rritet, të zhvillohet, derisa të piqet. Ata duhet të durojnë! Nuk është koha për kundërpërgjigje, është koha për të duruar.