Rezart Veleshnja ka vendosur ditën e sotme të jetë sërish në qendër të vëmendjes mediatike. Aktori i humorit ka publikuar një fotografi në “Insta story” që dëshmon sesi vijon normalisht lidhja e tij, pavarësisht publikimeve të postimeve ku akuzohej për tradhti e dashura e tij. Në një screenshot të bërë nga vet ai, përpos një numri të emëruar me “Dashuria”, shihet se në cover të telefonit mban fotografinë e një femre biondeje.
Deklaratat e aktorit të “Portokallisë ” Rezart Veleshnja zunë një hapësirë të konsiderueshme mediatike përgjatë dy ditëve,ku akuzonte të dashurën e tij për tradhti. Ai publikoi fillimisht në “Insta story” disa mesazhe ku komentonte tradhtinë e partneres, që përmbanin fyerje dhe ofendime përkundrejt saj.
“Bota është e mbushur me plehra. Edhe e forta është që e di kush është ai hallexhiu që i shkon pas! Ta dijë ai i mjeri…Faleminderit të gjithëve për mbështetjen por s’kam ç’bëj me një që mban 4 përnjëherë! Mjerë ai që bën si mjeshtër dhe mendon se e ka vetëm ai! Ahahhaa” , shkroi Rezarti në postimin ku zbuloi se madje i kishte blerë dhe një unazë diamanti 8 mijë dollarëshe.
Por ditën e djeshme, ai reagoi sërish në profilin e tij në “Instagram”, duke fshirë të gjitha postimet e mëparshme dhe duke u shprehur se i kishin hakëruar rrjetin social.
“Dua të falenderoj menaxherin që bëri të mundur rimarrjen e faqes time të Instagramit. Mua ma kanë hakuar faqen, nuk e di pse i kanë bërë këto pislliqe. Për momentin jam në Washington dhe nuk kam pasur lidhje fare me Instagramin. Kam qenë 13 orë në udhëtim. Paska ndodhur kjo dhe jam habitur. I kërkoj shumë falje. Nuk e di kush janë këta dashakeqës që më hakuan Instagramin. Nëse i gjej i kam lënë Allahun dhe policinë.
Nuk e di kush i ka përdorur fotot, por unë kam 3 orë që kam zbritur në aeroportin e Washingtonit dhe kam ngelur këtu. Nuk di kush ma ka bërë këtë punë. Do ta gjejmë me prokurori. Nuk e kuptoj interesin e këtyre njerëzve. Turp i madh është”, u shpreh aktori.
Tanimë lind një tjetër pyetje, jo ajo e autorësisë së publikimeve të mëparshme, por e faktit se përse në reagimin e tij të parë aktori i humorit nuk përmendi në asnjë moment se vijonte të ishte i lidhur me partneren e sulmuar nga “njerëz dashakeq”. Me ç’duket, Veleshnjës i është dashur një tjetër ditë për të pohuar vazhdimësinë e lidhjes dhe marrëdhënien e tij të lumtur.