A janë të rinjtë sot të pashpresë, të pavarur, të devotshëm, të pavendosur, apo të lumtur? Ç’presin të rinjtë e sotëm evropianë nga jeta?
Shumica e të rinjve mes moshës 18 dhe 34 vjeç mund ta përfytyrojë një jetë të lumtur pa fëmijë, makinë, televizor apo besim tek feja – por jo pa internet.
Ky është një nga rezultatet e sondazhit interaktiv online “Generation what” që filloi më 11 prill, dhe do të vazhdojë deri në nëntor. Deri tani në këtë studim të veçantë kanë marrë pjesë më shumë se 650.000 të rinj nga 31 vende evropiane.
Qëllimi është t’u ofrojë të rinjve evropianë një mundësi për të pikturuar një portret të brezit të tyre.
Dëshirat, shpresat dhe shqetësimet
Sociologët e hartuarnpyetësorin me 149 pyetje duke filluar nga çështjet familjare, atë të seksit, të fesë dhe të politikës. Anketa po koordinohet nga Bashkimi Evropian i Radio-Televizioneve (European Broadcast Union – EBU) dhe në të marrin pjesë me botimin në faqet e tyre të internetit dhe pyetësorë në gjuhët e tyre përkatëse radio-televizionet publike të 12 vendeve të BE-së .
Kushdo nga mosha 16 e lart mund të marrë pjesë në anketë, por sociologët janë të interesuar kryesisht për grupmoshën 18-34 vjeç, e cila është në qendër të analizës.
52 për qind e të rinjve gjermanë nuk mund ta imagjinojnë jetën pa internet
Sipas rezultateve të deritanishme të rinjtë janë më tepër pozitivë ndaj jetës, tha për DW-në Thomas Grond, drejtues i grupit për shikuesit e rinj pranë EBU-së.
Por disa nga rezultatet ishin shokuese, tha Grond. Përgjigjet për pyetjen “A ju jep juve shoqëria mundësi që të tregoni atë që jeni të aftë për të bërë?” treguan një ndarje të qartë midis Evropës veriore dhe jugore, tha ai. “Kësaj pyetjeje ju përgjigjën të rinj nga 29 vende; deri tani ka pasur 537.000 vetë që janë përgjigjur – dhe 60 për qind e gjermanëve, për shembull, thanë po, ndërsa 81 për qind e pjesëmarrësve nga Italia tha jo.” Po ashtu edhe 80 për qind e grekëve që morën pjesë në anketë kishin një opinion të ngjashëm negativ.
Deri tani nga anketimi rezulton se vlerat e mbajtura lart për disa dekada pas Luftës së Dytë Botërore, përfshirë edhe vajtjen të dielën në kishë, ekskursionet e përbashkëta familjare me makinën e re apo ndjekja e së bashku me familjen e programeve televizive, duket se kanë humbur rëndësinë në mbarë Evropën. Interneti, nga ana tjetër, është i rëndësishëm. 52 për qind e të rinjve gjermanë nuk mund ta imagjinojnë jetën pa internet, por edhe më shumë syresh nuk mund të bëjë dot pa muzikë dhe libra, respektivisht 88 për qind dhe 71 për qind.
Në Gjermani, rreth 80 për qind e grupit të anketuar mund ta imagjinojnë që të jetojnë pa fe, dhe 52 për qind thonë se mund të jenë të lumtur pa fëmijë. Kurse në Itali madje 76 për qind e të anketuarve thanë se mund ta imagjinojnë një jetë të lumtur pa fëmijë.
Shumica e të anketuarve në Francë (56 për qind) nuk janë dakord që gratë muslimane të mbajnë shami koke në punë ose në publik, ndërsa ky fakt bezdis vetëm 39 për qind të gjermanëve. Ata, nga ana tjetër, janë më pak tolerant ndaj meshkujve që i fërshëllejnë ndonjë gruaje në shenjë admirimi, apo ndaj atyre që mbajnë pantallona që u varen dhe që u duken të mbathurat. /DW/