Kalvari i tragjedisë së 25 korrikut të vitit 2016, ku në Spitalin Amerikan humbën jetën 2 persona, tanimë i shtohet edhe vendimet absurde të Gjykatës së Tiranës.
Sipas informacionit të publikuar nga Shqiptarja.com, trashëgimtarët e dy grave të ndjera Hanife Mali dhe Sanije Sulaj, që u dogjën të gjalla në ambjentet e spitalit Amerikan në Tiranë, kanë hapur procese civile për dëmshpërblim financiar për jetët e humbura brenda në spital., por për drejtësinë shqiptare, nga dy persona të vdekur nga të njëjtat rrethana dhe në të njëjtat kushte, vetëm njera prej tyre meriton dëmshpërblim.
Të dyja vendimet e gjykatës së Tiranës që “Shqiptarja.com” i disponon tregojnë më së mirë çuditë e gjyqësorit shqiptar, ku për dy gra që kanë humbur jetën në të njëjtin ambjent dhe në të njëjtën kohë, mbahen qëndrime të kundërta, për sa i përket dëmshpërblimit të tyre. Hanife Mali dhe Sanije Sulaj, ishin në të njëjtën dhomë kur po mernin mjekimin dhe në të njëjtën dhomë janë djegur të dyja. Por kjo nuk do të thotë gjë dhe nuk vihen fare në shqyrtim nga gjykata e Tiranës, e cila për rastin e padisë së trashëgimtarëve të Hanive Malit, ka pranuar t’i dëmshpërblejë financiarisht me vlerën 134 milion lekë të vjetra, duke detyruar Spitalin Amerikan të paguajë shumën monetare. Ky vendimin është marë në 15 mars 2018 nga gjyqtarja Mimoza Kajo. Por spitali Amerikan e ka kundërshtuar vendimin duke mos paguar asgjë dhe duke bërë rekurs në gjykatën e Apelit.
Ndërkohë në një vendim tjetër me të njëjtën kërkesë padi dhe me të njëjta rrethana të ngjarjes gjyqtari i Tiranës Agron Zhukri ka vendosur të rrëzojë kërkesë padinë e trashëgimtarëve të të ndjerës Sanije Sulaj. E habitshme por kështu ka ndodhur. Gjykata e Tiranës ka detyruar Spitalin Amerikan që të dëmshpërblejë financiarisht me shumën prej 134 milion lekë të vjetra njërën nga viktimat që humbi jetën në tragjedinë e 25 korrikut 2016, ndërsa për viktimën tjetër Sanije Sulaj gjykata nuk ka pranuar të detyrojë spitalin të japë dëmshpërblim. Për gjykatën e Tiranës spitali Amerikan ka detyrim të dëmshpërblejë financiarisht një nga viktimat dhe jo të dyja, ndërkohë që dy gratë vdiqën në një dhomë të spitalit dhe në një moment dhe nga të njëjtat shkaqe.
Të dy vendimet civile janë ankimuar në gjykatën e Apelit Tiranë dhe tashmë janë në pritje për tu gjykuar. Në vendimin e saj gjyqtarja Mimoza Kajo, që ka pranuar kërkesë padinë e trashëgimtarëve të Hanife Malit, argumenton në vendimin e saj se mospengimi i një ngjarje nga personi që ka detyrimin ligjor për ta mënjanuar, e ngarkon atë me përgjegjësinë e dëmit të shkatuar. Gjithashtu gjyqtarja Kajo nënvizon në vendimin e saj se punëdhënësi është përgjegjës për dëmet e shkaktuara të tretëve për fajin e punonjësve që janë në shërbim të tij, gjatë ushtrimit të detyrave që u janë besuar prej tij. Veç kësaj në një pikë tjetër të vendimit të gjykatës së Tiranës për rastin e dëmshpërblimit të Hanife Malit, thuhet se: “…spitalet publike dhe jo publike dëmshpërblejnë të sëmurin e dëmtuar, sipas Kodit Civil, kur dëmtimi ka ardhur nga mosrespektimi i rregullave gjatë ushtrimit të detyrës nga personeli mjekësor ose mosdhënia në kohë e ndihmës urgjente mjekësore, sipas nenit 6 të këtij ligji…”.
Në fakt çdo pacient ka të drejtë për të marrë kompesim të mjaftueshëm brenda një kohe të arsyeshme të shkurtër, kurdoherë që pëson një dëmtim fizik ose moral, si dhe dëmtim psikologjik pasojë e një trajtimi të shërbimit shëndetësor. Gjyqtarja Mimoza Kajo në vendimin e saj argumenton se Spitali Amerikan nuk ka marrë masat e nevojshme për të siguruar një ndihmë mjekësore të specializuar dhe mbrojtjen e shëndetit, përderisa në ambjentet e saj dhe në prani të personelit mjekësor, një person që ka shkuar të marrë ndihmë mjekësore të specializuar, vdes nga një shkak tjetër që nuk ka të bëjë me sëmundjen e tij por si rezultat i djegies së thellë të trupit prej zjarrit të shpërthyer në ambjentet e spitalit si pasojë e neglizhencës së personelit mjekësor. Nisur nga këto rrethana gjyqtarja Mimoza Kajo ka vendosur të çmojë se ekziston lidhja shkaksore midis veprimeve dhe mosveprimeve të paligjshme dhe neglizhente të palës së paditur dhe ardhjes së pasojës, vdekjes së trashëgimlënëses së paditësve.