Nga Boldnews.alMes mijëra protestuesve të thirrur nga opozita ishin edhe banorët e Unazës së Re në Tiranë. Kanë më shumë se tre muaj që protestojnë çdo ditë kundër prishjes së banesave të tyre. Ngrenë zërin e ulërijnë deri në klithje dëshpërimi për aferën e tmerrshme me abuzimet e fundeve publike. Ata konsiderohen “shpellarë” nga Lali Eri i Bashkisë, “zaptues profesionistë” nga kryeministri dhe “batakçi që pengojnë zhvillimin” nga deputetet e Rilindjes.
Gjithëfar etiketimesh kanë marrë, por dje kishin momentin të përballeshin drejtëpërdrejtë me pushtetin, me godinën e përhimtë dhe hijerëndë të kryeministrisë, në atë skutë ku thuren plane e dalin vendime që rrënojnë, shkatërrojnë dhe brejnë jetën e qytetarëve (si të atyre të banorëve të Unazës së Re).
Pamjet filmime dhe fotot e shumta nga protesta evidentonin disa protestues që “luftonin” me xhamat e blinduara të derës hermetike të kryeministrisë, me bezën e gjelbër që mbulonte veprat e artit që kryeministri i ka fiksim e është gati të hapë dyert e burgut për këdo që i prek shijen artistiko-psikike të tij.
Një prej veprave që e preku kryeministrin ishte një kërpudhë prej betoni e vendosur në oborrin e kryeministrisë. “KEPURDHA – Vepër e Carsten Holler, dhuruar Kryeministrisë pas një vizite të tij në vendin tonë, pas së cilës artisti i famshëm bashkëkohor është kthyer në një ambasador të Shqipërisë e të shqiptarëve! Ndjesë Carsten, kjo nuk është Shqipëria dhe shqiptarët nuk janë këta”, shkruante kryeministri Rama paraditen e djeshme, ndërsa paraqiste edhe foto që tregonin se kjo vepër ishte dëmtuar nga protestuesit.
Kërpudha e ndarë në tre pjesë, ishte një vepër tredimensional me tri varietete kërpudhash: një e ngrënshme, një helmuese dhe një haluçinogjene. Një formë arti që tregon realitetin shoqëror e politik. Por Rama u prek keq dhe u vra në ndërgjegje, kur pjesa helmuese e kërpudhës dhe sidomos ajo me haluçnogjene iu dëmtua nga protestuesit.
Nuk ka kaluar vetëm me një falje për artistin, sepse kryeministri u hakmorr shpejt për dhunuesit e kërpudhës. Policia e Shtetit u shpërnda vrullshëm duke vënë në pranga deri më tani 40 persona. Mes tyre janë edhe banorë të Unazës së Re që dolën në mbrojtje të shtëpive të tyre.
E çfarë është shtëpia para një kërpudhe, sidomos ajo helmuese dhe haluçinogjene? Kryeministri këtu nuk fal, përveç burgut për shkatërruesit e kërpudhës, do u dërgojë edhe fadromat për tu prishur shtëpitë. Hazër ka edhe Lali Erin që nuk i duron këta shpëllarë.